Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shifrat e larta të vdekshmërisë në punë pas rastit të shembjes së skelës në Tiranë

“Për periudhën nga janari deri tani kemi 99 raste aksidentesh të ndodhura në punë dhe 88 punëmarrës të aksidentuar, nga të cilët 25 me pasojë vdekjen. 21 nga këto raste kanë ndodhur në sektorin e ndërtimit. Me 19 punëmarrës gjithsej të aksidentuar nga të cilët 8 me pasojë vdekjen”.  Kjo ka qenë shifra zyrtare e paraqitur nga drejtuesi i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Arben Seferaj, gjatë një deklarate për median ditën e sotme.

Ky reagim vjen pas ngjarjes së ndodhur pasditen e së premtes, ku dy punëtorë humbën jetën nga rrëzimi i skelës në një pallat 13 katësh në rrugën ‘Faik Konica” në Tiranë. Në pallat po kryhej termoizolimi në fasadën e tij, dhe gjatë punës u shkëput skela në dy prej kateve të godinës. Si pasojë humbën jetën punonjësit : Ergys Ibrahimi 31 vjeç dhe Orjan Kodra 36 vjeç. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur edhe tre punëtorë , Gentian Bardhi 44 vjec, Euglidios Lika, 34 vjec dhe Altin Marku 40 vjec, të cilët kanë marrë plagë të rënda në trup.

Subjektet të cilat kishin marrë në dorëzim pallatin për rikonstruksion janë “Xhimi Tarushi” dhe “Skela Syla”, si vazhdim i nismës së Bashkisë Tiranë për transformimin e qendrave të banuara përmes “Fondit për Komunitetin”.  Në deklaratën për mediat Seferaj u shpreh se subjekti “Xhimi Tarushi” nuk ka asnjë inspektim më parë nga inspektorët e punës, ndërsa subjektit “Skela Syla”, i janë lënë vazhdimisht për çështje që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, detyra me afat për tu realizuar dhe në një rast i është vendosur edhe masë administrative gjobë.

“Nga historiku i inspektimeve pranë arkivës të inspektoriatit shtetëror të punës dhe shërbimeve shoqërore nga vitit 2015 rezulton: subjekti “Xhimi Tarushi” nuk ka asnjë inspektim më parë nga inspektorët e punës. Duke qenë së aktivitet i subjektit “Skela Syla” sh.p.k është kryesisht i përqendruar në montimin dhe çmontimin e skelave që përdoren në ndërtim, ky subjekt punon në kantiere të lëvizshme, gjithmonë në dinamikë. Është inspektuar 16 herë nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, nga të cilat 13 herë nga dega rajonale e inspektoratit të Tiranës dhe dy herë nga dega rajonale Durrës, 1 herë nga dega rajonale Kukës.”

Ajo që vihet re është se pavarësisht tërheqjes se vëmendjes dhe gjobave të marra nga Inspektorati i Punës për këto subjekte, ato sërish vazhdojnë të kontaktohen nga institucionet vendore për kryerjen e punëve publike.

Sipas drejtuesit të ISHPSHSH-së, Instituti i Punës me burimet njerëzore që ka arrin të kontrollojë vetëm 6% të bizneseve aktive në Republikën e Shqipërisë. Prandaj edhe ndaj biznesit “Xhimi Tarushi” nuk është bërë asnjë inspektim. Për më tepër, ai ka propozuar si institucion një paketë për ndërhyrjen në kuadrin ligjor.

“Si institucion po propozojmë një paketë për ndërhyrjen në kuadrin ligjor, duek synuar një zbatueshmëri më me efikasitet të legjislacionit të punës duke evidentuar të gjithë konstatimet e hasura gjatë punës në hetimin e aksidenteve në punë. Duke mo pasur në synim në vetvete sanksionin e subjekteve por përmirësimin e situatës përmes informimit, këshillimit të subjekteve, ju bëjmë apel të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me rigorozitet ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve të tyre. “

Inspektimi sipas raportit të Inspektoratit Shtetëror të Punës për vitin 2018

Sipas një raporti të publikuar nga Inspektorati i Punës për vitin 2018, , numri më i madh i inspektimeve për rast aksidenti në punë dhe i punëmarrësve të aksidentuar është në degën rajonale Dibër, përkatësisht 30 raste. Ndërkohë që në të gjithë vendin për vitin 2018, inspektime për aksidente pune rezultojnë 162 raste, persona të aksidentuar rezultojnë 195, dhe 27 persona kanë pësuar aksident me pasoje vdekjen.

Numri më i madh i subjekteve të inspektuara për shkak të aksidenteve në punë rezulton në ndërmarrje prodhuese, ndjekur nga minierat dhe në vend të tretë qëndron fusha e ndërtimit. Janë 26 punëmarrës të aksidentuar në vitin 2018 në ndërtim, ndërsa 5 persona kanë humbur jetën, vetëm gjatë vitit 2018.

Në këtë studim pasqyrohet se rreziku i rënies nga lartësia gjatë punës së instalimit të skelave ka qenë 6.1%. Ndërsa ka rezultuar se në 7.4% të subjekteve të ndërtimit ekzistonte rreziku i rënies nga lartësia për shkak të mungesës së një rrethi sigurie. Sa i përket rrezikut të rënies nga shkallët apo vinçi, gjatë vitit 2018 ka rezultuar në 2.7% të aktiviteteve të kontrolluara.

Në 11.4% të subjekteve të kontrolluara, ekzistonte mundësia e lëndimit për shkak të ushtrimit të punës në dysheme të pasigurta. Lëndimet për shkak të punës në lartësi kanë qenë ta pranishme për 39 raste të kontrolluara, ndërkohë që në 44 raste të inspektuara mos fiksimi I skelave sipas standardeve përbën rrezik për lëvizshmërinë  tyre.

Masat e marra

Një ditë pas ngjarjes, policia e Tiranës arrestoi dy drejtues teknikë, atë të kompanisë e cila merrej me termoizolimin e pallatit dhe të kompanisë së skelave. Të arrestuarit janë Xhimi Tarushi, drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe Ilir Bendo, drejtues teknik i sigurisë së punimeve në firmën “Skela Syla . Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi P. S., me detyrë administrator i firmës skela “Syla”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”.


Ditën e sotme, gjykata e Tiranës vendosi masën arrest me burg për Ilir Bendon, drejtuesi teknik i sigurisë së punimeve në firmën “Skela Syla”, ndërsa për drejtuesin teknik të punimeve në firmën “Xhimi Tarushi” gjykata vendosi masën e sigurimit personal “arrest shtëpie”.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *