Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Kazanë që mbrohen nga shteti”

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 100

“Kur i afrohesh kazanëve, më vjen për të vjellë , e gjona kshu, se unë jam njeri  i sëmurë edhe s’e duroj dot erën, sidomos tashi në behar”, tregon Ramazani për Citizens Channel.

Ramazani ka rreth 4 vite që grumbullon mbetje të riciklueshme në kazanët e Tiranës, pas një tentative të dështuar për të fituar azil në Gjermani. Kjo nuk ka qenë puna e tij e përhershme, ka punuar nëpër fabrika dhe uzina të ndryshme gjatë regjimit të kaluar, por viteve të fundit është detyruar t’i drejtihet kazanëve për tê fituar para që mjaftojnë për mbijetesë. Ndihma financiare që merr nga shteti nuk i mundëson dot as blerjen e ilaçeve, të domosdoshme për shkak të sëmundjes së zemrës.

Grumbullimi dhe shitja e mbeturinave nuk është një punë e lehtë, por edhe e paligjshme! Tre vite më parë Bashkia e Tiranës vendosi se nuk do të lejonte mbledhjen e mbeturinave në mënyrë individuale dhe për këtë do të kishte penalitete edhe për grosistët e mëdhenj. Sipas Bashkisë zgjidhja e problemit ishte landfilli i Sharrës.

Në vitin 2018 grumbullimi individual i mbetjeve u shpall sjellje e palejuar si “Kundërvajtje në fushën e mjedisit” nga Bashkia Tiranë nëpërmjet një  Vendimi të Këshillit Bashkiak dhe u parashikuan masa administrative si gjoba deri në 20 mijë lekë.

Një grup organizatash të cilat veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri iu drejtuan Këshillit Bashkiak nëpërmjet një letre të hapur ku ndër të tjera kërkuan që të mos miratohej një nga nenet që kishte të bënte pikërisht me grumbullimin dhe riciklimin individual. Këto organizata e konsideruan këtë nen si një shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

Familja e Ramazanit është një nga shumë familjet që u prek nga kjo politikë e Bashkisë Tiranë. Pasja e statistikave të sakta në lidhje me numrin e familjeve apo personave që grumbullojnë mbetje është e vështirë për shkak se punojnë në mënyrë informale.  Bazuar në raportin e fundit të bërë nga krahu komercial i Bankës Botërore janë rreth 1200 familje  që sigurojnë të ardhura nga riciklimi i mbetjeve në Tiranë .

Ramazani tregon për Citizens Channel se prezenca e policisë bashkiake është konstante. 

“Po s’na len me mbledh bidona. Na shofin kshu ndonjëherë na i marrin thasët, i ngarkojnë në kamiona ikin. Do të të procedoj, do të të gjobis. Ne për momentin jemi pa punë, pa asgjë”, rrëfen ai.

Nga të dhënat që Citizens Channel siguroi nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi,zbuloi se gjatë vitit 2018 policia bashkiake kishte vendosur 146 masa administrative me vlerë 287.000 lekë ndaj personave të cilët mbledhin mbetje të riciklueshme në territorin e Bashkisë Tiranë.

Pavarësisht thirrjes së organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut Këshilli Bashkiak i Tiranës e miratoi vendimin, i cili ka rreth 2 vite që ka filluar të veprojë.

Tirana është qyteti më i madh në Shqipëri edhe nga pikëpamja gjeografike, por edhe nga numri i popullsisë. Shpesh referohet si “qyteti i 1 Milion banorëve”.

Në vitin 2017, janë gjeneruar afërsisht 1,8 Milion ton mbetje urbane.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *