Shqiptarët janë të pakënaqur me standardin e tyre te jetesës, pavarësisht se 87% zotërojnë shtëpitë e tyre. Mungesa e hapësirave të mjaftueshme, uji, ngrohja dhe dushet nuk përmbushin kushtet e përshtatshme për jetesë. Mesatarisht, të anketuarit në Shqipëri janë përgjigjur se ata kanë vetëm dy dhoma në shtëpitë e tyre dhe ky është numri më i ulët krahasuar me vendet anëtare të BE dhe vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së. Shqipëria renditet ndër të fundit sa i përket mënyrës së jetesës, duke u ndjekur Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria dhe Serbia.

Përqindjet e përgjigjeve të njerëzve për çdo vend kur u pyetën për ‘Problemet me akomodimin: Mungesa e hapësirës’

Këto rezultate vijnë nga studimi që ka realizuar Fondacioni Evropian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe Punës, i cili ka dokumentuar kushtet e jetesës dhe situatën sociale të njerëzve, si dhe ka shqyrtuar çështjet që lidhen me jetën e qytetarëve evropianë.

Ky studim ka shqyrtuar intervistat me 37 000 persona prej 33 vendesh, përfshire këtu 28 vende që janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe 5 vende, të cilat janë në statusin e kandidatit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, siç janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Studimi fokusohet në tre fusha kryesore që kanë të bëjnë me :

Cilësinë e jetës: mirëqenia, optimizmi, shëndeti, standardi i jetesës dhe aspektet e privimit, ekuilibri i punës dhe i jetës

Cilësia e shoqërisë: pasiguria sociale, perceptimi i përjashtimit social dhe tensioneve shoqërore, besimi tek njerëzit dhe institucionet, pjesëmarrja dhe angazhimi i komunitetit dhe përfshirja në trajnime

Cilësia e shërbimeve publike: kujdesi shëndetësor, kujdesi afatgjatë, kujdesi për fëmijët dhe shërbime të tjera publike

Në pyetjen “Sa të kënaqur jeni me jetën tuaj?, anketuesit nga Shqipëria janë përgjigjur negativisht, duke e renditur sërish vendin në fund të tabelës në krahasim me vendet e tjera evropiane.

Vlera mesatare e përgjigjeve të njerëzve për secilin vend për pyetjen :’Sa të kënaqur jeni me jetën tuaj?”

Edhe pse sezoni i verës kërkon pushime dhe largimin nga ambientet e zyrës për shkak të temperaturave të larta, në anketë rreth 81% e shqiptarëve janë përgjigjur se ata nuk mund të përballojnë një jave me pushime në aspektin financiar. Ky rezultat negativ ndiqet nga Mali i Zi, ku rreth 66% e të pyeturve kanë deklaruar se nuk e përballojnë dot një javë pushime, me një shifër prej 65% nga ana e Maqedonisë së Veriut, 60% Serbia dhe 68% Greqia. Ndërsa banorët e vendit që kanë më shumë mundësi për të përballuar një jave pushime janë ata të Suedisë, ku vetëm 12% prej tyre nuk përballojnë një javë pushime.

Përqindjet e përgjigjeve të njerëzve për çdo vend kur u pyetën për “Mund të përballoni një javë pushime larg nga shtëpia? “

Një ndër pyetjet e anketës ishte edhe vlerësimi ndaj arsimit, ku sërish Shqipëria renditet në vendin e fundit, e ndjekur nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa vendet me pikët më të larta në këtë fushë konsiderohen Danimarka, Finlanda dhe Austria.

Vlera mesatare e përgjigjeve të njerëzve për pyetjen “Si e vlerësoni edukimin?”

 

*Citizens Channel  /E.K/