Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat ndërkombëtare të lirisë së mediave thirrje qeverisë: “Tërhiq projektigjet e ‘anti-shpifjes”

“Qeveria të tërheqë legjislacionin e “anti-shpifjes”. Kjo ka qene thirrja e pesë organizatave ndërkombëtare të lirisë së medias drejtuar qeverisë shqiptare, të premten, me anë të një deklarate të përbashkët.

Article 19, Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias (ECPMF), Reporterët pa Kufij (RSF), Organizata e Mediave e Evropës Juglindore (SEEMO),Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), kanë kërkuar që qeveria shqiptare ti tërheqë dy projektligjet e propozuara si dhe i bën thirrje parlamentit të mos i aprovojë ato.

Organizatat tona ngritën shqetësimet tona të mëdha për legjislacionin e propozuar gjatë takimit tonë në qershor 2019 me kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar që ndryshimet të bëhen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sidoqoftë, ndryshimet e rishikuara të 3 korrikut vazhdojnë të mbeten shumë larg nga praktikat më të mira të ndërkombëtare, të OSBE dhe  Këshilli i Evropës . Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), gazetarët vendorë dhe shoqëria civile kanë ngritur vazhdimisht shqetësimet e tyre serioze se kjo paketë do të ishte e dëmshme për lirinë e shprehjes në internet. Ne bashkohemi me shoqërinë civile shqiptare dhe mediat e pavarura duke i bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të tërheqë këto dy projektligje dhe i bëjmë thirrje parlamentit që të mos i aprovojë ato.”

Ndryshimet në ligjin për “Mediat audio vizive në Republikën e Shqipërisë” , sipas organizatave fuqizojnë organin administrativ shtetëror AMA, për të rregulluar përmbajtjen e mediave online.

“Këto projektligje kërkojnë të imponojnë një regjim të kontrollit administrativ në median online përmes Autoritetit Audio Visual Media (AMA), një masë e cila është e paparë në shtetet demokratike. Në nenin 11/2 thuhet se “qëllimi i punës së Këshillit të Ankesave është të mbikëqyrë dispozitat e këtij ligji, Kodin dhe rregulloret e aprovuara nga AMA, veçanërisht të lidhura me respektimin e dinjitetit dhe të drejtat themelore të njeriut.” AMA është një institucion anëtarët e bordit të të cilëve emërohen dhe pushohen nga gjykimi i partive politike. Përmes Këshillit të Ankesave që është pjesë e AMA, projektligjet kërkojnë të zëvendësojnë një model të vetë-rregullimit të mediave në internet duke kufizuar  rolin e gjykatave.

Sipas pesë organizatave ngritja e një Këshilli Ankesash që i detyron mediat online të botojnë ndjesa, apo të heqin përmbajtjen në rast shkeljeje dinjiteti apo privatësie, është shumë i gjerë dhe i paracaktuar në mënyrë të paqartë. Në këtë formë, sipas organizatave, Këshilli i Ankesave fare mirë mund të kthehet në një organ censure.

“Ne jemi të brengosur që mund të fuqizohet Këshilli I Ankesave duke u bërë një organ censure, duke urdhëruar heqjen e përmbajtjes së mediave në internet në mënyrë pothuajse diskrecionale dhe pa një urdhër gjykate. Një organ administrativ, siç është AMA, nuk mund dhe nuk duhet të kalojë kompetencat për të shqyrtuar shpifjet, të cilat duhet të gjykohen nga gjykatat përmes procedurës penale dhe civile.”

deklaratën e përbashkët thuhet se këto projektligje nuk janë hartuar përmes një procedure transparente dhe në konsultim me gjithë aktorët e interesuar. Ndër të tjera, organizatat shtojnë se në vend që qeveria të kërkojë rregullore të mëtejshme administrative për shpifje, ajo duhet të kërkojë dekriminalizim të plotë të saj, ashtu sikundër sugjerohet edhe nga praktikat më të mira ndërkombëtare.

Organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias, sikundër Citizens Channel ka raportuar edhe më herët, kanë qenë të pranishme në Tiranë, në një mision tre ditor ku janë njohur me situatën e medias në Shqipëri dhe kanë zhvilluar takime me krerët e lartë të politikës dhe mediave. Në përfundim të këtij misioni ata publikuan edhe një raport në të cilën pasqyrohej se Shqipëria nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të shtypit.

 Reagimi i OSBE-së dhe Kryeministrit Rama për “Paketën antishpifje”

Në konferencën para shtypit, të mbajtur ditën e djeshme, më datë 30 korrik, Kryeministri Rama i pyetur nga gazetarët për projektligjet për median online, u shpreh se paketa “antishpifje” është në proces. Edhe pas kritikave të marra nga përfaqësues të OSBE-së, për këtë paketë, kryeministri Rama deklaroi se ky ligj është punuar me ekspertë të OSBE-së.

“E kemi harmonizuar ligjin me OSBE-në dhe në shtator ligji do të futet me procedurë. Nuk jam në dijeni të detajeve por di të them që ligji është punuar ngushtësisht me ekspertë të OSBE-së”

Ndërkohë, në 11 korrik, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, publikoi një përmbledhje ligjore të projektligjit për Shërbimet e Mediave në Shqipëri.

Përfaqësuesi nënvizoi se është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave në vend. Ai theksoi se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audiovizive nuk duhet të jetë zëvendësuesi i gjyqësorit të pavarur ose mekanizmave të duhura vetë-rregulluese për çështjet e lirisë së shprehjes, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin e përmbajtjes, gjobitjes për shkelje të ligjit dhe modalitete të së drejtës së përgjigjes.

Harlem Désir, Pëfaqësues i OSBE-së

Përfaqësuesi i OSBE-së e konsideroi bllokimin ose pezullimin e botimeve në internet si një masë ekstreme shtetërore përballë të drejtës së lirisë së shprehjes, dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masat e tjera nuk mund të zbatohen.

“Mekanizmat e duhur të apelimit dhe rishikimit përpara gjyqësorit duhet të vendosen si një mbrojtje për botuesit dhe qytetarët. Në rrethana të tjera, masat e tilla duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë penale. Kompetencat e AMA nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja “

Në përfundim, përfaqësuesi i OSBE-së e konsideroi mjaft të rëndësishme përfshirjen në procesin e konsultimeve të profesionistëve të mediave, gazetarëve dhe aktorëve vendorë.

“Zyra ime është e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë për këtë ligj të rëndësishëm. Është me shumë rëndësi që procesi i konsultimit publik të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë profesionistët e mediave, organizatat e gazetarëve dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm vendorë dhe ndërkombëtarë të mediave”.

 

*Citizens Channel /E.K/ 

 

 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *