Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vijon beteja për Teatrin Kombëtar – Reagime dhe kundërpërgjigje mes akivistëve, ndërkombëtarëve dhe qeverisë

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) i ka dërguar sot përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar një letër, ku i ka njohur me zhvillimet më të fundit të zhvilluara në Teatrin Kombëtar.

Në letrën e AMT rikujtohet se prishja e Teatrit Kombëtar, do të vijohet me ndërtimin e një ndërtese të re, dhe në shkëmbim kompania private do të shfrytëzojë një pjesë të tokës publike për ndërtime rezidenciale. Pas përshkrimit të të gjithë situatës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve për të ushtruar presion mbi qeverinë në mënyrë që të ndalojnë planin për prishjen e Teatrit Kombëtar.  

“Ne ju lutemi sot që të ushtroni presion mbi qeverinë për të ndalur planin e saj për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe për të lejuar vendimin e një sistemi gjyqësor plotësisht funksional. Ju i keni kushtuar paratë tuaja, energjinë tuaj dhe burimet tuaja për të ndërtuar një demokraci funksionale, sundimin e ligjit, ndarjen e pushteteve dhe kontrollet dhe balancat në Shqipëri. Është koha që të mbani qeverinë shqiptare të përgjegjshme ndaj një standardi të tillë “.

Reagime 

Për çeshtjen e Teatrit ka reaguar së fundmi edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca. Sipas tij, më e rëndësishme është sundimi i shtetit ligjor.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca

Është lançuar tender, kritere të qartë dhe transparente për këtë projekt dhe po ashtu të ketë një qasje të drejtë dhe të ndershme në lidhje me këtë cështje. Mendoj që kjo është një cështje e cila vazhdon të ketë debat të madh në Shqipëri. Për ne, siç e thashë, është e rëndësishme të respektohet sundimi i ligjit. Procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE, tenderi është i hapur deri në shtator, e rëndësishme është çështja e konkurrencës së lirë dhe të drejtë dhe ai të jetë i hapur deri në 19 shtator”.

Ndër të tjera ai ka shtuar se kjo është një çeshtje e cila nuk u takon ndërkombëtarëve, por autoriteteve shqiptare.

Kjo cështje është shumë e rëndësishme, pjesë e një debati intensiv që po bëhet në shoqërinë shqiptare që janë përfshirë shumë ndjesi, ndjenja, dhe është një cështje delikate por edhe e politizuar. Nuk na takon ne që të themi nese duhet të ketë një ndërtesë të re apo rinovim të ndërtesës së vjetër, këtë e thanë autoritetet shqiptare. Pozicioni ka qenë mjaft i qartë që nga shtatori i vitit të shkuar”- ka deklaruar Soreca.

Ditën e djelë, në Teatrin Kombëtar shkoi edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak, e cila u informua nga aktivistët me të rejat më të fundit.

“Të mbrohet tempulli i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, është thirrja me të cilën nis deklaratën e saj edhe Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës në faqen zyrtare në rrjetin social facebook. Shoqata sindikale Kosovare shprehet se në vendet demokratike nuk rrënohen objektet që paraqesin pasuri historike dhe kulturore.

“Në asnjë vend demokratik nuk rrënohen objektet që paraqesin pasuri historike dhe kulturore, por këto objekte mirëmbahen, restaurohen dhe rifunksionalizohen, prandaj ç’do tëndencë për rrënimin e objekteve të tilla përfshirë dhe Teatrin Kombëtar është sulm mbi historinë, kulturën dhe shkëputje e dhunshme nga vlerat e të kaluares.Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës kërkon nga institucionet vendimarrese të shtetit shqipëtar, që urgjentisht të anulojnë vendimin për rrënimin e këtij objekti dhe të fillojnë procedurat për restaurimin dhe rifunksionalizimin e tij për arësye se e ardhmja e ndritshme e një institucioni dhe vendi nuk ndertohet mbi rrënojat e të kaluares, por mbi themelet e sigurta të saj.”


 

Sallës së teatrit Kombëtar i rikthehen artdashësit 

Mbrëmjen e së shtunës, salla e Teatrit Kombëtar e lënë prej më se një viti e mbyllur me urdhër nga qeveria, u mbush plot e përplot me dashamirës të artit. Aktori Mehdi Malka, rivuri në skenë monologun “Marr guximin” të Vangjel Kozmës pesë vite pasi e kishte vënë në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli.  Shfaqja u shoqërua me emocione të forta nga vetë aktori Malka, por edhe të pranishmit, të cilët duartrokisnin pa reshtur.

 

Reagimet e qeverisë për çeshtjen e Teatrit 

Teatri Kombëtar u rrethua nga forcat e policisë në mëngjesin e 24 korrikut. Gjatë ditës pati konfrontim mes policisë dhe protestuesve, si dhe disa prej artistëve dhe aktivistëve u ngujuan brenda ambjenteve të teatrit. Në mbrëmjen e vonë, protestuesit arritën të çajnë kordonin e vendosur nga forcat policore duke kulmuar në rezistencën e tyre.

Pas ditës së 24 korrikut, Kryebashkiaku Veliaj dhe Kryeministri Rama nisën një fushatë online me përfaqësues të teatrit ndër vite dhe reagimet pro prishjes së Teatrit. Në një postim tw tij Kryeministri Rama shkëput fjalët e regjisorit Mihallaq Luarasi, të cilat sipas Kryeministrit ishin amaneti i tij për Teatrin:

“Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri”. 

Por ky postim, ka sjellë reagimin e birit të regjisorit, Eldon Luarasi, i cili i ka kërkuar kryeministrit Rama të mos trazojë personat që nuk mund t’i përgjigjen apo kundërshtojnë. 

“Mos i trazoni të vdekurit Z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë.

Në emër të tim eti, njeriut që i kushtoi jetën Teatrit, po ju bëj me dije se unë i biri, amanetin e tij mbi Teatrin Kombëtar, e njoh më mirë se kushdo tjetër.

Në një nga librat e tij im atë ka shkruar: “Varrmihësit nuk dëgjojnë se nuk duan të dëgjojnë. Ata duan të hedhin lopatat e fundit të dheut mbi arkivolin e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar nuk mund të vritet sepse këtë krim mund ta bëjë vetëm një armik i jashtëm, një pushtues që shtien për të vrarë kombin tonë. Sot për sot ne nuk jemi të pushtuar (dhe asnjëherë mos qofshim), prandaj kjo gjëmë është e pamundur.”

Që prej një viti e gjysmë jam pjesë e Protestës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar fillimisht si qytetar dhe më pas si artist me bindjen se Demokracia e vërtetë mbart vlera të padiskutueshme.”

 

*Citizens Channel /E.K/ 

 

 

 

 

 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *