“E keni gjithë infrastrukturën teknike në dispozicion prej meje, dhe pastaj herë pas here vija, nuk mund të isha gjithmonë”, tregon me entuziazëm Edi Dingu, i cili edhe kësaj radhe ishte i fundit që mbylli dyert e Teatrit Kombëtar. Jo për t’i dhënë shëndenë e fundit, por pas një shfaqjeje artistike që i dha jetë një tjetër nate në sallën e tej mbushur me artdashës e qytetarë.

Edi vjen sa herë ka shfaqje artistike, pasi merret me organizimin dhe mbarëvajtjen teknike të zërit dhe dritave, në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë, edhe pse organet kompetente shtetërore kanë ndërprerë dritat dhe ujin në Teatrin Kombëtar pas protestës së 25 korrikut.

“Realisht në pjesën e Teatrit Kombëtar, dritat ishin shkëputur një javë apo më shumë përpara, sepse këtu është hequr fondatori i energjisë, është hequr tubacioni i ujit . Në datë 25 shteti vazhdoi ciklin. U mundua dy ditë ta gjente se ku hiqeshin dritat dhe nuk i gjenin dot, kështu që ne patëm favorin për përgatitje. Sollëm gjeneratorin e madh sepse që në momentin që jemi prezent këtu ishte ideja që do gjallërohet jeta artistike, të kundërveprohej jo me dhunë, por që t’i vitalizojmë këto dy institucione me shfaqje siç po bëhet këto ditë, kështu që jemi totalisht të pavarur me të gjitha llojet e energjisë”.

Edi Dingu | Aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit | Foto: Erisa Kryeziu | Citizens Channel

Edi thotë se kjo është një punë e cila do organizim dhe forcë por ja vlen për qëllimin e kauzës që është mbrojtja dhe ruajta e trashëgimisë kulturore për të gjitha vlerat që ka.  

Faktikisht është një detyrë që duhet një tjetër lloj organizimi, me shumë forca, me shumë prurje që të arrijmë jo vetëm këtu të japim shfaqje, por të japim paralelisht në dy institucionet. Dhe ne kemi parasysh disa skena, skena qendrore e këtij teatri, skena e hapur dhe në atë teatër (eksperimental) kemi edhe dy të tjera“.

Shfaqja e dytë në Teatrin Kombëtar 

Mbrëmja e së enjtes ngjiti në sallën e Teatrit Kombëtar dy aktorë, Arben Bajraktarin dhe Bob Berky.

Salla e teatrit u shpluhuros sërish nga prania e shumtë e qytetarëve dhe artdashësve të cilët mezi prisnin shfaqjen artistike të radhës. Sipas Robert Budinës, i cili bëri mirëseardhjen e të pranishmëve kjo është një qëndresë ndaj qeverisë.

“Kjo është një qëndresë ndaj qeverisë dhe arma jonë me e mirë është arti”, u shpreh Budina.

Ngjitja në skenë e Aktorit Bajraktari u mirëprit me duartrokitje si dhe me dorëzimin e çmimit të fundit të marrë prej tij si aktori më i mirë në filmin “Streha mes reve” me regji të Robert Budinës, në Festivalin Pri Film në Prishtinë. Për sallën e Teatrit Kombëtar, Bajraktari interpretoi një tekst të Teki Dervishit nga vepra “Shtëpia e Sëmurë”.

Skena e Teatrit Kombëtar, përveç aktorëve shqiptarë, ka mirëpritur edhe aktorin amerikan Bob Berky i cili përformoi një pjesë nga repertori i tij gjestikulativ. Përfshirja në performancë e të rinjve nga publiku e bëri edhe më të këndshme atë, duke e përmbyllur me duartrokitje të vazhdueshme.

Bob Berky: “Cështja e Teatrit nuk duhet gjykuar përmes lakmisë”; Intervista e plotë:

 

Arsita Mati , e cila kishte ardhur të ndiqte shfaqjen na tregon se kjo është e vetmja qasje që i shërben artit.

“Rezistenca nëpërmjet artit është një akt i pastër politik, të cilin sa më shumë ta përvetësojmë aq më mirë i bën historikut tonë të brishtë të protestës si dhe i thërret formësimit të vetëdijes qytetare”.

Sipas saj sot, Teatrit Kombëtar po i shtohet një tjetër vlerë e cila do të duhet të gjurmohet nga librat historikë, vlera e rezistencës politike nëpërmjet artit.

“Përshkallëzimi i protestës nëpërmjet manifestimit artistik, siç po ndodh me rimarrjen e Teatrit Kombëtar për të vënë në skenë shfaqje të ndryshme në mënyrë vullnetare, jep një mesazh të fortë për të gjithë qytetarët të cilët ndiejnë se është detyra e tyre të jenë pjesë e kësaj rezistence”.

 

Ashtu si Arsita, edhe Ebi Spahiu, e cila frekuenton të gjitha shfaqjet artistike në Teatër, ndjehet optimiste kur shikon të gjithë këtë reagim nga publiku, me pjesëmarrjen masive. Tanimë, ajo nuk ka më frikë për shembjen e Teatrit.

 

Nuk përjetoj frike, thjesht mendoj çfarë vlere do i shtonte qytetit në qoftë se një hapësirë e tille do ishte restauruar dhe mirëmbajtur. E gjithë hapësira brenda dhe jashtë teatrit është ne harmoni te plote me qytetin. Duhet te ngelet e tille.”

 

Teatri Kombëtar, tashmë i marrë në dorë nga aktivistët do të vijojë me shfaqje të tjera që janë paralajmëruar për t’u vënë në skenë nga artistët. Më 4 gusht, ajo që do të ngjitet në skenë është aktorja Justina Aliaj.

Prej më shumë se një viti e gjysmë, Teatri Kombëtar është kthyer në një hapësirë rezistence dhe protestash për ta mbrojtur atë dhe truallin përreth, që prej vendimit të qeverisë për ta mbyllur dhe ndërtuar një teatër të ri duke planifikuar edhe ndërtimin e disa kullave pranë tij.
Lexo më shumë këtu

*Citizens Channel /E.K/ /E.N/