Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Numri i lartë i rasteve të Fruthit, OBSH: “Shqipëria nuk është më vend i sigurt”

Nga sot, në këto dy javë, do të ketë një verifikim në çdo shkollë, në çdo kopsht, në çdo çerdhe publike apo jo publike qoftë ajo, për verifikimin e regjistrimeve duke u bazuar në verifikimin e kartelave të vaksinimit“, deklaroi Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në datë 2 shtator, pas raportit të fundit publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ku bën me dije se Shqipëria nuk konsiderohet më shtet i cili e ka eliminuar fruthin.

Britania, Republika Çeke, Greqia dhe Shqipëria raportojnë një numër të lartë të rasteve të fruthit. Në vitin 2018 janë raportuar 1,466 raste të fruthit në Shqipëri, ndërsa për 6 muajt e 2019 raportohen 475. Britania për këtë vit evidentoi 489 raste të fruthit, Greqia 28 raste dhe  Republika Çeke 569.

Tendencat e rënies së mbulimit vaksinal është dokumentuar edhe më parë në Shqipëri. Duke iu referuar të dhënave të marra nga Sondazhit mbi Demografinë dhe Shëndetin 2017-2018 përgjatë viteve 2017-2018 vetëm 75% e fëmijëve të moshës 12-13 muajsh i kishin marrë të gjitha vaksinat e nevojshme në kohë, krahas viteve 2008-2009 të cilat arrinin një mbulim prej 94%.

Të dhënat e Instituti të Statistikave gjithashtu tregojnë se ka një rënie të ndjeshme të mbulimi vaksinal Fruth-Rubeolë-Parotit.  Në vitin 2017 vetëm 95% e popullsisë e ka marrë këtë vaksinë të kombinuar, ndryshe nga viti  2013 ku Shqipëria kishte një mbulim prej 99.7%.


Citizens Channel ka raportuar më parë mbi problemin e fruthit në Shqipëri ku specialistët kanë artikuluar se ka një sërë arsyesh pse ka rënie të mbulimit vaksinal në Shqipëri. Mitet që qarkullojnë rreth lidhjes së autizmit më vaksinën Fruth-Rubeolë-Parotit ishte një ndër ta. Gjithashtu, grupe të caktuara të besimeve fetare zgjedhin mos t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Komunitetet e margjinalizuara si komuniteti Rom të cilat jetojnë në kushte të paqëndrueshme strehimi shpesh nuk kanë akses të plotë në skemat shëndetësore, duke ua bërë të vështirë marrjen e shërbimeve.

Lexo më shume: Mitet mbi autizmin ndalojnë vaksinën FRP; Specialistët: “Vaksinimi është i domosdoshëm

Kjo është këmbana e alarmit e cila po jehon në të gjithë botën: arritja e një mbulimi të lartë [vaksinal] kombëtar nuk është mjaftueshëm, ajo duhet të arrihet në çdo komunitet dhe çdo familje, për çdo fëmijë“, tha Kate O’Brien, drejtore e Departamentit të Imunizimit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë

Nëse nuk arrihet imunizimi dhe ruajtja e saj në çdo komunitet, fëmijët dhe të rriturit do vuajnë dhe disa të tjerë do vdesin në mënyrë tragjike“, u shpreh Gunter Plaff, kryetari i Komisionit për Verifikimin  e Eliminimit të  Fruthit dhe Rubeolës në rajonin Evropian. Viruset konsiderohen të eliminuara atëherë kur nuk ka asnjë transmetimi të sëmundjes endemike për 12 muaj në një hapësirë të caktuar gjeografike.

Për të ndaluar rikthimin e sëmundjeve infektive në shoqërinë shqiptare, të cilat mund të parandalohen nëpërmjet vaksinave, janë hartuar politika të cilat i stimulojnë prindërit dhe të rriturit t’i vaksinojnë fëmijët.

  • Ligji 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive“, në nenin 18/pika 15 bën me dije se asnjë fëmijë nuk mund të regjistrohet në institucionet arsimore nëse nuk paraqet kalendarin e vaksinimit, e cila është e detyrueshme.
  • Neni 18/Pika 15: “Për çdo fëmijë që hyn për herë të parë në çerdhe, kopsht, shkollë apo institucione të arsimit të lartë, është e detyrueshme pajisja e tij, nga institucionet shëndetësore, me një dokument që vërteton vaksinimin e kryer sipas kalendarit përkatës. Pajisja me këtë dokument dhe ruajtja e tij nga drejtoritë përkatëse të institucioneve të mësipërme është e detyrueshme“.

Fruthi është një virus i cili mund të transmetohet nëpërmjet kollitjes apo teshtimës. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, kollitje, sekrecione hundësh dhe të skuqura. Ndërlikime të tjera përfshijnë humbjen e shikimit ose rrezikim të dështimit të fëmijës për gratë shtatzënë, deri në vdekjen e fëmijës.

Mungesa e vaksinimit është shqetësuese jo vetëm për fëmijët, por edhe për anëtarët e tjerë të shoqërisë. Ata i ekspozojnë  para një virusi shumë të rrezikshëm i cili mund të rezultojë edhe fatal për personat me imunitet të dobët, fëmijët që nuk kanë mbushur moshën  e vaksinimit dhe individët të cilët për arsye shëndetësore nuk mund të vaksinohen. 

Krahas politikave ekzistuese, Manastirliu bën me dije se do ketë fushata derë më derë, kontroll të pikave kufitare dhe gjobitje të çdo institucioni i cili nuk plotëson detyrimin për të pasur kartelën e vaksinimit të çdo fëmijë.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *