Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

3200 firma për t’i kujtuar qeverisë se ka lënë në harresë lehtësimin për të varfrit

Prej më shumë se dy  javësh aktivistë të komunitetit Rom dhe Egjiptian, por jo vetëm, filluan nënshkrimin e një peticioni në disa qytete të Shqipërisë për miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave që do i lehtësojë familjeve të varfra barrën e faturave të energjisë elektrike.

Gjatë kësaj kohe rreth 3200 firma u grumbulluan nga qytetarët në mbështetje të kësaj kategorie, e cilësuar në ligj “klient në nevojë”.

Familjet duhet të përfitojnë nga Buxheti i Shtetit 210 kilovatë, e cila përkthehet në 2 mijë lekë të reja, por, që nga viti 2015 kur ky ligj u miratua, nuk është ndërmarrë një iniciativë për miratimin e VKM-së që do të bëntë të mundur zbatimin e tij.

 “Ja të dali sa më shpejt, për neve aq më mirë. S’kemi lekë ta paguajmë, rroga është e vogël, për bukë vdesim. Mbledhim kanaçe i shesim që hamë bukë. Djalin e kam të plagosur, burrin e kam të qorruar, nuk e përballoj dot. 47mijë lekë më shkon fatura, sikur të jemi ndonjë lavazho a fabrikë buke”, tha Xhuljeta Selmani për Citizens Channel, e cila kishte ardhur nga Berati në Tiranë për dorëzimin e peticionit në institucionet përkatëse.

Ditën e sotme, aktivistët të shoqëruar nga familjarë të cilët kishin ardhur nga Berati dhe Elbasani iu drejtuan Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës si dhe Kryeministrisë, për ti dorëzuar peticionin e firmosur nga rreth 3200 qytetarë.

Fotot të peticioneve dorëzuar Kryeministrit dhe Ministrisë së Energjitikës: 

“Kjo VKM është shumë e rëndësishme për familjet në nevojë për arsye sepse nuk e përballojnë dot dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar faturat mujore si dhe komsimin e faturave nuk e marrin. Për qytetin e Beratit janë bashkuar 500 qytetarë duke e firmosur këtë peticion”, tha Bukurie Kovaçi një nga aktivistet e angazhuara në qytetin e Beratit për plotësimin e peticionit.

Aktivistët në hyrje të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Foto: Citizens Channel

Prej vitit 2015 qeveria shqiptare e ktheu mospagimin e energjisë elektrike në vepër penale. Deri në vitin 2018, 91 persona u arrestuan, 71 u ndaluan dhe 1079  të tjerë u hetuan në gjendje të lirë dhe 385 u shpallën në kërkim për vepra penale që lidhen me energjinë elektrike. Shumë qytetarë, nga kategoritë në nevojë, u prekën nga ky vendim.

Citizens Channel mësoi nga aktivistët Rom dhe Egjiptianë se në lidhje me këtë çështje ishin 491 persona të arrestuar, 71 persona të ndaluar, 1079 persona të hetuar në gjendje të lirë dhe 385 ishin shpallur në kërkim (deri në vitin 2018).

Ilirjan Berati ishte një nga personat që u dënua për mospagimin e faturave të energjisë elektrike. Vetëm pak kohë më parë atij i ishte shkëputur dhe ndihma ekonomike. Të dy të papunë, së bashku me bashkëshorten ai tregon për Citizens Channel se e kishin të pamundur të paguanin energjinë elektrike. Dënimi me 4 muaj burg, u reduktua në “detyrim paraqitjeje” për 18 muaj çdo javë dhe prej rreth 1 viti ai e ka përfituar sërish ndihmën ekonomike, por pavarësisht kësaj ai e ka të pamundur që të paguajë faturën e energjisë elektrike.

“Kemi rreth 1 vit që marrim ndihmë ekonomike, mua fatura e dritave më vjen 47, 57. Nuk kam mundësi tani të lidh kontratë me Ujësjellësin se unë 30 mijë lekë marr, duhet të plotësoj dhe 20 të tjera që të paguaj vetëm energjinë elektrike.

Kështu që detyrohemi dalim natën nëpër kazanët e plehrave dhe mbledhim ndonjë kanaçe, ndonjë qese plasmasi dhe shesim ato për të plotësu lekët e dritave OSHE -së”, thotë ai për Citizens Channel.

Citizens Channel mësoi nga aktivistët se ditën e premte do të zhvillohet një protestë në Tiranë lidhur me këtë çështje.

*Citizens Channel /F.S/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *