Ligji i vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar), në nenin 95 të tij parashikon rregullimet për shtresat në nevojë.  Kategoritë që duhet të përfitonin nga lehtësimet përfshijnë klientët në nevojë që përdorin energjinë elektrike në vendbanimin e tyre të përhershëm si dhe ata që kanë konsum të energjisë elektrike lidhur në rrjetin njëfazor.

Familjet duhet të përfitojnë nga Buxheti i Shtetit 210 kilovatë, e cila përkthehet në 2 mijë lekë të reja.

Por edhe sot, 4 vite më pas, ky ligj nuk është vënë ende në praktikë dhe shtresat më të varfra të shoqërisë detyrohen të marrin kredi për të paguar energjinë, nën friken e arrestimit.

“Unë kam 7 anëtarë në familje, për mua është shumë e vështirë të paguaj faturën e Energjisë Elektrike në kohë, fëmijët e mi janë të papunë, unë dal për ditë të mbledh mbetje të riciklueshme që të mbledh para, skam ku të shkoj, të vjedh, të futëm në burg, jam futur në kredi për të paguar dritat”,  shprehet një zonjë nga Berati gjatë plotësimit të peticionit.

Edhe në qytetin e Fierit ka familje që vuajnë nga e njëjta situatë. Në videon më poshtë, e moshuara tregon se ka 5 muaj pa paguar faturën e energjisë elektrike për shkak të gjendjes së saj ekonomike të vështirë.

Ndërsa ky zotëri nga Elbasani tregon se i duhet të  sakrifikojë ilaçet e tij për të paguar faturën e energjisë elektrike. Ai i tregon se vuan nga probleme të rënda shëndetësore dhe prej vitesh është me aftësi të kufizuara, mirëpo ligji nuk ka asnjë lehtësim për gjendjen e tij.

Në datën 2 korrik aktivistët Rom dhe Egjiptian filluan fushatën  me sloganin “Kthema Dritën” së bashku me firmosjen e një peticioni i cili kërkon miratimin e akteve nënligjore të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, konkretisht nenit 95 i cili shprehet për klientët në nevojë.

Foto: Aktivizmi Rom dhe Egjiptian

“Kjo përpjekje po zhvillohet që familjet e varfra me vështirë ekonomike të kenë mundësinë që t’i reduktohet pagesa e Energjisë Elektrike”, shprehen aktivistët në faqen e Facebook “Aktivizmi Rom dhe Egjiptian”.

Peticioni po firmoset në të gjithë Shqipërinë dhe numri i firmave ka arritur deri në 2000 për një javë që nga nisja e tij.

Energjia elektrike, problem i vjetër…

Në vitin 2015 Qeveria Shqiptare nisi fushatën për energjinë elektrike, rilidhja e saj në mënyrë të paligjshme dënohej me burg.

Aktivistët rom dhe egjiptianë iu drejtuan Prokurorisë së Përgjithshme për të mësuar numrin e personave të ndjekur penalisht për rilidhje të energjisë elektrike në mënyrë të paligjshme dhe mësuan se ishin 491 persona të arrestuar, 71 persona të ndaluar, 1079 persona të hetuar në gjendje të lirë dhe 385 ishin shpallur në kërkim.

Edhe pse ligji ekziston në letër, fakti që nuk po miratohen prej 4 vitesh aktet nënligjore, e bën atë të pazbatueshëm për familjet në nevojë. Aktualisht familjet në nevojë paguajnë njësoj si familjet me të ardhura mesatare ose të larta.

Citizens Channel / F.S