Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qëndresa e pandërprerë e qytetarëve dhe artistëve për të mbrojtur Teatrin Kombëtar

Prej 5 ditësh dhe netësh qytetarë, aktivistë dhe anëtarë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë organizuar në një qëndresë të pandërprerë pranë sheshit të Teatrit Kombëtar. Aktivistët tregojnë se janë duke ruajtur fizikisht godinën, që pas indicies që disa burime të Aleancës morën nga institucioni i Ministrisë së Kulturës se teatri do të shembej natën.

Që ai moment rezistenca u kthye nga e përditshme në mënyrë të pandërprerë. Ky organizim, veç qytetarëve dhe aktivistëve të cilët prej 1 viti e gjysmë kanë protestuar përditë në shesh,solli dhe qytetarë të tjerë të cilët shtohen ditë pas dite me prezencën e tyre, ndihmën dhe solidaritetin e tyre ndaj kauzës.  

Ditën e djeshme përfaqësues nga institucioni i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë u shfaqën pranë Teatrit Kombëtar me një shkresë ku tregonin se ishin urdhëruar për prerjen e ujit dhe të dritave në institucion. Ata u larguan pa konflikt nga sheshi i teatrit.

Ndërsa gjatë natës së mbrëmshme në sheshin e teatrit u shfaqën 3 filma artistikë për të pranishmit.

Qytetarë, artistë dhe aktivistë të mbledhur në sheshin para Teatrit Kombëtar

Citizens Channel foli me aktivistët dhe qytetarët. Ata u shprehën të bindur dhe të vendosur për qëndresën e tyre deri në fund. Shumë prej tyre i përkasin grupit që ka protestuar që nga shkurti i vitit të kaluar.

“Neve teatrin do ta mbrojmë me trupat tanë. Kur të më vrasin mua, atëherë do hyj në teatër. Kur të shkelin mbi trupat tanë. Dhe shumë të reja nuk jemi, por japim shembullin tek fëmijët tanë, tek rinia. Do të bëhemi si një trup i vetëm, kështu kemi vendosur”, tha për Citizens Channel Perika Xhuli, e cila prej më shumë se 1 viti qëndron për të mbrojtur Teatrin Kombëtar.

Artistët, aktivistët dhe qytetarët janë të vetëdijshëm që kjo situatë është kthyer tashmë në një “luftë nervash”, mirëpo kjo vetëdije i bën që të mos dorëzohen dhe të rezistojnë pavarësisht lodhjes, vapës dhe tensionit psikologjik.

Aktori Neritan Liçaj është një ndër zërat më të fortë të protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Ai ka qëndruar për më shumë se një vit çdo ditë në shesh dhe prej 25 orësh në mënyrë të pandërprerë për mbrojtjen e tij gjatë këtyre ditëve të fundit.

Citizens Channel foli me të për të marrë një koment rreth situatës së krijuar së fundmi.

Ka ardhur ora e mbrame për mendimin tim. Domethënë ka ardhur ora kur duhet zgjidhur ky problem tashmë i zvarritur prej 1 viti e gjysmë, me këtë qeveri dhe me këtë maxhorancë antiligjore dhe antikushtetuese. Tani ka ardhur ora e përplasjes fizike, ata po kërkojnë me çdo mënyrë prishjen e Teatrit Kombëtar dhe nuk ka vend për koment, ka vend vetëm për një thirrje të fortë qytetare: ejani ta mbrojmë me mosbindje civile”, tha ai.

Foto: Citizens Channel

 

Një protestë shumë ndryshe…

Historia e shembjes së Teatrit Kombëtar është e vjetër dhe lidhet veçanërisht me  Kryeministrin Edi Rama. Dëshira e tij për një teatër të ri dhe modern daton që nga koha kur ishte Ministër i Kulturës dhe ngre krye kur ai kthehet si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Edhe atëherë hasi në kundërshtime të forta nga artistët e kohës dhe qytetarët.

Jo më shumë se një vit e gjysmë më parë, debatin publik në kryeqytet e dominoi një projekt-ligj i cili paralajmëronte miratimin e një “ligji special”. Ky ligj special parashikonte shkurtimisht kalimin e pronës publike në të cilin gjendet aktualisht Teatri Kombëtar me anë të procedurës “me negocim” (procedurë e cila sipas ligjit për prokurimet publike përdoret vetëm në raste urgjence dhe nevoje) drejt një subjekti privat i quajtur “Fusha sh.p.k”.

Reagimet nga artistët dhe qytetarët ishin të menjëhershme. Protestat gjithashtu. Mirëpo pavarësisht kësaj, ligji special u votua 2 herë në Parlament dhe nuk u dekretua 2 herë nga Presidenti. Në të dy rastet thelbi i mosdekretimit nga Presidenti ishte se ky ligj konsiderohej jo në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe ligj që cenonte konkurrencën e lirë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkoi dhe mbështetje dhe reagim ndërkombëtar. Nëpërmjet një letre publike qeverisë shqiptare i sugjerohej nga Komisioni Evropian hapja e garës për të gjitha firmat konkurruese. Ligji special u ndryshua vetëm në këtë pikë.

Rasti i Teatrit Kombëtar ka përballë dy palë të vendosura, një për ta mbrojtur dhe një për ta shembur. Por protesta për Teatrin ka një veçori jo fort të zakontë: qëndrueshmërinë dhe konsekuencën.

 

 

Citizens Channel / f.s/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *