Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjuha diskriminuese ndaj minoritetit egjiptian në media, flasin aktivistët

Shkuam me Tonin Arapin, e çmontuam, morëm atë që akordonte pianon, ai e çmontoi, morëm një karrocë me një jevg, i  ngarkuam tubat dhe e ndoqëm karrocën nga mbarapa me Tonin dhe e çuam në akademi”, u shpreh Maks Velo jo më shumë se para dy muajsh në emisionin “Opinion”, një ndër emisionet me shikueshmërinë më të lartë në vend.

Termi “jevg” një term pezhorativ i cili i referohet minoritetit egjiptian në Shqipëri, është term diskriminues ndaj këtij minoriteti. Por jo vetëm Maks Velo, por dhe Ben Blushi, Henri Çili e figura të tjera të ekranit në raste të caktuara e kanë përdorur këtë lloj terminologjie, gjuhë urrejtjeje dhe gjuhë diskriminuese ndaj minoritetit egjiptian në Shqipëri.

Kjo ishte dhe arsyeja pse organizatat “Treja”, “Qendra për Aksion Komunitar” dhe  “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome” organizuan një event simbolik tek sheshi i Teatrit Kombëtar me mbështetjen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Eventi synonte të sillte nën vëmendje gjuhën e përdorur në media kundrejt komunitetit egjiptian dhe sensibilizimin e shoqërisë për këtë fenomen.

“Roli i medias… duhet të vendosi si fillim një kod etik për përdorimin e gjuhës mediatike. Organizatat sigurisht që duhet ta amplifikojnë zërin e tyre përkundrejt termave të përdorura, përkundrejt diskriminimeve dhe të gjitha faktorëve socialë që pengojnë zhvillimin e jetës së një minoriteti”, tha Ervis Daka drejtues i Qendrës për Aksion Komunitar për Citizens Channel.

Roli i medias dhe i organizatave të shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.

Ligji numër 96 i vitit 2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë” përcakton qartë në nenin 8-të të tij ndalimin e diskriminimit të çdo lloj forme ndaj minoriteteve në Shqipëri.

“Minimumi të jenë të informuar (media) që ky minoritet ka një term me të cilin quhet. Është edhe ligjërisht, duhet të njoftohen të gjithë që në vitin 2017 është miratuar një ligj që e përcakton këtë komunitet si minoritetin egjiptian të Shqipërisë dhe minimumi të kenë këtë informacion që të tregojnë kujdes mbi mënyrën sesi shprehen, mbi mesazhet që përcjellin, mbi të ftuarit që ftojnë, mbi mënyrën si reagojnë kur të ftuarit shkaktojnë këto situata dhe përdorin terma konkretë. Duke ditur realitetin them se minimumi është të jenë të informuar dhe të bëjnë atë për të cilën kanë marrë përgjegjësi. Të çojnë mesazhet e duhura”, tha Fatjona Caka, aktiviste për të drejtat e minoritetit egjiptian në Shqipëri.

Ndër të tjera, gjatë eventit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të minoritetit me shoqërinë në tërësi, për ta njohur njëri-tjetrin më shumë dhe më mirë si dhe për të luftuar kundër diskriminimit deri në eleminimin e tij.

“Është e rëndësishme  që njerëzit jashtë minoritetit të luftojnë për të drejtat e minoritetit sepse përcjell  një mesazh të dyfishtë, që nuk jemi ne gjithmonë që kërkojmë për veten dhe për  problemet tona, gjë që në disa raste mund të përcakohet si një reagim emocional apo i njëanshëm, por është i dyfishtë mesazhi dhe impakti që ka kur njerëz të tjerë, jo pjesëtarë të komunitetit reagojnë. Sepse kjo do të thotë që e kanë njohur këtë komunitet, e kanë kuptuar se si është realiteti dhe duan të thonë të vërtetën”, u shpreh Fatjona Caka për Citizens Channel.

*Citizens Channel /F.S/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *