Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“ARTIVIZEM”: Të bërit aktivizëm përmes artit

“ARTIVIZËM,” u quajt ekspozita e cila mblodhi bashkë artistë e aktivistë, të cilët nëpërmjet artit të tyre trajtuan çeshtje të cilat kishin në qendër qytetin e Tiranës dhe premtimet që janë bërë për të rregulluar nivelin dhe cilësinë e jetës, por që nuk janë mbajtur. Gjashtë artistët e artit bashkëkohor përgjatë 8 muajve u përfshinë në këtë projekt të financuar nga Lëviz Albania dhe organizuar nga ArtKontakt për të realizuar punimet e tyre, së fundmi të shfaqura në ekspozitën e realizuar në ambjentet e Tirana Expres.

Artistët nëpërmjet projeksioneve, fotografive dhe instalacioneve shfaqën disa mesazhe kryesore për qytetarët e Tiranës duke bashkuar artin dhe aktivizmin në një disiplinë të vetme.

Drejtuesi i projektit Andi Tepelena u shpreh për Citizens Channel se : “Qëllimi i ARTIVIZËM është të komunikojë me anë të çdo formë të mundshme të shprehjes artistike si video, street art, instalacione, performanca, disa qëndrime kritike që kanë artistët bashkohorë shqiptarë për perceptimin e pjesëtarëve të komuniteteve mbi ambjentet ku jetojnë, me qëllim që ti kthejnë ata në aktorë të ushtrimit të presionit qytetar ndaj autoriteteve lokale. ARTIVIZËM synon ta përdor artin si mjet të mirëfilltë protestë politike, pa bërë politikë, për të sjell një ndryshim rrënjësor social-kulturor që shkon në kah të dëshirave dhe pritshmërive të komunitetit”.

Veprat që u prezantuan ditën e djeshme ishin:

  • “Broken Promises” / Premtime të thyera

Vepra e artistit Ajet Rira solli veprën “Broken Promises” duke e vënë theksin tek ndërtimi i së resë dhe jo tek lufta me të vjetrën. Vepra paraqiste disa fotografi ku shfaqeshin xhama të thyer duke hequr paralelen me premtimet e pambajtura ose të thyera.

  • “UTOPIA, Sot fillon me një fije bari”

Ishte vepra e Sokol Pecit e cila kishte në fokus shtimin e gjelbërimit nëpër hapësirat urbane dhe pasojat e tyre, sjellja e qetësisë dhe e paqes. Sipas autorit nevoja për praninë shëruese të Nënës Natyrë po bëhet gjithmonë e më urgjente në një qytet të mbytur nga ndërtimet sic është Tirana. Një investim në këtë drejtim mund të kryhet nga kushdo, duke mbjellur kudo që është e mundur, qoftë edhe vetëm një fije bari.

  • “Të ngecur në kohë”

Ishte vepra e dy arkitekteve të reja Ani Muraku dhe Jorgjia Kallo (XHI-KA) e cila kishte në fokusin e saj trashëgiminë kulturore në qytetin e Tiranës. Sipas autoreve transformimet dhe ndryshimet e Tiranës me gjithë rrjedhën e shpejtë të jetës urbane, nuk duhet kurrsesi të prishin atë që koha dhe historia tregon për lindjen dhe zhvillimin e një qyteti. Një qytet pa kujtime nuk e do askush.

  • “Rolling Bills”

Artisti dhe kuratori Romeo Kodra solli veprën “Rolling Bills”.

“Problematizimi i një premtimi të pambajtur zgjedhor nëpërmjet artit të performancës ishte shumë i vështirë, për shkak të numrit të pafundmë të premtimeve të pambajtura. Prandaj, na u duk më e thjeshtë të problematizonim “premtimet e mbajtura” të politikanëve të zgjedhur me votë, të cilat numërohen me gishtat e dorës”, shprehet artisti kur përshkruan veprën e tij.

  • “ANTIPROPAGANDA”

Ishte vepra e artistit Ergin Zaloshnja e cila vinte në formën e 3 posterave të cilët tregojnë premtimin e pambajtur të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ujin e pijshëm në Njësinë numër 2 dhe në të gjithë qytetin. Posteri i parë paraqet një dorë dhe një pistoletë që drejtohet drejt qytetarëve nga ku del një pikë uji gjë që metaforikisht tregon se uji mund të vrasë po aq sa plumbi. Posteri i dytë përfaqëson 2 duar që shtrëngojnë njëra – tjetrën dhe ku shkruhet: Publik dhe Privat që tregon se ky partneritet e ka rritur me 40% faturën e ujit të papijshëm për qytetarët e Tiranës. Ndërsa posteri i tretë tregon disa rrubineta nga ku dalin pika uji vdekjeprurëse.

  • “Q (ë) ndra Rinore

Vepra e artistes Alketa Ramaj erdhi nëpërmjet një instalacioni i cili synon të tregojë mungesën një pike ku të rinjtë mund të mblidhen.

*Citizens Channel /f.s/e.k/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *