Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Pse dështoi ndarja e mbetjeve në burim?

Në vitin 2016 Bashkia Tiranë lidhi një kontratë shërbimi me kompaninë Eco Tirana për pastrimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane në qytet.

Kontrata u lidh me një afat 25 vjeçar dhe nëpërmjet saj synohej që të zgjidhej problemi i mbetjeve në kryeqytet, duke i dhënë të drejtën ekskluzive kompanisë Eco Tirana për shërbimin e pastrimit të qytetit.

Bazuar në kontratën që Citizens Channel ka siguruar, fillimisht kompania do të ushtronte veprimtarinë e saj në atë që u quajt “Zona e Kuqe” e Tiranës, dhe më pas ky shërbim do të shtrihej në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë. Afati i përcaktuar ishte 18 muaj.

Kushtet e ofrimit të shërbimit të përcaktuara në kontratë fillojnë nga pastrimi i qytetit, diferencimi i mbetjeve në burim, ndërgjegjësimi dhe komunikimi me qytetarët për vlerën e diferencimit të mbetjeve në shtëpitë e tyre si edhe shërbime të tjera shtesë, të papërcaktuara konkretisht.

Në kontratën që Citizens Channel ka në dispozicion, specifikohet se kompania Eco Tirana është përgjegjëse për mbarëvajtjen e shërbimit dhe se kjo kontratë zgjidhet nëse nuk përmbushen kushtet e përcaktuara në të.

Dritan Gorica, specialist në Institutin e Kërkimeve Urbane shpjegoi për Citizens Channel dy nga problemet kryesore të riciklimit të mbetjeve në qytet.

“Dihet tashmë që problemi kryesor i mosfunksionimit të rikuperimit të mbetjeve të riciklueshme ose reduktimit të mbetjeve është infrastruktura e menaxhimit të mbetjeve”, u shpreh ai.

Përveç infrastrukturës, Gorica sheh si problem edhe mungesën e ndërgjegjësimit të banorëve mbi rëndësinë e riciklimit të mbetjeve në burim.a

“Tre vite më pas…ndryshimi mbeti në letër”

Citizens Channel kreu një vëzhgim në zonën ku nisma mbi diferencimin është pilotuar duke parë se vecc ngjyrave të kazanëve, asgjë nuk ka ndryshuar.

Vetëm për shërbimin në atë që u quajt “zona e kuqe” Bashkia Tiranë e ka paguar kompaninë Eco Tirana 2,500,000 euro në vit.

“Eco Tirana i kishte të gjitha shanset për të funksionuar në mënyrën më të mirë të mundsme, nisi si e tillë dhe u braktis qëllimisht nga bashkia për arsye se ndërkohë erdhi në vendimmarrje koncensioni për inceneratorin e Tiranës, i cili sipas kontratës duhet të punojë me një rrymë mbetjesh”, tha për Citizens Channel ambientalisti Lavdosh Ferruni.

“Koncensioni që u miratua në 2017 në Tiranë, kërkon në kontratë të shkruar që mbetjet të jenë të gjitha në një rrymë, për arsye se kapaciteti absorbon më shumë se 100 % të mbetjeve të Bashkisë së Tiranës dhe 110% të mbetjeve të perfekturës”, shton Ferruni.

Tirana është qyteti që ka numrin më të lartë të banorëve në vend, i cili vjen duke u shtuar. Kjo mënyrë e menaxhimit të mbetjeve në qytet e shmangte tërësisht atë të mëparshmen duke synuar diferencimin e tyre në burim si alternativën më të mirë të mundshme për menaxhimin e tyre.

“Jo vetëm që do të kemi një pastrim modern të rrugëve, jo vetëm që do të kemi kosha të diferencuar, por do të kemi edhe disa njësi të lëvizshme me biçikleta, pra edhe transporti do të jetë ekologjik…Mezi pres që të shikojmë rezultatet e para, fillimisht tek ajo që quhet zona e kuqe, pra brenda Unazës. Gradualisht, gjatë gjithë vitit tjetër do të zgjerohemi edhe në zona të tjera të Tiranës”, shprehej  Kryebashkiaku Veliaj në vitin 2016.  

Riciklimi është një procesn nëpërmjet të cilit shndrrohen mbetje të caktuara në lëndë të parë dytësore duke i përpunuar më parë me anë të proceseve fizike dhe kimike. Ato përfshihen sërisht në procesin e prodhimit.

Faza e parë e riciklimit konsiderohet ndarja e mbetjeve në burim.

Ricklimi – Pamundësi apo neglizhim?

Mjafton një vëzhgim i shpejtë për të kuptuar se janë shumë të rralla rastet kur qytetarët i ndajnë mbetjet në kazanë të ndryshëm. Duket se këtë e ka kuptuar edhe vetë ata që supozohej të ndërgjegjësonin dhe të zbatonin këtë nismë.
Gjatë një vëzhgimi një javor ne një prej pikave në Tiranë, makina me ngjyrën blu që supozohet të marrë vetëm mbetjet e padiferencuara kaloi çdo ditë duke marrë të dy kazanët.

Kjo nismë synoi diferencimin e mbetjeve në burim duke hequr mundësinë që personat që grumbullonin mbetje në koshat e plehrave, të vazhdonin ta zhvillonin si punë pa frikën e gjobitjes dhe sekuestrimit të materialeve. Për një pjesë të mirë të personave, përgjithësisht me vështirësi ekonomike, grumbullimi i mbetjeve të caktuara në koshat e plehrave është profesion nga i cili nxjerrin të ardhura.

Kjo veprimtari madje u cilësua sjellje e palejuar nga Bashkia Tiranë dhe dënohet me gjobë.

Olsi Nika, aktivisti i çështjeve mjedisore mendon se diferencimi i mbetjeve në burim nuk është diçka e pamundur për një vend si Shqipëria.

“Ndarja e mbetjeve në burim nuk është një shpikje shqiptare si shumë gjëra që ne nuk jemi të detyruar të shpikim rrotën, mjafton të adoptojmë modele që janë të suksesshme sot në botë dhe ti përshtasim me kushtet që ne kemi”, u shpreh ai për Citizens Channel kur u pyet për mundësinë e diferencimit të mbetjeve në burim.

Në kontratën e lidhur nga Bashkia Tiranë me kompaninë Eco Tirana synohet jo vetëm diferencimi i mbetjeve në burim, por edhe zhvillimi i fushatave ndërgjegjësuese kryesisht me të rinj dhe studentë për diferencimin e mbetjeve në burim.

“Ishte një nga gjërat që me të vërtetë iu gëzova për sa i përket punës së bashkisë dhe fillova dhe unë ti ndaja në shtëpinë time në kosha të caktuara sipas rrymave të mbetjeve: plastikën, letrën, metalin, organiket dhe kështu asnjë muaj nuk zgjati kjo me thënë të drejtën, pastaj pas një muaji kur unë i hidhja në koshat e caktuar në kontejnerët e caktuar te lagjja, kaloi e njëjta makinë dhe i mori të gjitha. Atëherë është e kotë, pra nuk funksionon”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Edhe eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni mendon se çështja e mbetjeve në Tiranë ka zgjidhje, por duhet gjetur ajo e duhura.

“Në qoftë se 1 milion qytetarë të Tiranës do të angazhohen në këtë kauzë bashkë me 5 mijë apo 10 mijë grumbullues të mbetjeve që janë aktivë në këtë gjë, ky kohezion, pra kjo angazhim I qytetarëve con në zgjidhje. Cdo zgjidhje e mbështetur të një koncensionar është një dështim”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Ai shton se është kundër dhënies me koncesion të menaxhimit të mbetjeve dhe e konsideron të dështuar menaxhimin e tyre në burim.

Nga vëzhgimi që Citizens Channel kreu në terren, konfirmoi qëndrimet e aktivistëve se diferencimi i mbetjeve në burim është ende shumë larg të qenit realitet.

Riciklim në mënyrë personale dhe të përndjekur…

Në vitin 2018 mbledhja e mbeturinave në koshat e qytetit u shpall “sjellje e palejuar” nga Bashkia Tiranë. Ky vendim preku një sërë personash dhe familjesh të cilat i sigurojnë të ardhurat nëpërmjet grumbullimit të mbeturinave në qytet. Si e vetmja mënyrë e mbijetesës qytetarët e Tiranës vazhdojnë ta zhvillojnë këtë veprimtari por shumë herë konfrontohen  me policinë bashkiake e cila i dëbon nga “vendi i punës”., por  Lavdosh Ferruni mendon që kjo veprimtai është në dobi të qytetit dhe jo në dëm të tij: Pra nëse ne kuptojmë thelbin se menaxhimi I mbetjeve mund të bëhen vetë nga bashkëpunimi I qytetarëve me ricikluesit, të paktën këtë e them me bindje për një periudhë 10 vjecare, atëherë të gjitha mundësitë janë që kjo të bëhet realitet”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *