“Unë kam një vëlla autik dhe u përhapën shumë polemika që mund të ishte vaksinimi arsyeja e sëmundjes së tij”, tregon 24-vjeçarja Sara, nënë e dy fëmijëve. Ajo kujton se si është ndikuar nga zërat që flasin për lidhje të vaksinës së kombinuar Fruth-Rubeole-Parotit me autizmin tek fëmijët. E ekspozuar ndaj kësaj teorie ajo është përballur me frikën e vazhdueshme dhe dilemën në duhet apo jo ta vaksinojë fëmijën e saj të parë.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë për një rënie të fëmijëve që marrin vaksinën FRP (Fruth-Rubeole-Parotit)  në vitet e fundit. Në vitin 2013 mbulimi i fëmijëve me 5 vaksinat e tjera që përfshijnë, tuberkulozin, difterinë, tetanozin, pertusin, poliomelitin arrinte në nivelin 99.7% dhe nuk ka pësuar luhatje të rëndësishme.  Ndërkohë, përqindja e fëmijëve që kanë marrë vaksinën e kombinuar FRP (Fruth-Rubeole-Parotit) ka rënë çdo vit prej 2013, kohë kur shënon te një mbulim prej 98.7%, ndërsa në 2017 arriti vetëm 95.7% të popullatës.

Një tjetër studim për fëmijët e moshave 12-23 muajsh në vitet 2017-2018 tregoi që vetëm 75% e fëmijëve të atyre moshave i kishin bërë të gjitha vaksinimet e nevojshme në kohë, një rënie prej 19% krahasuar me vitet 2008-2009 kur totali i popullsisë së vaksinuar arrinte 94%. Studimi po ashtu tregon se ka diferencë gjinore për sa i përket vaksinimit, vetëm 67% e vajzave kanë  marrë vaksinimin bazik, krahasuar me djemtë të cilët janë vaksinuar në masën 82%. Të dhënat e Sondazhit mbi Demografinë dhe Shëndetin 2017-2018, nxjerrin në pah dhe një dallim midis zonave rurale dhe urbane, ku zonat rurale kanë 18% më shumë fëmijë të vaksinuar.

Specialistët pranë Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se vaksina FRP ka nisur të prodhohet që në vitet ‘60 dhe mitet që qarkullojnë mbi lidhjen me autizmin e kanë pikënisjen tek studimi i mjekut anglez Andrew Wakefild, i cili së fundi është provuar së ka qenë i rremë.

“Në Shqipëri ashtu si dhe në botë, përdoret vaksina  e kombinuar FRP (së bashku) dhe është një vaksinë shumë e sigurt dhe efektive për të parandaluar këto sëmundje. Kjo vaksinë nuk ka lidhje dhe nuk shkakton asnjë lloj sëmundjeje apo sindromë të spektrit autik apo ndonjë tipi tjetër” artikulon për Citizens Channel Iria Preza, specialiste pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Andrew Wakefield ishte një gastroentereologjist britanik, i cili së bashku me kolegët e tij publikuan në mars të vitit 1998, një artikull tek “The Lancet” ku përshkruante 8 fëmijë të cilët filluan të shfaqnin simptomat e para të autizmit pasi kishin marrë vaksinën FRP. Në studimin e tij morën pjesë 12 fëmijë. Sipas Wakefield, vaksina në fjalë shkakton flamacionin e zorrëve e cola më pas çon në translokimin e peptideve në gjak, e rrjedhimisht në tru. U bënë studime epistemologjike të cilat u publikuan menjëherë dhe refuzuan çdo lloj lidhjeje të vaksinës Fruth-Rubeolë-Porotit dhe autizmit. Gjithashtu, vetë revista shkencore “The Lancet” pranoi se shumë elemente në studim ishin të pavërteta, studiuesit kishin kryer shkelje të etikës, të dhënat ishin përzgjedhur qëllimisht në mënyrë që t’i përshtatej teorisë së tyre.es here

Sara, prindi 24-vjeçar e cila ka hezituar të vaksinojë fëmijën e saj

Pastaj doli si teori dhe u përhap në shumë gazeta, shkrime, bloge. Kështu që kjo gjë më bëri të dyshoj faktikisht, pavarësisht se mund të them se nuk kam lexuar diçka konkrete shkencore, thjesht aludime, megjithatë kjo më vuri në dyshime.” shprehet 24 – vjeçarja Sara, e cila rrëfen dilemat e saj rreth efikasitetit të vaksinës duke u ndikuar nga burimet e informacionit.

Arsyet e tjera pse prindërit në Shqipëri nuk i vaksinojnë fëmijët

Stigma se vaksina shkakton autizëm është një faktor i rëndësishëm por nuk është i vetmi. Ekzistojnë gjithashtu faktorë të tjerë të cilët nuk duhen neglizhuar.

Specialistja e ISHP-së Iria Preza pohon se disa grupe të caktura të besimeve fetare vendosin të mos i vaksinojnë fëmijët. Po ashtu, mungesa e informimit tek grupet me edukim te ulët ose pa edukim ndikon që fëmijët të kenë prapambetje në vaksinim. Sigurisht, media dhe  burimet joserioze ashtu si në rastin e Sarës kanë rol madhor në keqinformim, duke qenë kontribues në mosvaksinim të fëmijës dhe rishfaqjen e sëmundjeve që janë tashmë lehtësisht të parandalueshme.

Një tjetër problematikë e ngritur nga mjekët lidhet edhe me komunitetet e margjinalizuara, si Romët, që shpesh jetojnë në kushte të paqëndrueshme strehimi dhe nuk kanë akses të plotë skemat e shërbimit shëndetësor ku bën pjesë edhe vaksinimin. E pyetur nga Citizens Channel, doktoresha e zonës së Bregut të Lumit, Erna Cobaj thekson: “Për arsye të ndryshme ato nuk vinë. Komuniteti rom punon sa në një vend në tjetrin, jo gjithmonë e kanë të mundur që të vijnë t’u bëjnë vaksinat fëmijëve. Ata nuk jetojnë me pjesën e stigmës, nuk kanë kohën më tepër”.

Erna Cobaj, doktoreshë pranë zonës së Bregut të Lumit

Pasojat dhe penalitetet nëse nuk vaksinohen fëmijët

Pasojat e mosvaksinimit mund të jenë fatale për vetë fëmijët por edhe për personat e tjerë në komunitet. Dëmi mund të jetë i madh për foshnjat të cilat nuk kanë mbushur ende moshën e vaksinave, persona me imunitet të dobët apo edhe ata individë që për arsye shëndetësore nuk mund të vaksinohen. Mosvaksinimi po risjell në shoqëri sëmundje të cilat thuajse janë zhdukur krejtësisht.

Gjithashtu, prindërit që vendosin mos t’i vaksinojnë fëmijët e tyre hasen me vështirësi të tjera për integrimin e tyre në shoqëri.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Iria Preza na bën me dije: “ligjin e ri ndaj sëmundjeve infektive në vitin 2016 është vendosur detyrimi për paraqitjen e kartelës së vaksinimit për çdo fëmijë që shkon në çerdhe, kopësht, shkollë, gjimnaz dhe universitete” çka tregon se një fëmijë i pavaksinuar nuk mund të regjistrohet në asnjë cikël të studimi.

Vaksinat janë tërësisht të sigurta. Studimet e njëpasnjëshme vazhdimisht kanë pohuar se nuk ekziston asnjë lloj lidhjeje mes vaksinës dhe autizmit. Nga ana tjetër, vonesa apo të mos vaksinuarit e fëmijëve mund të sjellë pasoja të rënda për vetë fëmijën apo për personat e tjerë përreth. Është shumë e rëndësishme të lexojmë burime të besueshme shkencore dhe të konsultohemi vazhdimisht me specialistët. Vaksinat shpëtojnë jetë, mitet jo!

Çfarë sëmundjesh parandalojnë vaksinat dhe çilat janë pasojat që ato sjellin tek personat e prekur: 

#Poliomeliti: është një sëmundje që shkaktohet  nga poliovirusi dhe shkakton paralize te përkohshme ose totale, duke përfshirë dhe vdekjen. Poliovirusi transmetohen me kontakt direkt nga personi ne person, kontakti me sekrecionet apo nga fekalet e infektuara.

#Tetanozi: Tetanozi është një sëmundje serioze që sulmon sistemin nervor me bakteret potencialisht vdekjeprurëse. Ajo çon në kontraktime të dhimbshme të muskujve në qafë, vështirësi në frymëmarrje, ngurtësi në muskujt e nofullës.

#Gripi: Prek sistemin e frymëmarrjes duke infektuar hundët, fytin dhe mushkëritë. Ai mund të jetë shumë i rrezikshëm për fëmijët, duke shkaktuar edhe vdekje. Vaksinimi ndaj gripit duhet të bëhet çdo vit, duke filluar nga foshnjat 6 muajshe.

#Hepatiti B: Është një sëmundje infektive inflamatore e mëlçisë e cila përhapet nga gjaku apo lëngje të tjera të trupit. Është veçanërisht e rrezikshme për fëmijët, duke qenë se ai mund të përhapet nga nëna tek fëmija gjatë lindjes. Kjo është arsyeja foshnja duhet të vaksinohet pak kohë pas lindjes.

#Hepatiti A: Është një sëmundje ngjitëse e cila transmetohet nga kontakti me persona të tjerë të prekur apo nga ushqimi dhe uji i ndotur. Ajo shkakton ndjesi lodhjeje, mungesë oreksi, dhimbje barku, të vjella dhe zverdhjen e syve.

#Rubeola: Rubeola përhapet nga kolla dhe tështima. Është veçanërisht e rrezikshme për gratë shtatzëna dhe foshnjën. Nënat e pavaksinuara kanë rrezik dështimi të fëmijës gjatë shtatzënisë ose foshnja mund të vdesë menjëherë pas lindjes.

#Virusi Haemophilus influenzae B: Ky virus mund të shkaktojë dëme serioze tek fëmijët e pavaksinuar si: dëmtim të sistemit imunitar, dëmtim të trurit, humbje të dëgjimit apo edhe  vdekje. Ky virus prek më së shumti fëmijët nën moshën 5-vjeçare.

#Fruthi: Fruthi është një infeksion viral i sistemit të frymëmarrjes, një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar. Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimës. Ndërlikimi i zakonshëm është infeksioni i veshit që mund të shkaktoje humbje të dëgjimit. Ndërlikime të tjera përfshijnë pneumonia (infeksion i mushkërisë) apo encefaliti (infeksioni i trurit).

#Kolla e mirë (Pertussis): Bakteria Pertussis është një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve të bebeve dhe fëmijëve në botë. Kolla e mirë fillon me rrufe dhe kollë të thatë. Fillon dhe përkeqësohet dhe mund të shkojë edhe në krizë.

#Sëmundja pneumonale: Kjo sëmundje shkaktohet nga bakteria e quajtur “Streptocoçus pneumoniae” i cili është një inflamacion që prek zakonisht fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me mangësi imune. Mund të jetë veçanërisht shumë e rrezikshme për fëmijët duke shkaktuar infeksion të veshit, pneumoni, madje edhe meningjit.

#Rotavirus: Është një sëmundje shumë serioze që mund të shkaktojë diarre, të vjella, ethe, dhimbje abdominale kryesisht tek foshnjat dhe fëmijët. Ato kanë tendencën të dehidratohen dhe duhet të shtrohen menjëherë në spital. Nëse fëmijët e dehidratuar nuk marrin kujdesin e nevojshëm, kjo sëmundje mund të shkaktojë edhe vdekjen e tyre.

#Parotiti (Shtytat): Është sëmundje e cila shoqërohet me enjtje te gjendrave që prodhojnë pështymën, vështirësi në gëlltitje, temperaturë e ulët, humbje oreksi dhe dhimbje koke. Ajo transmetohet nga kontakti me pikëzat e pështymës apo sekrecionet e një personi të prekur. Gjithashtu, ajo mund të merret nga i sendeve të infektuara.

#Varicella (Lija e dhenve): Është një sëmundje që shkakton skuqje, kruajtje të trupit dhe temperaturë. Ajo është sëmundje serioze dhe kërcënuese për jetën e njeriut, veçanërisht tek foshnjet, të rriturit dhe personave me sistem të dobët imunitar.

#Difteria: Është një infeksion bakterial që ndikon në fytin dhe hundën e një personi duke e bërë të vështirë frymëmarrjen dhe gëlltitjen. Ajo gjithashtu mund të çojë në paralizë, probleme me zemrën dhe vdekjen.

(Burimi: https://www.cdc.gov/vaccines/parents/diseases/child/14-diseases.html)

*Entenela Ndrevataj | Citizens Channel