Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ndërtimi i HEC-eve në Valbonë, banorët e Tropojës nën kërcënime të vazhdueshme

“Kostoja Njerëzore e Hidrocentraleve: Komunitetet nën Presion në Luginën e Valbonës” ishte eventi që u mbajt dje nga World Wildlife Fund Adria. Aktiviteti kishte si qëllim paraqitjen e studimit të parë në Shqipëri që evidenton me fakte kërcënimet që kanë marrë banorët e Tropojës edhe aktivistët që kanë kundërshtuar hapur ndërtimet në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës. Raporti kërkon gjithashtu të hedhë dritë mbi ndikimin e deritanishëm të punimeve në jetesën e komunitetit. Pjesë e diskutimeve ishin banorë lokalë të zonës dhe përfaqësues organizatash të njohura ndërkombëtare dhe shqiptare, si TOKA dhe Civil Rights Defenders.

Studimi Komuniteti nën Presion u prezantua drejtpërdrejtë më video nga ABA Center for Human Rights në SHBA dhe përfaqësues të World Wildlife Fund.

Janë vetë banorët ata që pranojnë se presionet ndaj protestuesve kanë qenë të të gjitha formave, me qëllim intimidimin dhe shuarjen e protestës. Të intervistuarit raportojnë se janë arrestuar apo kërcënuar se do të arrestoheshin, ndërkohë që e drejta e zhvillimit të tubimeve paqësore është e drejtë themelore e një shoqërie demokratike. Janë përdorur në formë të tepruar proceset formale, si: inspektime, akuza penale apo padi. Gjithashtu, ata janë hequr nga puna apo kërcënuar se do të hiqeshin nga puna nëse vazhdonin të ishin pjesë e protestave kundër ndërtimeve të HEC-eve në Valbonë.

“Kanë qënë presione të vazhdueshme, për të gjithë. Po përmend atë presionin e parë që ka ardh tek unë personalisht kur një kompani që ndërton një HEC-in e tretë në Valbonë, Toplana SHPK, ka telefonuar vëllain tim sepse nuk kishte gjet kontaktin tim. Ai në atë kohë ka qenë punëtori i një filiali të asaj kompanie, përveçse e ka larguar nga puna, i ka thënë: ‘Thuaji atij vëllai tënd se po nuk e mbylli gojën do ia mbyll unë’ -thotë për Citizens Channel Gentjan Hajdarmataj, një qytetar i Tropojës i cili ka qënë vazhdimisht aktiv në nismat e marra kundra HEC-eve në Valbonë.

“Mbaj mend kur unë isha student në Tiranë në atë kohë, nëna ime më thoshte vazhdimisht: “Të lutem mos dil në errësirë (protestë) po rri në shtëpi”, tregon më tej ai.

Catherine Bohne, drejtuese e organizatës TOKA shprehet shumë entuziaste rreth ekzistencës së një studimi të kësaj natyre dhe rëndësisë që ai mbart.

Ajo tregon se shantazhet ndaj komunitetit kanë qenë të vazhdueshme dhe në forma të ndryshme dhe tani ndjehet e lumtur që janë të faktuara: “Është shumë e rëndësishme për ne sepse mund ta përdorim këtë raport dhe t’ua dorëzojmë çdo anëtari të parlamentit, çdo njeriu në qeveri. Kjo po ndodh në Shqipëri dhe tani është e dokumentuar. Ky është hapi i parë për t’u thënë mjaft më, ju nuk mund të luani me ne në këtë mënyrë!”, shprehet Catherine Bohne për Citizens Channel.

Çfarë ka ndodhur në Valbonë?    

Ishte prilli i vitit 2017 i cili shënoi nisjen e punimeve për ndërtimin e një prej dy hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Valbonës. Ky projekt planifikon të fusë në tunel 3 kilometra të lumit Valbonë, në një prej pjesëve më të bukura të Shqipërisë. Banorët e zonës, shoqata TOKA por edhe qytetarë dhe aktivistë të tjerë kanë protestuar vazhdimisht, por edhe kanë filluar mbrojtjen në rrugë gjyqësore të parkut kundër ndërtimit të HEC-eve.

“Ping-pongu i gjyqësorit me HEC-et e Valbonës”

Vitet e fundit janë zhvilluar një sërë protestash edhe në Tiranë në mbrojtje të Valbonës. Kalvari i gjatë i betejës ligjore daton që në vitin 2009 kohë kur Gjykata e Shkodrës ka refuzuar të marrë në shqyrtim kërkesën e shoqatës Toka dhe ta banorëve të Tropojës për të hapur çështje penale mbi falsifikimin e firmave të banorëve të fshatit Dragobi të cilët shërbyen si prova për kompaninë Dragobia Energy dhe Gener 2 që të fillonin me punimet.

Në procesverbal vihet re se gjendet nënshkrimi pro ndërtimit të HEC-eve edhe nga personat që kanë vdekur më herët. Padia është kryer në Gjykatën e Tropojës, më pas tek e Shkodrës por të dyja ato nuk dhanë një vendim rreth çështjes në fjalë. Përgjegjësia i është deleguar Gjykatës së Tiranës por as ajo nuk e ka marrë përsipër.

Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi me 6 qershor që të ndërpriten punimet në Luginën e Valbonës. Gjykata e rrethit të Tropojës, me 31 korrik 2018 lejoi rifillimin e ndërtimeve duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës duke i dhënë të drejtën kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” të vijojë punimet të paktën deri në 31 janar 2019.

Studimi “Komuniteti në Presion” jep disa rekomandime përsa i përket aksesit në informacion:

  • Qeveria shqiptare duhet t’i mundësojë informacion qytetarëve shqiptarë rreth hidrocentraleve, numrit të tyre, vendndodhjen duke bërë publik emrat e kompanive dhe pronarëve. Ata gjithashtu rekomandojnë hetimin e incidenteve me natyrë përndjekëse ndaj protestuesve
  • Shteti Shqiptar duhet të veprojë në pajtim me “Ligjin për zonat e mbrojtura” dhe të ndalë menjëherë ndërtimet e paligjshme në Valbonë.
  • Rekomandime janë dhënë dhe për kompaninë koncensionare Gener 2 dhe kompanive të tjera duke ju kujtuar detyrën e tyre për informim dhe konsultime publike, dokumentimin e ndikimeve dhe angazhimin me personat e prekur duke ndërtuar mekanizma për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

 “E drejta vonohet po kurrë nuk harrohet! Pa nji zor nuk ka nji fitore! Nuk do tërhiqem dëri në momentin e fundit që t’gjithë t’i ndalojmë” shprehet Idriz Ismajli, qytetar i Tropojës i cili është i zotuar se do ta çojë çështjen deri në fund!

*Citizens Channel /E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *