Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Forcat e policisë rrethojnë Teatrin Kombëtar, artistë dhe qytetarë ngujohen brenda

Mëngjesin e sotëm forca të Policisë së Shtetit u paraqitën pranë Teatrit Kombëtar. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e kishte pritur dhe parashikuar këtë situatë gjatë këtyre 6 ditëve të fundit. Kjo ishte paralajmëruar edhe gjatë ditës së djeshme në protestën e përditshme të orës 7 në sheshin e Teatrit.

Rreshtimi i forcave të Policisë para Teatrit Kombëtar

Gjatë kësaj jave punonjës të Teatrit Kombëtar u shfaqën në ambjentet e teatrit për të nxjerrë jashtë tij të gjitha materialet e institucionit që gjenden brenda. Ky veprim u kundërshtua nga protestuesit. Ndërsa gjatë ditës së sotme Policia e Shtetit u shfaq në Teatrin Kombëtar për të shoqëruar punonjësit për të nxjerrë jashtë teatrit materialet dhe rekuizitën.

Në orën 7 të mëngjesit përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe qytetarë që e kishin gdhirë natën në sheshin e Teatrit, u përballën me policinë ku u shënua dhe incidenti i parë midis policisë dhe regjisorit Edmond Budina. Budina është një nga artistët që ka protestuar që në fillim (më shumë se 1 vit më parë), për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Tensioni i krijuar mes policisë dhe qytetarëve në hyrjen e improvizuar nga qytetarët

 

Protestuesve iu bashkuan dhe mbështetës të Partisë Demokratike, si dhe kryetari i saj Lulzim Basha.

Ai së bashku me qytetarë dhe artistë të tjerë u futën brenda godinës së Teatrit Kombëtar.

“Brenda Teatrit Kombëtar ku Banda e Edi Ramës kishte nisur çmontimin. Aleanca per Teatrin dhe qytetaret i larguan dhe u futën brenda. Krenar për forcën e qytetarëve te bashkuar!”, shkruan ai në rrjetin social Facebook.

Citizens Channel u fut brenda ambjenteve të Teatrit Kombëtar dhe foli me disa nga aktivistët e ngujuar.

“Ndodhi që sot në mëngjes, në orën 7 të mëngjesit erdhën punonjës të teatrit të shoqëruar nga punonjës të policisë. Në atë moment ishim të lodhur, ishim pak njerëz, një grup i yni i vogël shkuam tek dera e teatrit për ta bllokuar. Nuk kemi shkresë zyrtare thjeshtë na kanë informuar miqtë se shkresa është bërë gati. Ajo që ndodhi ishte një ngjarje skandaloze, e turpshme, policia tërhoqi zvarrë Edmond Budinën, ai e tha në një intervistë që s’ia ka bërë as Ramiz Alia dhe ia kanë bërë këta. U mobilizuam të gjithë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe erdhëm këtu, dhe erdhën rreth 100-200 aktivistë dhe filluam rezistencën tonë që konsiston në ndalimin e nxjerrjeve të pajisjeve jashtë teatrit”, tha ai për Citizens Channel.

Artistët dhe qytetarët e grumbulluar në sallën e Teatrit Kombëtar

“Ne ndoshta mund të kemi shfaqje në teatër dhe të mendojmë zgjidhje më afatgjata, aq sa për të t’u treguar sulmuesve të kësaj prone, një pronë hibride, t’u tregohet që nuk do ta kenë të lehtë”, tha gazetarja Elsa Demo për Citizens Channel.

Gjatë ditës së sotme pati dhe reagime nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në Twitter.

“Lajm i mire qe pas kaq vitesh teatër ne politike, LB shkon për herë të parë në Teatër – dhe s’besoj tallashi i ngjan ndonjë teatri në Hollandë, ku më i fundit është Theatre de Stoep! Por si tek Lodrat, Pazari, Bulevardi e Sheshi, Tirana do fitojë sërish!” – thotë Veliaj në Twitter.

Edhe kryeministri Rama u shpreh i vendosur për shembjen e teatrit.

“Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend.Megjithë respektin për një minorancë aktorësh teatri dhe politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në teatër, po janë mësuar të bëjnë teatër me çdo gjë,Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse”, shkruan ai.

Krejt i ndryshëm ka qenë reagimi i Presidentit Meta i cili nuk e ka dekretuar 2 herë ligjin special për teatrin.

“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme. 

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare.

As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90!

Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”, deklaroi ai.


 Ai depozitoi ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese një padi duke e cilësuar këtë ligj anti -kushtetues.

Ndërkohë dhjetra artistë dhe aktivistë vazhdojnë të qëndrojnë brenda ambjenteve të teatrit, edhe pas ndërprerjes së dritave dhe ujit. Të shumtë janë edhe qytetarët dhe aktivistët që ndodhen në oborrin e teatrit, për të kundërshtuar shembjen e tij dhe për të bërë rezistencë.

 

*Citizens Channel 

 

 

   

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *