Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta qytetare: Të dorëhiqet deputeti që përdori gjuhë urrejtje ndaj individëve me sindromë Down

Fëmija im të jep vetëm kënaqësi, nuk të bën për të vjellë kur flet“, tha Enkeleda Pillati, nënë e një fëmijë me sindromën Down.

Ajo ishte një nga dhjetëra qytetarët që e pritën me protesta parakalimin e makinave luksoze të deputetëve, që nxitonin për të marrë pjesë në çeljen e sesionit të ri Parlamentar.

Protesta e organizuar dje nga Down Syndrome Albania (DSA), lindi si reagim ndaj një komenti të bërë nga nënkryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë, Myslim Murrizi. Ai ka replikuar me një komentues në profilin e tij duke përdorur gjuhë urrejtje dhe diskriminimi ndaj personave të lindur me sindromë Down.

Screenshot i replikës së deputetit Myslim Murrizi, marrë nga Down Syndrome Albania

Çfarë është sindroma Down?
Në çdo qelizë në trupin e njeriut ekziston një bërthamë ku materiali gjenetik ruhet në gjene. Ato mbajnë kodet përgjegjës për të gjitha tiparet tona të trashëguara dhe grupohen në një strukturë në formë spiraleje, të quajtura kromozome. Bërthama e secilës qelizë përmban 23 çifte kromozomesh, gjysma e të cilave trashëgohen nga secili prind. Sindroma Down ndodh kur një individ ka një kopje shtesë të plotë ose të pjesshme të kromozomit 21. Nuk ka një arsye të vërtetuar shkencërisht se çfarë e shkakton këtë sindromë. Mosha e lindjes është faktori i vetëm i cili mendohet se rrit mundësitë e pasjes së një fëmije me sindromën Down.

 

Jam sot këtu si nënë e dy fëmijëve që në fakt nuk e kanë atë kromozomin special . Besoj që shtypja apo diskriminimi që i bëhet këtyre fëmijëve nga politikanët kryesisht është krejt e padrejtë”, shprehet për Citizens Channel Egla Gollaj. “Presim që zoti Murrizi të japë dorëheqjen, sepse ka ofenduar dhe diskriminuar diagnozën të cilët këta njerëz apo fëmijë kanë ” vijon më tej ajo.

Egla Gollaj, pjesëmarrëse në protestën e zhvilluar para parlamentit

Ditën e sotme, Myslim Murrizi ka dhënë një deklaratë për media duke kërkuar falje për gjuhën e përdorur  gjatë komunikimit me komentuesin në profilin e tij në Facebook. Ndër të tjera ai ka theksuar se është e drejta e tyre të ngrenë zërin por ekzistojnë shumë probleme të tjera sociale dhe ekonomike për të cilat mund të protestohet. 


Me datë 27 gusht, pasi komenti me përmbajtje gjuhësore diskriminuese kishte ngjallur reagimet e para,  po në rrjetin social Facebook deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, zoti Murrizi ka postuar një video të shoqëruar me një mbishkrim me nota tallëse. Edhe në këtë postim ai vazhdon të ruajë ciklin e gjuhës së dhunës dhe urrejtjes, ndryshe nga deklarata e ditës së sotme, dhe i bën ftesë personave që janë ndjerë të bezdisur, mërzitur, fyer apo të denigruar të mos i lexojnë shkrimet e tij.

 

Down Syndrome Albania ka nisur një peticion i cili u firmos nga qytetarët dhe aktivistët gjatë kohës që po zhvillohej protesta para parlamentit. Ky peticion i cili gjendet dhe online ka si qëllim marrjen e masave disiplinore kundrejt zotit Murrizi për gjuhën e përdorur.

“Në një moment që një prind dëgjon këtë gjuhë nga personat të cilët presupozohet që janë aty për të krijuar ligje, për të krijuar struktura, për t’i mbështetur, për t’i ndihmuar në këtë rrugë të vështirë drejt përmbushjes së potencialit, sigurisht që është një pengesë” sqaron Fatjona Hysi e cila është psikologe pranë fondacionit Down Syndrome Albania.

Fatjona Hysi, psikologe pranë Down Syndrome Albania

Personat me aftësi ndryshe janë si të gjithë ne. Duhet të jemi me ata për t’i mbështetur kur ata kanë nevojë për të shprehur potencialin e tyre maksimal”, vijon më tej psikologia Hysi.

Do jetë vetë populli dhe komuniteti që do japë fjalën e vet dhe të dënojë këtë gjuhë. Ky peticion është edhe online, ky peticion u soll edhe me shkrim sot do vazhdojë të shpërndahet dhe shpresoj të mblidhen sa më shumë [firma], e  të shprehen qartë se shtetasit shqiptarë nuk e duan këtë gjuhë”, shpjegon për Citizens Channel Mirela Juko. Mbledhja e firmave do vazhdojë edhe ditët në vijim. Nënshkrimi i peticionit është nisma pasuese, pasi fondacioni DSA fillimisht  i është drejtuar Komisionerit Kundra Diskriminimit nga ku nuk kanë marrë përgjigjen e kërkuar rreth problemit të  ngritur.

Mirela Juka, këshilluese pranë Down Syndrome Albania

Durim Pruthi ishte një ndër protestuesit e ditës së djeshme para Parlamentit të Shqipërisë. Ai është student i Juridikut dhe na informon se përdorimi i kësaj gjuhe bie ndesh me vetë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Durim Pruthi, pjesëmarrës në protestën e organizuar para Parlamentit

Kushtetuta shkelet çdo ditë, edhe sot u shkel Kushtetuta, neni 18 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku flitet për dinjitetin e shtetasve shqiptarë”, përfundon Pruthi. 

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *