Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Profesioni i lustaxhinjve përmes dy realiteteve

Nga Agime Kastrati

Puna e lustraxhinjve pavarësisht luftës me kohën, teknologjisë dhe stilit të jetesës vlerësohet nga njerëzit në Londër si profesion i veçantë e i patjetërsueshëm ndër vite. Ndërsa vështirësitë ekonomike, politikat disfavorizuese të vendorëve, si dhe mos stabilizimi dhe mos vlerësimi i zanatçinjve ka çuar në një “diskriminim” të hapur të zanatit të harruar të lustraxhinjve në Tiranë .

Të drejtat e mohuara të këtij profesioni që duken hapur në çdo rrugë të Tiranës pasi nga frika lustraxhinjtë pozicionohen në cepa pallatesh shikohen hapur nga të gjithë. Janë “zanatçinj” dhe “artistë” të imazhit të jashtëm të këpucëve të çdokujt që “gjunjëzohet” para poltronit tyre. Për këpucët, mjafton vetëm një shikim dhe kuptojnë se çfarë lëkure janë dhe çfarë boje duan. I bashkon profesioni dhe pasioni për lustrimin por, jetojnë në realitete të ndryshme.

Njëri ushtron aktivitetin e tij si lustraxhi në qendër të Tiranës, ndërsa tjetri në qendër të Londrës. Bëhet fjalë për dy realitete të ndryshme të të njëjtit zanat. Historia e Romi Topit, i riu me origjinë nga Korça i cili e ushtron këtë profesionin prej 17 vitesh në kryeqytetin Britanik, ku fillimisht ka punuar në mënyrë informale duke siguruar më pas një vend për ushtrimin e aktivitetit.

Dhe historia e Refik Dapit, 58-vjeçari nga Tirana i cili këtë profesion e ka të trashëguar nga familja, por çdo ditë duhet t’i fshihet policisë bashkiake pasi kioska ku ai prej vitesh punonte e paguante taksa, u shemb për t’i hapur rrugë ndërtimit të një hoteli privat.

Romi Topi  këtë profesion e ka nisur me shumë si pasion dhe si mënyrë vetëpunësimi në Londër.  Është familjar, i qeshur, i edukuar dhe shumë i respektuar nga të gjithë vendasit dhe shqiptaret e zonës ku ai jeton. Stërmundimet e emigrimit në fillimet e jetës së tij në një vend të huaj  tashmë kanë mbetur thjesht momente të së shkuarës. Tani me plot gojën thotë se e dashuron profesionin që ka, madje ka raste që nuk merr dot frymë nga fluksi i madh i klientëve. Romi “duararti” njihet jo vetëm nga shqiptarët që banojnë atje, por më shumë nga vendasit. Përkushtimi për punën ka qenë dhe cilësia që i ka bërë diferencimin e tij nga të tjerët. Është një lustraxhi i rregullt i respektuar, paguan taksat dhe qiranë e bashkisë dhe mban familjen me të ardhurat që merr nga profesioni që ushtron në rrugët e një prej qendrave tregtare në metropolin e largët anglez. Në një intervistë për Citiziens Channel, Romi Topi tregon me detaje për jetën e tij, profesionin që ushtron me shumë dashuri prej afroj dy dekadash në Londër.

 Profesionin e lustraxhiut e keni të trashëguar apo e nisët thjesht si pasion të momentit?

Profesionin e lustraxhiut nuk e kam të trashëguar nga familja. Duke qenë merakli si tip dhe këmbëngulës për të bërë një punë timen të pastër dhe për familjen time, fillova ta praktikoj që në vitin 2001 kur erdha në Angli. I dëshpëruar se nuk gjeja punë të tjera mendja më shkoj të nisja lustrimin e këpucëve. Fillova ta ushtroj lustrimin më shumë nëpër zyra sepse në trotuare kisha problem me Policinë Bashkiake sepse nuk të lejon të ushtrosh aktivitet pa leje.

Po më pas si vepruat, ishit i sigurt për nismën që morët, apo e patë si provizore punën e lustraxhiut?

Duke parë që duke punuar në profesionin e lustraxhiut në fillim nëpër zyra jo vetëm që isha komod dhe i nderuar por arrija të mbuloja dhe shpenzimet e mia edhe të familjes time. Përkushtimi në punë më bëri që të shtoj forcat dhe të rris klientelën më shumë. Dhe jo vetëm kaq më bëri që të investoja dhe më shumë në bazën materiale që më duhej për të përdorur dhe për t’i bërë sa më të kënaqur klientët në shërbimin që merrnin nga duart e mia.

Si ishin hapat e mëtejshme, u licencuat apo punuat në të zezë?

Për një kohë relativisht të gjatë kam punuar duke ju ofruar shërbimin klientëve nëpër zyra, nuk mund të quhet punë e zezë  shërbimi në zyrë. Aktiviteti im filloj jo vetëm të shtohet por dhe të kërkohet me këmbëngulje sepse e shikonin cilësinë e punës time dhe s’kishin dëshirë të ndërronin dorë. Për këtë fillova dhe procedurat për të pasur një vend timin ku klientët të kenë mundësi të vijnë  në çdo hark kohor të mundshëm për të marrë shërbimin që ju duhej.

 Si ishin procedurat me Bashkinë e Londrës, kishit vështirësi për ambient?

Përveçse janë metropole, nuk ngjajnë në asnjë aspekt  me Tiranën. Nuk ka asnjë procedurë vështirësuese për të marrë lejen për të ushtruar aktivitetin me dokumentacione të rregullta. Mjaftoi dëshira ime për punë, kërkesa për të marrë ambientin me qera që mua me duk më i përshtatshëm dhe pa asnjë procedurë burokratike dhe pa “miqësira” unë e mora lejen e ushtrimit të aktivitetit. “Shoe shine service”,kështu njihet dhe aktiviteti im, tashmë e kam shumë të rregullt dhe të ligjshme. Klientët kanë ku me gjejnë dhe vijnë më shumë dashuri për të marrë shërbim nga ana ime. Ne Burlington Arcade kam që nga viti 2006 dhe është një qendër dyqanesh (boutique) private.

Për vendin që ju keni “zaptuar” në qendrën tregtare si procedoni me shtetin?

Burlington Arcade qendër tregtare, dyqanesh (boutique) aty kam kontratë dhe paguaj qera për vendin që unë shfrytëzoj në punën time. Qeraja vjetore është £10.000 dhe me klientelën e përhershme e nxjerr një rrogë të mirë që mundohem të bëj një jetë normale.

 A je i lumtur me profesionin që ke dhe me punën që bën?

Unë jam thjesht një person që më pëlqen puna dhe mundohem  të jem aktiv më njerëzit e ndryshe nga e gjithë bota. Deri tani jam i lumtur me punën që bëj dhe me profesionin tim që e kam dhe pasion mundohem të bëj jo vetëm punën por të bëj art me lustrën mbi këpucë.

Vendorët ja vështirësojnë punën “lustraxhinjve” të zanatit në Tiranë

Profesionin e lustraxhiut Refik Dapi e ka të trashëguar nga babai dhe nga gjyshi tij. Njihen si familje që janë mjeshtër për lustrimin e këpucëve. “Te Dapi”, kështu e kanë thirrur të gjithë si në kohën e komunizmit babain e tij,  edhe atë në këtë kohë. Lustrimin e ka pasion dhe e ushtron me shumë dashuri edhe pse tashmë ankohet se s’ka as kioskën e mëparshme, as punë dhe as klientët që kishte dikur. Nuk ka fatin të ushtroj profesionin nëpër zyra siç bënte vite më pare kur ishte i ri ku se bashku me babain e tij lustronin këpucët e “Policisë Rrugore në komisariat” . Nuk ka ditë që të mos konfliktohet me Policinë Bashkiake të Tiranës. Vendqëndrimi i tij tashmë njihet, është mes të Tiranës, për ironi të fatit përpara hotel “Plaza”, ku dikur ngrihej vendqëndrimi i tij.

Sa kohë ke që ushtron aktivitetin si lustraxhi në Tiranë?

Profesionin e lustraxhiut e kam te trashëguar nga babai im. Unë ndoqa rrugën e tij në profesion dhe po në këtë vend që më shikon kam plot 25 vjet që ushtroj aktivitetin tim. Deri tani kisha rrjetin tim të klientëve por tani nuk e kam më.

 Ku e keni ushtruar me pare aktivitetin Tuaj?

Kam plot 25 vjet që e ushtroj profesionin tim në mes të Tiranës në rrugën “George.W.Bush”, përpara  Hotel “Plaza”. Në anë të hotelit kam pas kioskën me leje të rregullt për të ushtruar aktivitetin si lustraxhi. Çdo fillim viti unë rinovoja leje në Bashki, dokumentet që mi kërkonin sepse me përpara unë isha i deklaruar se po shfrytëzoj tokën ku kisha kioskën dhe paguaja taksën për të. Me t’u ndërtuar hoteli mu prish kioska skam më mundësi të punoj si më parë. Skam kioskën dhe klientët më janë çorientuar.

A ke kërkuar tek bashkia leje për ushtrimin e aktivitetit tënd si lustraxhi?

Kam tre vjet që endem dyerve të Bashkisë së Tiranës. Kam mbi 8 herë që Policia Bashkiake më ka sekuestruar veglat e punës, poltronin dhe bojrat, e kam qëndruar me muaj pa punë dhe pa bukë për kalamajtë. Kam tre fëmijë, puna ime mban familjen. Gruan e kam të sëmurë dhe skam mundësi financiare dhe ekonomi tjetër përveç punës time. Unë jam njeri që e dua punën dhe profesionin që kam, profesioni i lustraxhiut respektohet kudo ndërsa në Shqipëri nënvlerësohet dhe diskriminohet kështu siç bëhet me mua.

Çfarë kë kërkuar nga Bashkia.?

Para një muaji kam dorëzuar letrat kërkesën për rinisjen e shqyrtimit për prishjen e kioskës që unë kam pasur. Kam kërkuar që të më jepet e drejta për shfrytëzimin e tokës në zonën ku unë kam disa dekada që jam stacionuar e të gjithë më njohin dhe kam institucionet shtetërore afër ku mund të bëj dhe ndonjë shërbim në zyrë. Është e disata herë që paraqes  kërkesën për hapjen dhe rishqyrtimin e dosjes time. I jam mirënjohës deri tani pronarëve të “Plaza” Hotel që më mbajnë ende këtu para këtij hotelit luksoz dhe mund të nxjerr 2 mijë lekë të vjetra për bukën e gojës.

Çfarë përgjigje ke marrë nga Bashkia?

Deri tani skam marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Bashkia. Kam dorëzuar letrat siç më kanë kërkuar për lejen e ushtrimit të profesionit tim në rrugë dhe ende skam marrë leje për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit që unë shes për qytetarët. Unë s’po bëj diçka të jashtëligjshme unë po kërkoj të me jepet e drejta për punë. Mjafton që të mos vijë më Policia Bashkiake dhe të mos kem më probleme me ta. Unë do të pres dhe dua të jem i rregullt me shtetin sepse profesionin që kam e ushtroj për të mbajtur familjen.

Të drejtat e shitësve ambulantë që shpesh mbeten në letër:

Shitësit ambulantë kanë të drejtë të shesin produktet dhe shërbimet e tyre në rrugët e çdo qyteti dhe t’ju njihet puna që ata bëjnë.

Përdorimi i hapësirës publike për modelin ambulant është i lejuar me ligj”, tha një nga përfaqësuesit e zyrës së Shtypit në Bashkinë e Tiranës, “në Rregulloren e Qytetit lejohet që të kemi ata që njihen si shitës ambulantë. Çdo i interesuar shkon aplikon tek zyra e Tatim-Taksave dhe thotë do shes gështenja tek Ura e Lanës dhe do të përdor një metër e gjysmë dhe do të paguaj taksën”, vijoi më tej ai.  

Jo vetëm kaq por ambulantët kanë të drejtë dhe duhet të regjistrohen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, pa pasur një vendim gjykate. Drejtoria e Tatimeve ka publikuar udhëzimin sipas të cilit administrata tatimore në certifikatën e NIPT-it që i lëshon ambulantit është e detyruar që përpara emrit të tatimpaguesit të vendosë fjalën “Ambulant”.


Si mund të regjistrohet një shitës ambulant?

Dokumentet që i duhet një shitësi ambulant për t’u  regjistruar janë:
– kërkesë me shkrim,
– fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës të personit të vetëpunësuar,
– formularin e regjistrimit të plotësuar
Lejen nga bashkia që i vetëpunësuari lejohet të tregtojë në vende publike të përcaktuara paraprakisht nga Bashkia dhe që ushtron aktivitetin në njësi tregtimi të vetme dhe të lëvizshme.


Sa duhet të paguajë një shitës ambulant për Sigurimet Shoqërore dhe shëndetësore?

Shitësi ambulant, pasi regjistrohet, ka detyrimin për të paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Sipas legjislacionit në fuqi personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 4 246 lekë, nga të cilat, 2750 lekë për sigurime shoqërore dhe 1496 lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.

*Citizens Channel /Agime Kastrati/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *