Kontrolli  i Lartë i Shtetit në auditimet e kryera per periudhen 2014-2018 në 147 institucione ka konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare me dëm ekonomik të lartë.

Sipas hulumtimit të qendrës Open Data Albania, institucionet ku janë kryer auditimet janë të nivelit qendror dhe të qeverisjes lokale, por duke mos përjashtuar edhe shoqëri tregtare me kapital shtetëror apo të përbashkët si dhe projekte me financim të huaj. Dëmi ekonomik në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera arrijnë shumën totale prej 24 miliardë lekë.

Institucioni i kontrolluar i cili rezulton me dëmin më të lartë është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me një vlerë prej 13 miliardë lekësh. Pas Drejtorisë së Tatimeve, renditet shoqëria publike Albpetrol sh.a me një vlerë të dëmit prej 4 miliardë lekësh, ndërsa 1 miliardë lek është dëmi i llogaritur nga Korporata Elektro Energjitike (KESH).

Dogana e Tiranës, ajo e Fierit dhe e Durrësit qëndrojnë në krye të rënditjes për dëmin ekonomik krahasuar me doganat e tjera në vend, përkatësisht me 811 milionë lek, 504 milionë lek dhe 385 milion lek dëm secila. Hekurudha shqiptare përllogarit një dëm ekonomik prej 30 milionë lekësh, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka një dëm prej 70 milionë lekësh, e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes me 69 milionë lek dhe nga Ministria e Brendshme me 39 milionë lek dëm ekonomik. 


 

Sipas Open Data Albania , KLSH i ka kryer auditimet sipas Planit të Auditimeve të Institucionit gjatë muajit janar-dhjetor 2018, por auditimi përfshin periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2018.

Auditimet nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë realizuar në 49 raste në Ministri dhe Institucione Qendrore, 51 raste në Insitucione të administratës së vetëqeverisjes vendore, 9 raste në drejtori dhe degë të tatimeve dhe doganave, 21 raste në Institucionet Financiare dhe Shoqëritë me kapital të përbashkët shtetëror, 7 raste në Njësi të projekteve me financime të Huaja si dhe 6 subjekte të mbrojtjes së mjedisit.

Tabelën e plotë të institucioneve të audituara mund t’a gjeni këtu  Tabela e plotë 

*Citizens Channel /E.K/