Në ambjentet e Teatrit Kombëtar u nënshkrua sot një kontratë bashkëpunimi midis Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partisë Demokratike së bashku me pjesën tjetër të opozitës. Kontrata u nënshkrua nga kreu i Partisë Demokratike dhe nga artisë e aktivistë të cilët kanë protestuar dhe kanë qëndruar përditë pranë Teatrit Kombëtar për ta ruajtur dhe mbrojtur atë nga “ligji special” i cili parashikon shembjen e tij dhe ndërtimin e një teatri të ri dhe modern.

“Unë nuk e nënshkruaj atë kontratë, nëse nuk e nënshkruan i gjithë populli që është këtu”, u shpreh regjisori Edmond Budina duke iu drejtuar Bashës gjatë takimit. Ai theksoi se ajo marrëveshje është një marrëveshje midis Bashës dhe qytetarëve.

Foto: Citizens Channel

Në këtë kontratë të nënshkruar gjatë ditës së sotme Basha zotohet se do të mbrojë godinën e Teatrit Kombëtar dhe se do të “reformojë” kulturën në aspektin cilësor dhe sasior, nëse do të jetë (kur të jetë) në krye të qeverisë.

“Jemi këtu falë këtij kontributit të jashtëzakonshëm qytetar. Ajo çfarë unë vlerësoj si protestues ka qënë profili qytetar i të gjitha krahëve, i protestuesve, i partive, dhe mbase është momenti më deçiziv në demokracinë shqiptare, që për herë të parë, qytetarët po bëhen vendimmarrës në demokraci”, tha regjisori Robert Budina gjatë fjalës së tij ditën e sotme.

 

Çfarë ndodhi dje?

Mëngjesin e ditës së djeshme forca të shumta të Policisë së Shtetit u paraqitën pranë Teatrit Kombëtar. Prezenca e tyre u shtua sidomos gjatë orëve të mbasdites, në të njëjtën kohë dhe prezenca e qytetarëve protestues për kauzën e Teatrit Kombëtar u shtua.

Protesta dhe konfrontimi me forcat e policisë nisi në orën 7 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 10 të darkës kur forcat e policisë u larguan në mënyrë të pashpjegueshme nga Teatri Kombëtar dhe qytetarët protestues të penguar nga kordoni policor në hyrje të teatrit u bashkuan me artistët dhe qytetarët e tjerë të cilët ishin “ngujuar” prej disa orësh në brendësi të ambjenteve të teatrit.

Basha u shfaq 2 herë ditën e djeshme në Teatrin Kombëtar duke shprehur mbështetjen e tij e cila u materializua sot nëpërmjet kontratës së nënshkruar nga të dy palët.

 

Çfarë parashikon marrëveshja?

 

“Me vendosmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një shteti të së drejtës, të një shoqërie demokratike që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut, me një sistem politik që garanton llogaridhënien dhe kufizimin e pushtetit, deklarojmë me përgjegjësinë tonë publike ndërmarrjen e këtij subjekti”, u shpreh regjisori Kastriot Çipi gjatë leximit të kontratës të nënshkruar nga të dy palët.

Kontrata e nënshkruar është e ndarë në disa pjesë kryesore, në radhë të parë lidhur me Teatrin Kombëtar, në radhë të dytë lidhur me masat për të garantuar demokracinë funksionale, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik si dhe lidhur me  nevojën për një Reformë të vërtetë në art dhe kulturë.

Në këtë kontratë në nënshkruar Partia Demokratike zotohet se do të mbështesë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit në veprimet e saj në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe se do të restaurojë kompleksin “Skanderbeg” në muajin e parë të qeverisjes së saj, duke hedhur poshtë gjithashtu dhe “ligjin special”.

 

Kontrata e plotë: