Prej tre ditësh banorët e Bulqizës janë prekur nga shenja të një helmimi masiv. Fillimisht rreth 20 persona u paraqitën në spital me simptoma të njëjta, që përfshinin dhimbje barku dhe të vjella.  Numri u rrit ndjeshëm gjatë ditëve në vazhdim duke arritur në rreht 90 banorë të lagjeve “Qyteti i Ri” dhe “Qyteti i Vjetër” çka la dyshime që të paraqiturit në spital mund të ishin helmuar nga uji i pijshëm.

Flamur Meta, drejtori i Shëndetit Publik në Bulqizë fillimisht mohoi se shkaku mund të ishte uji i pijshëm në qytet. Ditën e djeshme Meta deklaroi se po priten verifikimet: “Jemi në pritje të analizave. Ndërkohe bën thirrje që  banoret mos e konsumojnë ujin deri në pritje të përgjigjes së analizave.”

Pas 3 ditësh heshtje, Instituti i Shëndetit Publik reagoi duke deklaruar se “Ne për momentin kemi udhëzuar që uji të mos konsumohet dhe realisht që nga ky moment numri i rasteve është ulur shumë. Lagjja që është prekur konsumon kryesisht ujin e rrjetit dhe ky fakt na bën të mendojmë se ky mund të jetë shkaktar i helmimit. Epidemia mund të jetë shkaktuar nga uji. Të gjitha rastet e helmimeve kanë qenë të lehta  Kemi udhëzuar të mos pihet ujë këto ditë ”

Aktualisht nuk ka një përgjigje apo qëndrim zyrtar në lidhje me evidentimin e shkaqeve të sakta  të këtij helmimi masiv në qytetin e Bulqizës. Ndërkohë që banorët e prekur gjatë këtyre ditëve kanë deklaruar për mediat se shumë linja të ujësjellësit janë të amortizuara.

Një vit më parë Citizens Channel kreu një vëzhgim në Ujësjellësin e qytetit të Bulqizës ku evidentoi probleme të shumta në depozitimin dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm.

Vepra e marrjes se ujit, ku furnizohet nje pjese e Bulqizes. Foto: Sami Curri

Depozita në lagjen “Çupe”, nga ku furnizohet një pjesë e qytetit është e rrethuar nga banesat dhe tokat bujqësore. Situatë që bie në kundërshtim me kriteret e ligjin për zonat e mborjtjes higjeno sanitare, ku përcaktohet se ndërtimet apo veprimtaritë që mund të ndikojnë në ujin e pijshëm janë të ndaluara.

Histori e përsëritur

Banorët e “Lagjes së Re” në Bulqizë treguan se në vitin 2015,  uji vinte i ndotur, me erë të rëndë , nuk mund të përdorej për t’u pirë dhe as për larje, pasi nëse përdorej i ngrohtë lëshonte një erë tejet të rëndë.

Citizens Channel mësoi nga Spitali i Bulqizës se në muaji shkurt të vitit 2017, ka pasur një valë shtrimesh me persona që shfaqnin simptoma të njëjta.

Një tjetër rast i helmimit masiv ku u ngrit pista e helmimit nga uji erdhi në muajin gusht të vitit 2017, ku 55 dasmorë përfunduan në Spital me simptoma të helmimit në fshatin Ostreni i Madh.

Lexo më shumë:
Rrjeti i amortizuar i ujit të pijshëm rrezik për shëndetin e banorëve të Bulqizës

Janë vetë autoritetet ato që pranojnë se rrjeti është i amortizuar dhe ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Veç rrezikut për shëndetin e banorëve, rrjeti i amortizuar rrit humbjet duke sjellë kështu uljen e të ardhurave dhe mundësisë për investime.

Kanalizime në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Sot, banorët e Bulqizës gjenden përballë të njëjtës situate. Rreth 90 persona të helmuar me dyshimet kryesore drejtohen sërish, drejt ujit të pijshëm në qytet.