Analiza: “Lumenjtë po dënohen me burgim të përjetshëm”

Specialisti i mjedisit, Abdulla Diku ka postuar ditën e sotme në rrjetin social Facebook pamje të ndërtimeve që po bëhen në lumin Cem. Ky lum pozicionohet  në anën perëndimore të Bjeshkëve të Nemuna dhe është pjesë e basenit të liqenit të Shkodrës. Zotëron vlera të mëdha në aspektin e biodiversitetit dhe kanionin që është një ndër asetet kryesore të Shqipërisë përsa i përket turizmit.

Lumi Cem dënohet me burgim të përjetshëm!”, u shpreh Abdulla Diku, specialist mjedisor, duke paraqitur imazhet e tjetërsimit të natyrës nga ndërhyrja për fillimin e punimeve në ndërtimin e hidrocentralit të radhës. Ky lum është një ndër shumë të tjerë të cilët po përdoren për ndërtimin e impianteve të energjisë. Këto iniciativa kanë ngjallur reagime dhe kundërshtime nga banorët e zonave, specialistëve apo organizatave mjedisore.

Porta Vendore ka bërë një analizë të detajuar rreth numrit të vërtetë të lejeve të dhëna për ndërtimin e HEC-eve në Shqipëri, i cili rezulton të jetë thuajse dyfishi i atij që gjendet në deklaratat publike të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE). 

“Loja” me numrin e HEC-eve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”

Në faqen e MIE gjendet deklarata e ministres Belinda Balluku e cila bën me dije se janë nënshkruar 182 kontrata të cilat i korrespondojnë ndërtimit të 440 HEC-ve.Sipas MIE vetëm 96 hidrocentrale janë operative, duke pohuar se kontratat e tjera janë jo-operative çka i mundëson nisjen e një procesi kontrollimi dhe skanimi të çdo dokumentacioni dhe subjekti fizik e realizues që lidhet me ndërtimet e hidrocentraleve në Shqipëri.

Deklarata e plotë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë

Numri i vërtetë i lejeve për HEC-e

Analiza e Porta Vendore.al mbi ndërtimin e hidrocentraleve dhe miratimin e kontratave për nisjen e punimeve tregon se në fakt numri i i HEC-ve të përmendur më sipër nga Ministrja, nuk është i saktë. HEC-et e miratuara janë 714. Kjo shifër i përputhet 259 kontratave përfundimtare dhe 132 marrëveshjeve paraprake të cilat janë nënshkruar 20 vitet e fundit.

Informacioni është verifikuar nga lista e ATRAKO“² (Agjencia e Trajtimit të Koncensioneve) dhe ka rezultuar se mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive private janë lidhur 185 kontrata dhe është miratuar ndërtimi i 466 hidrocentraleve.  Pjesa tjetër e hidrocentraleve, sipas Portës Vendore, gjenden në listën e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike të cilat nuk janë objekt koncesioni.

Në datë 7.10.2015 është miratuar më Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 822Për miratimin e procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja” e cila përfshin 73 kontrata të reja që përkthehen në 79 hidrocentrale dhe një regjistri prej 132 propozimesh të pakërkuara për ndërtime impiantesh për prodhimin e energjisë dhe i korrespondojnë ndërtimeve të 144 hidrocentraleve të reja. Këto shifra bëhen me dije nga Porta Vendore.al e cila i ka zotëruar përmes një vendimi gjyqësor pasi  janë hasur me refuzimin e aksesit nga Ministria e Energjisë.

Në vitin 2002 është nënshkruar marrëveshje mes Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë italiane “Essegei” për përdorimin e 25 hidrocentraleve të ndërtuara gjatë periudhës komuniste në Shqipëri  të cilat pas vitit 2000 ishin nxjerrë jashtë përdorimit, informon Porta Vendore.al.

Screenshot i marrë nga Porta Vendore rreth lejeve për ndërtimin e hidrocentrale

 

Citizens Channel/Entenela Ndrevataj