Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kaos me sigurimet dhe shkarkimet nga detyra, mësuesit e Durrësit përballë padrejtësive të DAR

Autore: Elvina Garo | Citizens Channel 

Sistemi arsimor parauniversitar në vendin tonë mbetet thembra e Akilit. Militantizmi, nepotizmi, paaftësia, largimet e pamotivuara nga puna, mosderdhja e sigurimeve shoqërore janë hallka të një zinxhiri problematike, i trashëguar ndër vite. Vetëm Bashkia e Durrësit, me ndarjen e re territoriale, administron 121 institucione të arsimit parauniversitar: 46 shkolla 9 vjeçare dhe 15 të mesme.

Mësuesit, në mënyrë të veçantë, ata, që kanë mbushur moshën për të dalë në pension, gjatë plotësimit të dokumentacionit, janë përballur me parregullsi. Mosderdhja e sigurimeve shoqërore nga punëdhënësi, DAR Durrës, i ka penalizuar, për më tepër, që nuk kanë qenë në dijeni të këtij fakti. Për muaj të veçantë, në disa raste, edhe për vite të plota, mësuesit figurojnë të pasiguruar pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Durrës.

Mimoza Çelçima ka punuar për 20 vite si mësuese e gjeografisë në shkollën e mesme të përgjithshme “Naim Frashëri”. Në datën 7 korrik të 2015-ës, me një vendim të Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës është larguar nga detyra, me motivacionin: “E paaftë fizikisht dhe mendërisht në ushtrimin e detyrës”.
Një vendim i padrejtë është cilësuar nga zonja Çelçima, e cila nuk ka hezituar të kërkojë të drejtën e saj.
Ajo e ka ankimuar këtë vendimmarrje, pranë Drejtorisë së Shkollës së mesme të përgjithshme “Naim Frashëri”, Drejtorisë Rajonale të Arsimit Durrës, Ministrisë së Arsimit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), paralelisht edhe pranë Gjykatës Administrative Durrës.

Pas një hetimi gjashtë mujor, KMD, ka dalë në përfundimin se largimi nga detyra i mësueses Çelçima, ka qenë i padrejtë dhe ka kërkuar rikthimin e saj në punë. Vendimi me numër 140/1 i datës 26.01.2016 i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk është vënë në zbatim, ndonëse kanë kaluar 3 vite.

Ndërkohë, që procesi gjyqësor vijon, bazuar në dokumentacion, Mimoza ka zbuluar një tjetër fenomen, që mban autorësinë e DAR Durrës.
Rreth 200 mësues kanë vijuar të qëndrojnë në sistem, me siguracione 0 për rreth dy vite, ndonëse ishin larguar nga puna, për motive të ndryshme.
Në datën 3 Tetor 2017, me një urdhër të brendshëm, janë hequr nga sistemi i deklarimit online si punonjës aktivë 90 mësues, ndërsa disa muaj më vonë, në korrik janë larguar edhe 72 të tjerë.

Në lidhje me këtë çështje, ndaj këtij institucioni, janë ndërmarrë edhe masa administrative, në mënyrë më konkrete është gjobitur nga Inspektoriati Rajonal i Punës me 4 milion e 800 mijë lekë.

Mësuesit e gjejnë veten të përjashtuar nga skema e pensionit

Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura të Qarkut Durrës, Zija Alhysa, denoncon një fenomen të përsëritur në institucionet e arsimit parauniversitar në qytetin bregdetar, gjatë viteve të fun dit: “Nga viti 2013 deri në 2017, me shkëputje, por ka muaj shumë të pasiguruar, domethënë i mbahen lekët dhe nuk i janë paguar siguracionet. Këtë e vërtetuam te njerëzit, që kanë dalë në pension, kanë pasur shumë probleme për t’igjetur muajt”, deklaron Zoti Alhysa.

Shifrat janë alarmante, sipas zotit Alhysa, i cili në të njëjtën kohë sqaron se nga frika arsimtarët ngurrojnë ta pranojnë këtë fakt.

“Mësuesit kanë frikë të flasin edhe me ne të sindikatës, pasi i rrezikohet vendi i punës”, sqaron Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura të Qarkut Durrës.

Citizens Channel iu drejtua Gjykatës së Rrethit Durrës për të mësuar përmasat e këtij fenomeni. Përgjigja e institucionit tregon se edhe vetë gjykata nuk është në dijeni të numrit të çështjeve që ka administruar mbi parregullsitë në sistemin arsimor. Kjo për shkak të mënyrës si funksionon sistemi informatik i menaxhimit të çështjeve gjyqësore: ” Ky sistem mundëson kërkimin e çështjeve vetëm në bazë të emrit të palëve, mbiemrit të palëve, numrit të çështjes, numrit të vendimit, emrit të gjyqtari, datës së vendimit por jo sipas objektit të natyrës së çështjes”, theksohet në përgjigjen e Gjykatës së Durrësit.

Megjithatë nuk mungojnë mësuesit në Durrës, si në rastin e zonjës Mimoza Çelçima që bazuar në dokumentacionin individual mund ta faktojnë këtë abuzim.

Dy herë sigurime për të njëjtin pozicion pune

Personat juridikë dhe fizikë janë të detyruar të deklarojnë, në formë elektronike, në organet tatimore të larguarit nga puna, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.
Në rast  të kundërt, detyrimet  për kontributet e sigurimeve, do të llogariten për të gjitha periudhat tatimore, deri në datën e deklarimit në organet tatimore të punonjësve të larguar nga puna. Secilit nga arsimtarëve, që kanë qenë të përfshirë në listë, megjithëse nuk kanë qenë në marrëdhënie pune, i janë paguar sigurimet, deri në momentin që janë hequr nga sistemi.

Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, çdo mësuesi i paguhen mesatarisht rreth 12 mijë lekë të rinj sigurime në muaj, për 24 muaj kjo shumë shkon rreth 288,000 lekë, që është përfituar secili nga arsimtarët, që DAR Durrës nuk i ka hequr nga sistemi për rreth dy vite. Ndërsa, në të njëjtën kohë i janë paguar sigurimet edhe mësuesve, që kanë zëvendësuar të larguarit nga puna. Pra, për të njëjtin vend pune kanë figuruar në sistem dy të punësuar.

Problemi qëndron i pazgjidhur, ndërsa mësuesit vijojnë të zhvillojnë procese të tejzgjatura gjyqësore. Institucionet ja pasojnë topin njëri-tjetrit, duke mbuluar hijet e një skandali të përmasave, që mund të imagjinohen, por që nuk mund, as të përcaktohen dhe as të saktësohen.

Ristrukturimi i DAR, në rang kombëtar, e ka ndërlikuar edhe më tej situatën. Transferimi i të dhënave, në ZA Durrës kërkon kohë, duke mos krijuar mundësi për të monitoruar, atë, që ka ndodhur gjatë periudhës 2013-2017. Në mënyrë individuale, mësuesit tregojnë përvojat e përjetuara, që nisin me  largimet e padrejta nga puna dhe përfundojnë me mospagimin e sigurimeve shoqërore nga punëdhënësi.
Pa harruar dëmin, që i shkaktohet buxhetit të shtetit, nga sjelljet abuzive të drejtuesve të institucioneve. Referuar, raportit të Kontrolli të Lartë të Shtetit, i cili ka vlerësuar kostot reale, që sjell largimi i të punësuarve në administratë, kryesisht për shkaqe politike, i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 20 milionë dollarë çdo vit.
100 milionë euro dëmshpërblime dhe paga për largime të padrejta nga puna, janë paguar nga buxheti i shtetit, deri në vitin 2018. Detyrime, që i adresohen taksapaguesve, në mbarë vendin.

Sistemi arsimor parauniversitar në Durrës do të vazhdojë të qëndrojë në udhëkryq, për sa kohë mësuesit do t’i drejtohen organeve të drejtësisë, për çështje si: largimet e padrejta nga puna apo mos derdhja e sigurimeve shoqërore nga DAR.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *