4411 raste të dhunës në familje të evidentuara nga Policia e Shtetit kishte në Shqipëri gjatë vitit 2018, nga to 3690 ishin gra dhe vajza duke përbërë 73.4% të numrit total.

Shkodra, një qytet me 114.219 banorë ka lëshuar gjithsej 193 urdhra mbrojtjeje të ndarë në: urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe vetëm në vitin 2018 në këtë qytet janë regjistruar 228 raste të divorceve si dhe 37 persona si dhunues në familje.

Citizens Channel shkoi në qytetin e Shkodrës dhe u takua me një nga gratë e dhunuara që jeton atje. Ajo ishte një nga viktimat e dhunës në familje, e dhunuar që nga java e parë e martesës nga ish-bashkëshorti i saj dhe në tentativë për t’u ri integruar në shoqëri dhe për të jetuar  një jetë normale pavarësisht viteve të vështira dhe të gjata të jetuara në dhunë dhe në kushte sociale shumë të vështira.

Ajo tregon për Citizens Channel se procesi i ri integrimit në shoqëri për të nuk është i lehtë.

” U largova, nuk isha më ajo si e dosha. Edhe tash….më ka marrë këtu te shoqata . Edhe kshu që vazhdoj të jetoj, domethënë jam me 2 fëmijë , shtëpi me qera, s’kam asnjë për me i kërkujna, vetëm ça më ndihmon familja jem . Po ça me prit dhe prej familjes se motra edhe baba e nana skanë ça ndihmojnë edhe vëllai se ata kanë nevojë me i ndihmu unë jo me më ndihmu mu . Edhe kështu që punoj nga pak.. Kështu e ka jeta..”, thotë ajo.

E dënuar të jetojë në një rreth dhune për vite, ajo tregon për Citizens Channel se kishte qenë pikërisht ajo që gjithmonë ka jetuar me shpresën se një ditë diçka do të ndryshonte.

“Domethënë, më ka… sa hejna që..ta shikosh njënin sy e kam me shenj..më ka ra me dorë dhe ma ka ça këtu synin..më ka ra në hundë..më ka ra ma ka thy dhëmbin. Domethënë shumë shumë gjëna. Më ka fut thonjtë në fyt deri sa kam ra përtok”.

“Më ka thënë” do të mbys krejt do të hedhi në det se ti ske të drejtë të më thush mu mos pi hashash se unë e kam pi që i vogël dhe kur sma ka nal familja jeme kush je ti që ma nal mu”, tregon ajo duke shpjeguar që episodet e dhunës ishin aq të shpeshta saqë ishin bërë “normale” për të.

Ajo tregon se kishte jetuar për rreth 10 vjet nën presionin e një personi të dhunshëm dhe që konsumonte drogë dhe arsyet pse komunikimet dhe debatet e tyre përfundonin në dhunë ishin nga më të ndryshmet por kryesisht për shkaqe xhelozie.

Pas 10 viteve dhunë psikologjike dhe shpirtërore ajo u shkëput nga dhunuesi i saj dhe jeton në një qytet të Shqipërisë, ku me ndihmën e një shoqate të specializuar, ajo po përpiqet që të rindërtojë jetën e saj nga fillimi dhe pse nuk duket të jetë e lehtë.

 

*Citizens Channel – Citizens Stories

*Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit