Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Firmat fallco” për HEC-et Valbonës: Çeshtja i kalon Gjykatës së Lartë

Në 24 prill 2019 Gjykata e Tropojës thirri në një seancë dëgjimi 30 banorë të Tropojës dhe shoqatën TOKA. Përfaqësuesit e TOKA-s dhe banorët pretendojnë se kjo thirrje ishte pa asnjë shpjegim me shkrim sa i përket arsyes së seancës. Sipas tyre vetëm pasi janë paraqitur në seancë kanë kuptuar se bëhej fjalë për çështjen e “firmave të falsifikuara”. Duke qenë se nuk ishin të pranishëm të gjithë banorët që kishin nënshkruar kallëzimet penale, ata kërkuan që seanca të përsëritej.

Në 7 maj u zhvillua seanca dëgjimore me 30 banorë të pranishëm dhe shoqatën TOKA në lidhje me dokumentin me firma të falsifikuara për ndërtimin e hidrocentraleve nga Dragobia Energy dhe Gener 2 në Parkun Kombëtar të Valbonës. Gjykata vendosi se nuk është e gatshme për të marrë përgjegjësinë për të vendosur mbi përdorimin e dokumentit të falsifikuar nga kompania Gener 2 dhe Dragobia Energy, për të marrë leje mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve. Ashtu sikundër gjykata e Tropojës, edhe gjykatat e Tiranës kanë vendosur se nuk kanë kompetenca për të marrë këtë vendim.

Si qëndron çështja e “firmave fallco”?

“Jo, jo! Thotë gjykata e Tropojës “Ti e merr atë në Tiranë!”

“Jo, jo, jo!” Thotë Tirana, “Është Tropoja juaj!”

“Jo, jo, jo!” thotë Tropoja, “Ti e ke atë në Tiranë”

Kështu shprehet shoqata TOKA me anë të një statusi në facebook duke mbajtur qëndrimin se gjykata shqiptare po bëhet e hidhur.

Çështja e listës së emrave të falsifikuar ka nisur që në vitin 2016, kur kompania ndërtuese e hidrocentraleve paraqiti si dëshmi për të justifikuar ndërtimin e hidrocentraleve një listë me emra të banorëve të cilët ishin pro ndërtimit. Sot e katër vite më parë banorët denoncojnë falsifikimin e procesverbaleve të konsultimit me publikun. Sipas këtij procesverbali banorët ishin dakord për ndërtimin e HEC-eve, por ata e kundërshtojnë këtë pohim. Në listën e personave që kishin firmosur u vu re se kishte edhe individë të cilët kishin vdekur më herët se sa mbajtja e procesverbalit, ashtu sikundër kishte të tjerë që e mohonin se kishin qenë të pranishëm për të firmosur.

Më herët për BIRN banori Adhurim Ismailaj ka deklaruar se në dokument del se ka firmosur gjyshi i tij i vdekur tre vjet para se të përpilohej procesverbali. “Shihet dukshëm se gjithçka është false, personat që kanë emrin e firmën aty janë gati të dëshmojnë se nuk kanë firmosur”, tha Ismailaj.

Banorët dhe shoqata TOKA vendosën ta dërgojnë këtë çështje në gjykatë. Padia u krye në Gjykatën e Tropojës, e më pas në Gjykatën e Apelit në Shkodër, por të dyja këto Gjykata nuk morën përsipër që të jepnin një vendim për çështjen. Gjykata e Tropojës e ka dërguar çështjen në gjykatën e Tiranës, por edhe Gjykata e Tiranës nuk e ka marrë përsipër.

Në mars të vitit 2018, shoqata Toka dhe 30 banorë kanë ngritur padi penale kundër kryeplakut Adem Metaliaj dhe administratorit “DE”, Artila Ulaj, pasi kanë konfirmuar se “nënshkrimet “ e të vdekurve ishin të vlefshme dhe këta njerëz kishin marrë pjesë në konsultimet publike. Sipas gjykatës së Tiranës shprehur në dhjetor 2018, rekomandohet që çështja të pushohet. Sipas saj “fakti se të vdekurit kishin nënshkruar dokumentin nuk do të thotë se mbledhja nuk ka ndodhur. “

Tanimë i mbetet gjykatës së Lartë të vendosë se kujt i takojë kompetencat për marrjen e një vendimi për këtë çështje. Gjithë kjo procedurë bëhet vetëm për të përcaktuar se cila nga gjykatat duhet të marrë vendimin, por jo se cili do të jetë vendimi i marrë, gjë e cila pritet të kalojë sërish përmes një tjetër kalvari gjyqesh.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *