Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

7 Organizata Ndërkombëtare të Lirisë së Medias mbërrijnë në Tiranë për të diskutuar për lirinë dhe sfidat e gazetarëve

Nga 18-21 qershor, një koalicion prej shtatë organizatash ndërkombëtare të lirisë së shtypit do të kryejnë një mision të përbashkët advokimi në Shqipëri, duke u fokusuar në përmirësimin e situatës së lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve.

Koalicioni prej shtatë organizatash do të takohet me gazetarë, redaktorë, pronarë mediash, përfaqësues të shoqërisë civile, anëtarë të bashkësisë diplomatike dhe zyrtarë të lartë shqiptarë, duke përfshirë edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.

IFEX, rrjeti global i organizatave që mbrojnë dhe promovojnë të drejtën për lirinë e shprehjes dhe të informacionit ka bërë publike organizatat të cilat do ti bashkohen këtij misioni në Tiranë.

Article 19: Organizatë e cila ka si mision të punojë për një botë ku të gjithë njerëzit kudo mund të shprehin lirisht veten dhe të angazhohen aktivisht në jetën publike pa frikë nga diskriminimi.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ): Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është një organizatë e pavarur, jofitimprurëse e cila promovon lirinë e shtypit në mbarë botën. Synon të mbrojë të drejtën e gazetarëve për të raportuar lajmin pa frikë nga ndëshkimi.

Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias (ECPMF): Organizata është një shoqëri e pavarur jo-fitimprurëse e Bashkëpunimit Evropian (SCE). Synon të arrijë qëllimet e saj duke bashkuar dhe forcuar komunitetin e lirisë së medias në Evropë.

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ): Është organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë, që përfaqëson mbi 320,000 gazetarë në 72 organizata të gazetarëve në 45 vende. EFJ lufton për të drejtat sociale dhe profesionale të gazetarëve që punojnë në të gjithë sektorët e medias nëpër Evropë nëpërmjet sindikatave të fuqishme dhe shoqatave.

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI): Është një rrjet global i redaktorëve, drejtuesve të medias dhe gazetarëve kryesorë. Misioni i tyre është të mbrojnë lirinë e medias dhe qarkullimin e lirë të lajmeve kudo që ata kërcënohen.

Organizata e Mediave të Evropës Lindore (SEEMO): Një nga aktivitetet kryesore të SEEMO është mbrojtja e lirisë së shtypit duke ndihmuar gazetarët dhe mediat në Evropën Juglindore.

Reporterët pa Kufij (RSF): Themeluar nga katër gazetarë në qytetin jugor francez Montpellier në vitin 1985, RSF është tani një nga organizatat kryesore në botë në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së informimit.

Organizatat pjesëmarrëse do ta mbyllin misionin e tyre më datë 21 me një konferencë shtypi në orën 09:30 në Hotel Rogner në Tiranë. Gjithashtu përfaqësuesit e të gjitha organizatave pjesëmarrëse, gjatë misionit do të jenë në dispozicion për komente dhe intervista.

Disa prej këtyre organizatave kanë raportuar për ngjarjet e fundit të ndodhura në Shqipëri sa i përket protestave të opozitës kundër qeverisë, në të cilat janë plagosur edhe gazetarë shqiptarë.

Reporterët pa kufij (RSF Evropë) ka raportuar se : “Dy gazetarë janë plagosur rëndë në Tiranë, ku mijëra demonstrues, në mes të tensionit të madh, po i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe për zgjedhje të parakohshme”.

Raportime për situatën e gazetarëve gjatë protestave antiqeveritare ka kryer edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

Ardhja e organizatave ndërkombëtare të lirisë së shtypit në Shqipëri është në një kohë kur liria e medias në vend ka zbritur me 7 vende në renditjen e bërë në Indeksin e Lirisë së Shtypit në botë për vitin 2019 nga organizata Reporterët pa Kufij. Sipas raportit të publikuar për Shqipërinë theksohen kërcënimet e qeverisë dhe krimit ndaj gazetarëve si dhe kontrolli shtetëror mbi median:

“Sulmet ndaj mediave nga qeveria dhe krimi i organizuar arritën një nivel të paprecedent në vitin 2018. Gazetarët u përballën me ofendime, kërcënime me vdekje dhe procedura ligjore të hartuara për të trembur dhe penguar ata në hetimin e korrupsionit. Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i kanë quajtur “plehra” (kazan) dhe si prodhues të lajmeve të rreme. Kryeministri ka propozuar një ligj për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediat elektronike dhe, sipas kritikëve, kufizon qasjen në lajme dhe informacione.”

Në të njëjtën kohë, në Hotel Tirana International është duke u mbajtur konferenca për lirinë e medias e titulluar:”Sfidat e reja për lirinë e medias në Evropën Juglindore”, organizuar nga Konrad Adenauer Stiftung dhe Instituti Shqiptar i Medias. Kjo konferencë mbledh së bashku gazetarë dhe ekspertë të mediave nga Ballkani për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale në lirinë e medias.

*Citizens Channel /E.K/

 

 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *