*Holta, një  monument natyror në qytetin e Gramshit, u rikthye në vëmendjen e publikut një javë më parë, kur qeveria vendosi të shembë digën e HEC-it të shumë debatuar në hyrje të kanionit. Mediat lokale raportuan mbi një tjetër aspekt të kësaj ngjarje që mbeti jashtë vëmendjes së publikut – HEC-i nuk është anuluar, madje ditët e fundit ka pasur intensifikim të punimeve dhe diga e re do të ndërtohet më poshtë rrjedhës së lumit.

Ky nuk është i vetmi problem në këtë zonë, në 14 korrik 2019 një vajzë e re humbi jetën gjatë vizitës turistike të organizuar në kanion. Institucionet lokale ja hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës ndërkohë që rojat e sigurisë, tabelat dhe sinjalistikat e alarmit janë ende të cunguara.  – Shënim i redaksisë së Citizens Channel

Autore: Bardha Nergjoni | Citizens Channel

Një ndër të paktat atraksione që ofron qarku i Elbasanit është turizmi natyror me relievet e veçanta sidomos në Gramsh dhe Librazhd. Edhe pse oferta natyrore është e pasur, problemet e infrastrukturës, shërbimet dhe mungesa e sigurisë rrisin skeptikët e këtij turizmi në këtë qark. Mungesa e sigurisë shkon deri aty sa vihet në rrezik edhe jeta e turistëve. Ky fakt u bë sidomos evident me mbytjen e një vajze në 14 korrik 2019 nga prurjet e shumta të ujit në kanionin e Holtës në Gramsh. Bilanci i viktimave mund të kishte qenë edhe më i madh nëse zjarrfikësit e Gramshit nuk do të ndërhynin.

Përgjegjësi i shërbimit zjarrfikës Ilir Llapushi thotë për Citizen Channel se nga të gjitha pikat turistike që ka Gramshi, më e vështira është kanioni i Holtës jo vetëm nga shirat e rrëmbyeshëm sidomos gjatë verës por edhe për faktin se nga lart mund të bien gurë nga bagëtitë që kullosin përgjatë kanionit.

Ilir Llapushi, përgjegjës i zjarrfikësve Gramsh

“Mendoj se frekuentimi i kanionit të Holtës duhet ndaluar deri kur të merren masa konkrete nga institucionet. Gjëja e parë që duhet bërë është të vendoset një person që ka njohuritë dhe përgatitjen e nevojshme për të mos lejuar lëvizje në kohën e shiut dhe rreziqeve të tjera. Ndërkohë në brendësi duhet të ketë një rrjet alarmi pasi nuk ka as rrjet telefonik dhe kështu mund të lajmërohet jashtë”, deklaron Ilir Llapushi.  Pyetjes nëse këto masa duhet të ishin marrë më parë, z. Llapushi i përgjigjet se ai e ka ngritur si shqetësim edhe në mbledhjen e prefektit për emergjencat dhe kjo para se të ndodhte ngjarja.

Zjarrfikësve të Gramshit u është dashur edhe të shpëtojnë njerëz që kanë përfunduar me mjetet e tyre në rrjedhën e rrëmbyeshme të përroit për shkak të prurjeve të mëdha dhe të menjëhershme që në Gramsh janë të shpeshta sidomos gjatë stinës së nxehtë.

Bashkia dhe AZM Elbasan, veshin njëra tjetrën me përgjegjësi:

Bashkia Elbasan është institucioni që përgjigjet direkt për infrastrukturën, por ajo e ndan përgjegjësinë me një strukturë të ngritur vitet e fundit, administratën e Zonave të Mbrojtura Elbasan. Të kontaktuar nga Citizens Channel, drejtues të bashkisë Gramsh thanë se zyra e turizmit dhe kulturës është ngritur para një viti dhe nuk ka ndër kompetencat e saj sigurinë e zonave turistike: “Zona ku ndodhi ngjarja administrohet nga Administrata e Zonave të mbrojtura dhe në Gramsh ka dy punonjës që përgjigjen për problemet e zonave të mbrojtura dhe sigurinë e tyre”.

Sa i përket tabelave paralajmëruese bashkia, nëpërmjet nënkryetarit Enver Qose konfirmon se ka një të tillë në hyrje dhe në brendësi të kanionit, por pranon se ato duhet të jenë më të shumta. Gjithashtu edhe në këtë pikë institucioni vendor e quan rolin e AZM Elbasan të rëndësishëm për të realizuar bashkëpunimin me të gjitha strukturat me qëllim rritjen e sigurisë.
“Ngjarje e rënde, pavarësisht se bashkia nuk është përgjegjëse direkte për këtë, na ka bërë të nxjerrim mësime për periudhën në vazhdim. Bashkia do të rrise më shumë vëmendjen për zhvillimin e turizmit dhe do të bashkëpunojë më intesivisht me të gjithë faktorët që janë përgjegjës për sigurinë e vizitorëve të shumtë. Vëmendja e turistëve po shtohet për bukuritë e rralla të Gramshit dhe detyra jonë është që edhe ne të rritim vëmendjen për sigurinë e tyre”, u shpreh Qose.

Ndërkohë Agjencia e Zonave të Mbrojtura e quan të rëndësishëm rolin e bashkisë në infrastukturën e sigurisë të zonave të rrezikshme si Holta. Drejtori Xhek Nezha thotë se nuk mjaftojnë sinjalizimet. “Ne jemi institucion pa financa dhe investimet në tabela sinjalizuese i bëjmë në bashkëpunim me shoq

Xhek Nezha drejtor, i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura

ata të ndryshme. Kemi vendosur vazhdimisht tabela por ato janë dëmtuar dhe sot nuk i gjen më. Përroi i Holtës është veçanërisht i rrezikshëm për shkak të prurjeve jo vetëm natyrore por edhe nga një hidrocentral që punon mbi kanion”.
Nezha e cilëson të rëndësishëm edhe rolin e guidave që shpesh janë të pa specializuara dhe nuk e njohin zonën: “Ne sa herë që na kërkohet ofrojmë guidat tona të specializuara edhe për pjesën e sigurisë. Por grupe të shumta lëvizin me guida private ose pa guida, pa njerëz që i njohin dhe mund të paralajmërojnë rreziqe të ndryshme sidomos në zona malore dhe kanione”.

AZM, dy punëtorë për të mbikëqyrur monumentet natyrore dhe historike

Gramshi ka një numër të konsiderueshëm monumentesh natyre. Aktualisht AZM Elbasan ka vetëm dy punonjës që inspektojnë monumentet me një plan pune të përcaktuar. Kjo bën që të mos jenë gjatë gjithë kohës në një prej monumenteve për të parandaluar edhe ngjarje të rënda si ajo e Holtës. Institucioni vendor deklaron se pas ngjarjes do të rrisë më shumë vëmendjen dhe do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët për të garantuar sigurinë ndaj turistëve që po dita-ditës po shtohen në Gramsh.

Guidat turistike pezullojnë intenerarin për në Holtë

Kanioni i Holtës është shndërruar në një destinacion të preferuar sidomos gjatë stinës së verës për shumë pushues dhe operatorë që ofrojnë paketa të organizuara. Si ofertë turistike në mesin e Shqipërisë, guida në këtë kanion konsiderohej e thjeshtë, pa nevojën e mjeteve shtesë për sigurinë dhe udhëtimin. Shumica e agjencive që deri në mesin e korrikut e ofronin këtë destinacion, nuk publikuan më guida pas ngjarjes së 14 korrikut. E megjithatë oferta për guida turistike në rrjetet sociale nuk mungojnë edhe pas kësaj ngjarjeje. Një prej tyre madje e cilëson një ngjarje aksidentale që mund të ndodhte kudo duke iu përgjigjur komenteve në Facebook.

Foto: në përshkrimet e agjencive turistike guida në kanioni e Holtës klasifikohet si “nivel i lehtë vëshirësie”

Turistët: infrastrukturë më e mirë, informacion më i detajuar

Silveri është një prej frekuentuesve të fundit të kanionit të Holtës. Ai ka udhëtuar privatisht drejt tij bashkë me një grup të rinjsh. “Për mua ishte hera e parë që shkoja dhe shenja sigurie kishte mjaftueshëm në syrin tim. Jo vetëm për rrezikun e vërshimit por edhe për rënien e gurëve nga kullotja e bagëtive”.

I pyetur se cili është shqetësimi kryesor për të vizituar Holtën, Silveri përgjigjet se rruga është e dëmtuar në disa pjesë siç është hyrja në Drizë dhe kthesa për në Holtë. “Për mua duhet ndërhyrë në këto pjesë që turistët të kenë mundësi të udhëtojnë në mënyrë komode. Ndërkohë pranë kanionit mungojnë koshat e mbeturinave dhe kazanë që ky kanion të mbetet i pastër”.

Silveri thotë se mungon informacioni për këtë kanion. “Nuk kemi të shënuar diku largësinë, lartësinë, temperature e ujit, të mirat e ujërave termale. Me pak fjalë çdo vizitor që shkon në Holtë ka nevojë për informacion dhe institucionet duhet ta ofrojnë në forma të ndryshme”.

Ndërkohë policia konfirmoi se për ngjarjen e 14 korrikut materialet u referuan në prokurori për ngjarje aksidentale.

Frekuentimi ka pësuar rënie të ndjeshme pas ditës kur humbi jetën një vajzë e re. Por pak mësime janë marrë nga kjo ngjarje dhe reagimi shtetëror është thuajse zero për të garantuar sigurinë e vizitorëve në kanionin e Holtës. Ndërkohë e njëjta situatë shfaqet edhe në zona të tjera turistike. Liqenet e vizitueshme nuk kanë asnjë tabelë paralajmëruese për thellësinë dhe rreziqe të tjera që mund t’i kanosen vizitorëve ndërkohë për zonat malore mungojnë sinjalizimet për kafshë të egra, insekte apo zvarranikë që mund të përbëjnë rrezik. Aktualisht turizmi natyror që po kthehet në trend sidomos për një vend si Shqipëria me relieve të thyera dhe pasuri të shumta, mbetet në nivele minimale shërbimi dhe sigurie duke mbetur i egër në të gjithë kuptimin e fjalës.

*Ky artikull u realizua në vazdhimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel