Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Na e bëtë jetën errësirë”, familjet e varfra protestojnë për lehtësimin e mohuar të energjisë elektrike

Ashtu si e kishin paralajmëruar aktivistë të komunitetit Rom dhe Egjiptian së bashku me qytetarë të tjerë të Elbasanit, Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Cërrikut, protestuan sot pranë Kryeministrisë për miratimin e VKM-së së parashikuar në nenin 95 të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Sipas ligjit, që prej vitit 2016, abonentët me të ardhura të ultë duhet të ishin njohur si “klientë në nevojë”, duke përfituar nga lehtësimet në pagesën e faturave të energjisë, por ende sot ata paguajnë njëlloj si familjet me të ardhurat më të larta.

Me thirrjet, “Kthema dritën”, “210 kw falas për familjet e varfra”, “Na e bëtë jetën errësirë”, “Për VKM 3 vite prita, por tani u mbush kupa”, “Zbatoni ligjin që vetë e keni miratuar”, “Fëmija im e kaloi semestrin në errësirë”, qytetarët protestuan për rreth 2 orë pranë Kryeministrisë.

Foto: Citizens Channel

“Duam tju bëjmë të ditur që kjo VKM që duhej të ishte miratuar që në 2016 për të mbështetur me buxhet nga ana e shtetit të gjitha familjet e varfra, klientë në nevojë, për të paguar energjinë elektrike. Siç e dini zoti Rama këtu me ne ka familje të cilat kanë ndoshta dhe vite të tëra që janë në errësirë totale në shtëpitë e tyre. Përveç varfërisë, përveç kushteve të vështira social – ekonomike, këto familje vuajnë dhe errësirën, duke pasur në familjet e tyre dhe fëmijë të vegjël, të afërm të sëmurë, pleq, të cilët kanë nevojë të ngrohen apo kanë nevojë të gatuajnë dhe të ushqehen sit ë gjithë qytetarët e tjerë”, tha aktivisti Ervis Çota.

Foto: Citizens Channel

“Kjo qeveri, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë kanë miratuar ligjin me numër 43 për energjinë elektrike, i cili në nenin 95 të tij merr angazhimin ligjor për të garantuar nxjerjen e një Vendimi të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e klientëve në nevojë, të përcaktimit të kritereve dhe procedurave të përfitimit nga familjet në nevojë të energjisë elektrike falas. Nuk e kanë bërë këtu e 40 muaj duke e shkelur ligjin”, tha avokati Adriatik Lapaj në fjalën e tij gjatë protestës.

Adriatik Lapaj
Foto: Citizens Channel

Ditën e hënë aktivistët dhe qytetarët e prekur dorëzuan pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe Kryeministrisë një peticion me rreth 3200 firma, në të cilin kërkohej miratimi i VKM-së i cili parashikon lehtësira për klientët në nevojë. Ky ligj ka kaluar në Kuvend që në vitin 2015 por kjo VKM nuk është miratuar ende.

Dy nga aktivistët gjatë fundit të protestës, zhvilluan një takim në Kryeministri me drejtoreshën e Platformës së Bashkëqeverisjes të cilës i kërkuan përgjigje për peticionin e dërguar në fillim të javës. Ata morën përgjigjen se kërkesa e tyre do të shqyrtohet brenda 10 ditësh dhe ata do të marrin një përgjigje dhe qëndrimin e institucioneve përkatëse brenda këtij afati që përcakton ligji. Aktivistët tregojnë për Citizens Channel se prej një viti kanë dërguar rreth 150 ankesa në Platformën e Bashkëqeverisjes për këtë problem.

Nëpërmjet fushatës “Kthema dritën” aktivistët për rreth 2 javë kanë shkuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë për plotësimin e peticionit.

Foto: Citizens Channel

Në vitin 2015 ndryshoi kuadri ligjor në lidhje me energjinë elektrike, ai u ashpërsua në drejtim të personave që merrnin energji në mënyrë  të paligjshme si dhe ndaj personave të cilët nuk e kishin paguar faturën e energjisë elektrike prej shumë kohësh. Shumë familje të varfra u prekën nga këto ndryshime ligjore dhe shumë persona u ndoqën penalisht lidhur me këtë çështje.

Sot, protestuan qytetarë të cilët nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë elektrike. Ndihma sociale prej 3000 lekësh nuk krijon mundësinë që fatura e energjisë elektrike të paguhet nga familjet e varfra.

Citizens Channel / F.S

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *