Këshilli i Ministrave ka vendosur të anulojë vendimin për të kaluar ndërtesën ku ndodhet Fakulteti i Gjeologji Minierave në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Ishte viti 2014, kur u vendos që kjo godinë të kalonte në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë. Ky vendim u shoqërua me kundërshtime të forta nga stafi i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave si dhe nga vetë studentët.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet se shfuqizohet vendimi i datës 5.11.2014 “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë.

V E N D I M

PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.744, DATË 5.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS,TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

1.Shfuqizimin e vendimit nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”, të ndryshuar me vendimin nr.732, datë 8.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”.

2.Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Si qëndron historia e Fakultetit të Gjeologji-Minierave?

Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave është një godinë 60 vjecare e cila ka një akitekturë të vecantë, e pozicionuar në qendër të Parkut të Tiranës. Është shkolla e parë e lartë në Shqipëri për përgatitjen e specialisteve për të gjitha degët e shkencave të industrisë minerare.

Në mbledhjen e 5 nëntorit 2014, Qeveria shqiptare vendosi që godinën e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, duke përfshirë të gjitha hapësirat e saj t’a kalojë në administrimin e Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim ndërtimin e një pallati të ri të drejtësisë. Vendimi u kundërshtua nga pedagogët dhe studentët, pasi sipas tyre ata nuk janë vënë në dijeni më herët për këtë vendim dhe janë informuar vetëm nga media.

Studentët u organizuan në protesta pranë ambjenteve te Fakultetit dhe bojkotuan mësimin për disa ditë. Protesta e studentëve mori mbështetjen e pedagogëve të cilët së bashku u drejtuan për të protestuar edhe para ambjenteve të Kryeministrisë.

Ishtë pikërisht Kryeministri Rama, i cili pasi pa studentët e grumbulluar para zyrës së tij, zbriti për t’i takuar, dhe ju premtoi atyre se nuk do të largohen nga godina e Fakultetit, por vetëm disa ambjente të Fakultetit do t’i viheshin në dispozicion Gjykatës së Lartë. Pas këtij takimi, studentët ju rikthyen sërish mësimit.

Në protestat studentore të dhjetorit të vitit 2018, studentët e gjeologji-minierave,ngritën sërish çeshtjen e godinës së Fakultetit të tyre. Vendimi i vitit 2014 vazhdonte të qëndronte në fuqi, pa asnjë ndryshim.

Në vendimin e Asamblesë së Personelit Akademik të fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave të mbajtur më datë 21.01.2019, në kuadër të protestave që përfshinë insitucionet e larta arsimore, kjo asamble i kërkoi Qeverisë të shfuqizonte VKM-në e vitit 2014, pasi sipas tyre kjo VKM përbënte precedent të rrezikshëm për të tjetërsuar të gjitha godinat e Universiteteve Publike si dhe është një pengesë për të realizuar të gjitha investimet e nevojshme për zhvillimin funksional të aktivitetit mësimor e kërkimor-shkencor në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave.

Vendimi i Asamblesë së Personelit Akademik të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave

 

Sot, kjo godinë, me shfuqizimin e vkm-së së vitit 2014 i kalon sërish Fakultetit të Gjeologjise dhe Minierave për të ushtruar procesin mësimor.

*Citizens Channel | Erisa Kryeziu