Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qytetarët “Marrin guximin” për të rihapur dyert e Teatrit Kombëtar

Marr guximin” titullohet vepra e cila  do të vendoset në skenë nga aktori Mehdi Malka. Monodrama do të çelë siparin sot në orën 20:30, në sallën e Teatrit Kombëtar, hapësirë e cila është ri-marrë në dorë nga qytetarët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Aktiviteti i sotëm shënon rihapjen e Teatrit Kombëtar një vit pasi qeveria vendosi mbylljen e tij në vijim të planit të shumë debatuar për shembjen e godinës dhe tjetërsimin e truallit përreth në kulla shumëkatëshe dhe një teatër të ri.

 

Çfarë po ndodh aktualisht me çështjen e Teatrit Kombëtar?

Teatri Kombëtar u gjend i rrethuar ditën e mërkurë nga forca të shumta policore që u ndeshën me rezistencën e qytetarëve dhe artistëve të cilët prej një viti e gjysmë kundërshtojnë planet e qeverisë. Ditët pas sprapsjes së aksionit policor nuk i ngjajnë aspak fundjavave të verës kur çdo gjë duket se ndalon.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE iu përgjigj  dje Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me një koment ku bëhen të ditura qëndrimet e institucionit: “Marrë në shqyrtim zhvillimin e djeshëm ku Presidenti i Republikës dërgoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin special mbi ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, të gjitha palët e përfshira duhet të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të ndërmarrin hapa të mëtejshëm”.

Ky reagim është pritur në mënyre pozitive nga mbështetësit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT). “Të presësh vendimin e Gjykatës, si u shpreh ai, është mesazh që nuk duhet prishur Teatri derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese” u shpreh për Citizens Channel Andi Tepelena, aktivist i AMT

 “Ashtu siç kemi thënë prej kohësh, pa një shqyrtim normal në Gjykatën Kushtetuese çdo veprim ndaj godinës është i jashtëligjshëm dhe kriminal“, u artikulua  Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit menjëherë pas deklaratës publike të Sekretarit të Përgjithshëm, Thomas Greminger, duke e mirëpritur qëndrimin e tij. Një një postim në rrjetet sociale ata falenderuan përfaqësuesin e OSBE-së, dhe kërkuan që institucionet lokale ta dëgjojnë qartë mesazhin e tij.

 

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU)  i vlerësoi si të pakuptimta arsyet e paraqitura nga Bashkia e Tiranës për shembjen e objektit kulturor. Këshilli paraqiti një listë argumentesh teknike që lidhen me urbanizimin e zonës, vjetërsinë e godinës, vlerat arkitektonike dhe faktin se Teatri nuk mund të trajtohet si pronë e bashkisë.

Reagimi i plotë i Këshillit të FAU:

Unioni Shqiptar i Arkitektëve dhe Urbanistëve (AUA) ka publikuar një reagim ku e cilëson vendimin për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar si një “ndërhyrje urbanistike mizore e përligjur djallëzisht nga papërgjegjësia historike ndaj qytetit”.

“Në vend që të fillojmë qytetin nga e para sa herë i teket dikujt do të ishte më e shëndetshme të mësojmë ta shtresëzojmë. Nëse trashëgimia e ndërtuar do të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyre së shpejti qytetet tona do të transformohen në fjetore kullash prej betoni”, thuhet në reagimin e AUA.

Njoftimi i plotë:

Në të njëjtën kohë Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj vijojnë betejën e reagimeve duke ripublikuar pamje arkive nga reagimet e artistëve Drita Haxhiraj,  Rajmonda Bulku, Leka Bungo dhe diplomatit Jusuf Vrioni.

Gjatë këtij një viti e gjysmë rezistencë qeveria është detyruar të lëshojë shumë nga plani i saj nismëtar për shkak të presionit të artistëve, qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare.

Fillimisht duke ndryshuar projektin për të zvogëluar sipërfaqen e truallit publik që i falej kompanisë private për tu shndërruar në kulla shumëkatëshe, në shkëmbim të godinës së re. Megjithë ndryshimin, pjesa dërrmuese e parcelës së ndërtimit prej 9768m2 mbetet prona publike (8465 m2), ndërsa tokë privatë është vetëm 1303 m2.

Më pas duke rishikuar “ligjin special” ku për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare shkruhej emri i kompanisë private të paracaktuar për realizimin e projektit. Edhe pas hapjes së garës, kriteret e vendosura në procedurën e tenderimit ngrenë sërish dyshime se ajo do të jetë fiktive dhe është po e njëjta kompani që do e realizojë projektin ku përllogariten më shumë se 120 milion euro fitime.

Megjithatë ndryshimet në ligj dhe projekt nuk e prekin thelbin e kërkesës së artistëve qytetarëve dhe aktivistëve, që është rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar dhe ruajtja pronës publike përreth, për të ndërtuar një Teatër të Ri diku tjetër.

*Citizens Channel /L.K./ /E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *