Në 24 maj Skënder Gjinushi u zgjodh si kryetar i Akademisë së Shkencave me 35 vota pro dhe 5 kundër. Ai ishte kandidati i vetëm për këtë post drejtues. Nga 44 akademikë me të drejtë vote, 32 prej tyre kanë marrë pjesë fizikisht në votime, ndërsa 11 të tjerë kanë votuar me postë. Akademiku i vetë që nuk votoi ishte Prof. Artan Fuga, i cili ka reaguar ashpër vazhdimisht edhe në rrjetet sociale se nuk e njihte kryetarin e dalë nga këto zgjedhje dhe ka kërkuar që fillimisht kjo Akademi duhet të hetohet.

Zgjedhja e Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave solli debate në opinionin publik dhe politik për shkak të pozicionit të tij politik të mëparshëm dhe mos pasjes së një periudhe aktive në kërkimin shkencor. Ai ka qenë kryetar i Partisë Social Demokrate që nga viti 1991 dhe e ka mbajtur këtë post deri para zgjedhjeve për kryesimin e Akademisë së Shkencave. Për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 30 qershor 2019, Gjinushi ka nënshkruar me kryeministrin Rama marrëveshje për të qenë në koalicion.

Sipas akademikut Artan Fuga kandidati për kryetar i Akademisë së Shkencave është politikan prej mëse tre dekadash dhe ky status e ndalon ligjërisht të jetë anëtar i akademisë së pari dhe jo më të kandidojë për të qenë kryetar.

Shkeljet në proçesin e votimit-Votuan edhe anëtarët me mandat të përfunduar

Sipas Akademikut Fuga,në votim kanë marrë pjesë edhe individë në moshën 80-90 vjec, të cilët janë pa të drejtë vote dhe që e kanë mbaruar mandatin si anëtar të rregullt të Akademisë së Shkencave.

Nëse do t’i referohemi nenit 11, pika 1 të ligjit “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, të vitit 2006, thuhet se kryetari i Akademisë së Shkencave zgjidhet nga rradhët e akademikëve.

“1. Kryetari i Akademisë përzgjidhet drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga asambleja, nga radhët e akademikëve. Kryetari i zgjedhur nga asambleja emërohet nga Presidenti i Republikës.”

Po ashtu në nenin 6 të ligjit për Akademinë e Shkencave, thuhet qartë se anëtarët e Akademisë nuk duhet të kenë funksione të larta administrative apo politike.

” Personat, që kanë funksione të larta administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për t’u zgjedhur anëtarë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve.”

Kryetari i ri nuk nis me këmbën e mbarë

Zgjedhja e Gjinushit si kryetar i Akademisë u pasua edhe nga polemika të tjera që lidhen kryesisht me daljen e tij të parë publike në cilësinë e kryetarit para mediave. Ai u përfshi në një incident verbal me një nga gazetaret e pranishme e cila iu drejtua me pyetjen: “Kur ju lindi ideja për të kandiduar si kryetar i Akademisë së Shkencave, ndërkohë që ishit kryetar i komisionit që drejtonit reformën në këtë Akademi apo pas saj?” Gjinushi nuk ka pranuar të përgjigjej drejtpërdrejt ndaj pyetjes duke kaluar deri në fyerje.

Biseda e Skënder Gjinushit me gazetaren:

Gazetarja: Kur e morët vendimin për të kandiduar si kryetar i Akademisë së Shkencave, para reformës apo pas reformës?

Gjinushi: Bashkë me lindjen tënde.

Gazetarja: Me lindjen time s’ka mundësi, atëherë keni qenë kryetar partie.

Gjinushi: Epo mirë dakord.

Gazetarja: Kur e morët vendimin për të kandiduar si kryetar i Akademisë së Shkencave, para reformës apo pas reformës?

Gjinushi: Je shumë e eksituar…shko mjekohu.

Gazetarja: Kujdes me gjuhën zotëri…i paedukatë. Shko mjekohu ti se je dhe kryetar i Akademisë së Shkencave.

Gjinushi: Mos bëj pyetje që s’kanë përgjigje.

Gazetarët: Si nuk kanë përgjigje

Për këtë situatë kanë reaguar edhe organizatat per mbrojtjen e grave, të cilat kanë ndërmarrë një peticion, ku i kërkojnë kreut të Akademisë të kërkojë falje publike për gjuhën denigruese, seksiste ndaj gazetarëve.

Sipas Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri qëndrime të tilla jo vetëm që janë hapa pas për një vend dhe një shoqëri demokratike, por janë qëndrime diskriminuese dhe në kundërshtim të plotë me Konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin kundër diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore.

Në peticionin online kanë firmosur deri më tani 2167 individë.

Pas reagimit të organizatave të mbrojtjes së grave, gjatë një interviste në televizionin Report TV, Gjinushi ka kërkuar falje duke thënë se fjala nuk është thënë me atë kuptim që është marrë.

Më vjen keq që ndodhi. Nuk e njoh gazetaren, nuk e kam fare parasysh. Revolta ime ka të bëjë me reaksionin e gazetares, nuk e kuptova pse pyetjet bëheshin me inat dhe në formë provokative dhe për një gjë personale. Kur të ka lind ambicia? Isha i provokuar, por folja që përdora nuk është në atë kuptim që është marrë. Meqenëse se perceptimi nuk gjykohet, ajo është shumë e gabuar në atë kuptim dhe nuk do ta përdorja kurrë.

Reagimi im është zonjë po e tepron, shko kontrollohu. Deri këtu isha legjitim, pastaj termi që përdora është transmetuar ndryshe. Të gjithë ata që e kanë gjykuar ashtu kanë të drejtë ta gjykojnë. Është thënë me inat, por jo në atë kuptim. Kushdo që e ka kuptuar ashtu i kërkoj falje. Kërkoj ndjesë për ata që fjalën e kanë marrë ashtu, por fjalët kanë kontekst.

Nëse do ta thoja ashtu do të kërkoja 70 herë falje dhe do të ishte skandaloze. Unë kam 27 vite në politikë dhe jemi provokuar në format më të ndryshme. Në situata të vështira politike, i kuptoj gazetarët që provokojnë. Aq më tepër tani në cilësinë. Kushdo që e ka perceptuar ndryshe dhe nëse zonja e ka kuptuar që e kam thënë në atë kontekst ajo është e papranueshme”-deklaroi Gjinushi.

Projektligji për Akademinë e Shkencave

Një nga debatet kryesore mbi të cilën mbështetet argumenti se zgjedhja e Gjinushit ishte jo ligjore mbështetej në faktin se Akademia e Shkencave është në proces reformimi dhe si e tillë nuk mund të zhvillonte zgjedhje për drejtues. Në zgjedhjet për kryetar Akademie ështa zbatuar ligji i vjetër në fuqi, ai i vitit 2006. Ndërkohë në Kuvend është dorëzuar projektligji për “Reformën në Akademinë e Shkencave”.

Rreth 15 deputetë të Partisë Socialiste mes tyre Eglantina Gjermeni, Anastas Anxhel, Mimi Kodheli, Vilma Bello, Fate Velaj, Senida Mesi, Blerina Gjylameti,Elona Gjebrea, Besnik Baraj etj kanë dërguar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Në relacionin shpjegues të këtij projektligji thuhet se ky projektligj ka si objektiva ndërtimin dhe funksionimin e Akademisë së Shkencave në përshtatje me nevojat e zhvillimit të vendit si dhe rritjen e cilësisë, dobisë shoqërore e praktike dhe integriteti të kërkimit shkencor.

Ky projektligj është konsideruar nga ministrja e arsimit Besa Shahini si një mënyrë për të modernizuar Akademinë.

Nga ana tjetër akademikët mendojnë se Ministria nuk ka pranuar t’i dëgjoni zërat kundër saj dhe ka refuzuar të takojë akademikët që kanë dashur të paraqesin shqetësimet e mëdha për censurën e vendosur në akademi për zërin alternativ

 

*Citizens Channel /E.K/

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu