Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Përjetimet dhe pritshmëritë gjatë shtatzënisë, një hendek i madh midis

Alice Taylor është një gazetare britanike, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe çështjeve mjedisore, e cila jeton në Shqipëri prej pak vitesh. Ajo ka krijuar blogun “The Balkanista”, në të cilin shpreh mendime personale rreth politikës, modës, artit, udhëtimet dhe feminizmin bazuar në eksperiencën e saj. Kontribuon në media të tjera të njohura si Exit.al duke u fokusuar në lirinë e medias dhe korrupsionit në Shqipëri. Tashmë prind i një fëmije me partnerin e saj shqiptar, Alice Taylor ndan me Citizens Channel përjetimet dhe vështirësitë që has në përditshmërinë e saj përgjatë procesit të prindërimit.

Shtatzënia konsiderohet një proces shumë i bukur, të cilin e shijon çdo nënë dhe e dëshiron çdo grua. Në fakt, shtatzënia mund të rezultojë një proces shumë i ndërlikuar i cili shoqërohet me ndryshime fizike, hormonale, sociale. Si ka ndikuar ky mit gjatë shtatzënisë tende?

Kam vuajtur nga depresioni i rëndë para lindjes (duke përfshirë sulmet e panikut), gjakderdhje të vazhdueshme, rrezik dështimi të fëmijës, pre-eklampsia, problemet me legenin dhe ecjen, dhimbja të nervit shiatik dhe pagjumësi gjatë gjithë shtatzënisë. Kam kaluar shumë kohë në spital dhe në pjesën më të madhe të shtatzënësi mjeku urdhëroi pushim në shtrat, ose më është thënë që të qëndroj në shtëpi.

Ishte gjithçka tjetër përveçse e bukur- kam urryer çdo sekondë dhe kam qarë çdo ditë të saj, ndonjëherë për orë të tëra, duke u ndjerë e ngecur në atë situatë, e mjerë, e dëshpëruar, në dhimbje dhe e tmerruar. Më vjen të qaj edhe tani që po e shkruaj apo po mendoj rreth shtatzënisë. Unë e dua shumë ndjesinë e të qenit nënë dhe pothuajse çdo  ndjesi negative iku brenda një javë apo dy, por shtatzënia në vetvete ka qenë 9 mujori më torturues i jetës sime. Ndjehesha sikur nuk mund të ankohesha – kur u jam shprehur doktorëve ata janë tallur apo më kanë përqeshur, të tjerët kanë refuzuar të më japin mjekime për të më ndihmuar, të tjerë më kanë turpëruar duke më thënë që duhet të jem falënderuese për faktin që jam shtatzënë dhe se “e gjitha do ia vlejë”.

Më është thënë të “mendoj për beben” dhe “ta pranoj” pa pasur aspak konsideratë për mënyrën sesi unë ndjehesha – gjë që më bëri të ndjehesha si një inkubator, si një mbajtëse ku qëllim i vetëm është riprodhimi –  më kujtohet se kam dëshiruar të bie në koma gjatë gjithë pjesës së mbetur të shtatzënisë dhe të zgjohem pasi foshnja ime të ketë lindur- kaq e padobishme dhe e parëndësishme më ka bërë të ndjehem.

Askush nuk pyeti për mua, ata shqetësoheshin vetëm për fëmijën. “Mos u mërzit, do i bësh dëm fëmijës” – po unë?! Po shëndeti im?!

Çfarë përjetimesh fizike ke pasur gjatë shtatzënisë dhe a ishte aq “perfekte” sa e tregojnë imazhet e përgjithshme që na vine ndërmend sa herë mendojmë një grua shtatzënë?

Ishte e tmerrshme që nga dita e parë – unë u bëra një person krejtësisht tjetër, nuk e njoh atë person që kam qenë kur isha shtatzënë. Ndihesha e bllokuar në atë trup i cili thjesht vuante dhe kishte dhimbje dhe truri im thjesht nuk po më jepte paqe. Unë kam qene më e palumtur dhe e trishtuar se kurrë më parë, isha në dhimbje të vazhdueshme, po ashtu isha e tmerruar se do dështoja sa herë që ulesha, ngrihesha në këmbë apo kisha dhimbje në stomak.

A ke hasur gjatë shtatzënisë sjellje apo metoda që kanë si qëllim turpërimin e gruas duke i quajtur “nëna të këqija” të cilat nuk i duan fëmijët e tyre nëse tregojnë se nuk e kanë përjetuar mirë procesin i shtatzënisë?

Për mua kjo ishte e nënkuptohej  përmes komenteve me agresivitet pasiv. Mua më kanë bërë të ndihem fajtore për marrjen e paracetamolit për temperaturë, më kanë bërë të ndihem fajtore pasi kam kërkuar ilaçe që të trajtoj depresionin para lindjes, më kanë bërë të ndihem fajtore për vendimin e të mos- ushqyerit me gji pasi ajo të lindte – për çdo vendim gjithkush e ka një mendim. Pyetjet, komentet dhe “këshillat” janë të gjitha gërryerje graduale të cilat minojnë aftësitë prindërore të nënës. “A nuk ka vapë ajo në atë gjënë?” ose “Pse nuk po ushqen me gji?” mund të tingëllojnë si pyetje normale, por të gjitha nënkuptojnë se ne nuk po i bëjmë gjërat ashtu si duhet. Këto këshilla të pakërkuara në thelb të thonë: “Ti je një nënë e keqe, mënyrat që përdor unë janë më të mira“.

Nisur nga eksperienca jote, mendon se gratë janë të përgatitura për ndryshimet fizike që përfshijnë shtimin në peshë dhe jo vetëm, pasi lindjes së fëmijës?

Në asnjë mënyrë! Unë isha e informuar për depresionin pas lindjes, por nuk kisha asnjë ide rreth depresionin para lindjes, dhimbjen e legenit, pagjumësinë, ndryshimet hormonale, rrezikun e gjakderdhjes si në rastin tim etj,. Njerëzit flasin vetëm për gjërat e mira – ata ose harrojnë ose kanë turp të flasin për anët negative pasi kanë frikë se njerëzit mund t’i gjykojnë. Duhet të ketë më shumë ndershmëri dhe mjekët duhet të jenë më të përgatitur për të trajtuar efektet anësore negative, si dhe duhet të jenë më empatikë ndaj nënave në vend që të tallen me ato, duke mos i marrë seriozisht apo duke i turpëruar. Duhet të flasim hapur për të. Siç thashë, unë e dua amësinë dhe madje edhe dita më e vështirë është më e lehtë sesa një ditë shtatzënie për mua – askush nuk të informon për gjërat që mund të shkojnë keq apo që mund ta bëjnë atë një eksperience më pak të bukur.

Sa të informuar janë njerëzit dhe personeli mjekësor rreth depresionin gjatë shtatzënisë? A e nënvlerësojnë atë duke e konsideruar një fazë transitore i cili do kalojë menjëherë pasi gruaja do ta mbajë foshnjën në duar? Si ndikon kjo?

Ata mendojnë se ne jemi duke e shpikur atë [depresionin] apo thjesht e injorojnë. Mua më qeshën në fytyrë dhe më thanë “A e di se sa gra shtatzënë kanë ardhur këtu duke qarë sot?” – fakti që për ata kjo ishte diçka qesharake tregon se sa serioz është problemi. Edhe anëtarët e familjes thjesht thanë “Qetësohu dhe përqendrohu tek fëmija”. Unë u detyrova të mos merrja ilaçe që mund të më ndihmonin dhe pastaj i refuzova edhe kur gjërat u përkeqësuan edhe më tej. Ata u munduan të më poshtëronin sepse doja t’i merrja teksa po ushqeja me gji fëmijën … mora një tjetër mendim nga një doktor me eksperiencë dhe ai më tha se ilaçin të cilit unë po i referohesha ishte tërësisht i sigurt dhe më i sigurti për sa i përket grave shtatzëna. Mënyra sesi doktorët më folën më bënë të mendoj se nëse e merrja atë, foshnja ime do të vdiste ose unë do të dështoja shtatzëninë.

Problemet e shëndetit mendor i vrasin gratë dhe një foshnjë ka nevojë për një nënë që është mirë mendërisht dhe e gjallë në mënyrë që ajo të kujdeset për të. Shëndeti fizik dhe shëndeti mendor i grave duhet të jenë po aq i rëndësishëm sa shëndeti i bebeve.

Po rreth depresionit pas lindjes, sa të informuar janë njerëzit dhe sa flitet rreth tij?

Njerëzit nuk janë të informuar. Në vendet e tjera ndryshon por mbetet ende një stigmë – pritet që ti të jesh shumë e lumtur sepse do të bëhesh nënë. Nëse nuk je, ti poshtërohesh dhe konsiderohesh mosmirënjohëse. Njerëzit mendojnë se depresioni është një zgjedhje ose nuk e kuptojnë se sa ndikime negative mund të ketë. Depresioni, në çdo formë, është i natyrshëm dhe duhet të trajtohet. Nuk të bën të jesh më pak si qenie njerëzore, nuk të bën më të dobët dhe nuk të bën të çmendur. Por, nëse ti nuk e trajton pikërisht atëherë lindin problemet. A e dini për shembull se gratë që vuajnë nga depresioni ose PTSD-[çrregullimi i stresit post-traumatik] (mjaft e zakonshme pas një lindjeje të ndërlikuar) kanë më shumë të ngjarë të jenë viktima të dhunës? Një nënë e shëndetshme është e barabartë me një fëmijë të shëndetshëm. Nëse dikush ju thotë se është në depresion ose i trishtuar, mos i injoroni, ndihmojini ata.

A është shoqërisht e pranueshme që pas lindjes së fëmijës, nëna duhet të heqë dorë nga stili i saj i jetesës dhe pasionet e saj për t’iu dedikuar fëmijës dhe nevojave të tij, të cilat duhet të jenë parësore?

Absolutisht jo. Zgjedhja është në dorë të gruas – nëse ajo dëshiron të heqë dorë nga puna e saj për të rritur fëmijën, shkëlqyeshëm, nëse dëshiron të kthehet në punë pas një jave dhe të punësojë një dado ose ta ndihmojë një anëtar i familjes, kjo gjithashtu është në rregull. Në të vërtetë, vendimi nuk i takon askujt tjetër përveç asaj dhe partnerit të saj. Nuk është e drejta e miqve, familjarëve, të huajve, njerëzve në internet, apo edhe mua që të jap një koment ose të them atë që është e pranueshme. Unë kam pasur njerëz të cilët kanë komentuar mbi zgjedhjet e mia dhe me mirësjellje u them atyre se nuk u takon si vendim.

A mendon se mungon informacion rreth ndikimit dhe përgjegjësitë që ka sjellja e një fëmije në jetën e secilit prind duke u krijuar atyre një situatë kaosi, mungese menaxhimi dhe ankthi?

Personalisht jo. Unë jam frikësuar nga ideja se do bëhesha prind, por është shumë më e lehtë sesa njerëzit e tregojnë. Ndërsa ata thonë “Oh, është kaq e mrekullueshme, do të jesh aq e lumtur!”,  njerëzit gjithashtu kënaqen duke u thënë grave shtatzëna sa e vështirë do të jetë, sa e dhimbshme është lindja, si jeta e tyre nuk do të jetë më e tyrja, si do të shkatërrohet trupi i tyre, etj,. duke i trembur nënat thuajse në nënshtrim … por realiteti, për mua gjithsesi, ishte shumë më i mirë nga çfarë unë prisja..

Pjesa më e vështirë për mua ka qenë përballja me kritikat, këshillat e pa kërkuara, njerëz që përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e mia prindërore, njerëzit që rrëmbejnë dhe prekin foshnjën time pa leje

A mendon se kurset e prindërimit janë diçka e nevojshme për individët që janë bërë prindër apo që do jenë prindër të ardhshëm?

Jo gjithmonë janë të nevojshme, por ato duhet të jenë lehtësisht të përballueshme dhe  të disponueshme për ata që i dëshirojnë. Ata duhet të përfshijnë nënën dhe babanë, t’i edukojnë për shtatzëninë dhe lindjen (çfarë të presim në realitet). Sigurisht, jo të gjithë kanë nevojë ose i duan ato, por ato duhet të jenë të disponueshme dhe një rëndësi i madh duhet t’i kushtohet përfshirjes së baballarëve.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *