Ditën e sotme banorët e Fanit janë ngritur sërish kundra planit për ndërtimet e hidrocentrale në zonën e Mirditës. Gjatë videove të postuara në rrjetet sociale, vihen re debate të vazhdueshme mes banorëve që protestojnë kundra fillimit të punimeve dhe policisë.

Njësoj siç po na thoni ne se po shkelim ligjin, ti nuk po i thu këtij që po shkel ligjin. Kërkoji dokumentacionin, ku do shkosh, ku do punosh“, i drejtohet një nga protestuesit policisë, gjatë debatit të zhvilluar rreth efektivitetit të protestës si mënyrë për të kundërshtuar rastin në fjalë.

 Protesta e zhvilluar sot është paraprirë nga ajo e ditës së shtunë ku banorët e fshatrave të njësisë administrative Kaçinar janë ngritur në protestën e disatë të organizuar për të kundërshtuar vijimësinë e ndërtimeve të HEC-eve në zonën e Kaçinarit, Simonit, Shpërdhazës dhe Arrëzit. Gjeomorfologjia e zonës ku planifikohen të ndërtohen këto HEC-e është tejet komplekse, me lartësi para-malore dhe përrenj, të cilët së bashku derdhen në lumit e Fanit të Madh.

Ashtu sikundër në protestën e zhvilluar ditën e sotme edhe ditën e shtunë kanë qenë të pranishme forca të shumta policore, të cilët ngritën postblloqe në të dyja anët e rrugëve, pasi banorët kishin paralajmëruar përshkallëzim të situatës. Me datë 14 shtator protestuesit u konfrontuan me punëtorët e firmës “Shpërdhaza Energji” dhe arritën që t’i largojnë makineritë dhe punëtorët e firmës nga zona ku dëshirojnë të fillojnë punimet.

Banorët i kanë kundërshtuar këto projekte me protesta të vazhdueshme. Por dy të fundit ishin vendimtare pasi ata të dy herët kanë bërë rezistencë dhe kanë larguar makineritë e kompanisë nga terreni“, shprehet Davita Arapi për Citizens Channel, duke iu referuar protestës së zhvilluar ditën e shtunë. Ajo është aktiviste dhe njëkohësisht banore e zonave të prekura nga ndërtimi i hidrocentraleve. 

Para dy muajsh janë bërë publike disa përgjime audio ku administratori i zonës, Gjet Shkurti, shfaqet duke kërcënuar banorët e zonës të cilët kanë ngritur zërin kundra ndërtimeve të planifikuara në atë zonë. Materiali tjetër i publikuar me datë 15 shtator nga Faxweb, shfaq zotin Shkurti teksa artikulon se kryeministri Rama i ka miratuar hidrocentralet dhe se duhet t’i dalë zot fjalës së dhënë ose do duhet t’i kthejë mbrapsht firmës konçensionare vlerën prej 7 milion eurosh.

Edhe më herët Citizens Channel ka raportuar analizën e bërë nga Porta Vendore e cila bën me dije se autoritete shqiptarët kanë miratuar ndërtimin e 714 hidrocentraleve në gjithë territorin Shqiptar. Kjo shifër përkon me 259 kontratave përfundimtare dhe 132 marrëveshjeve paraprake të cilat janë nënshkruar 20 vitet e fundit.

Banorët janë të vendosur me çdo kusht në ndalimin e ndërtimeve dhe janë të bashkuar, pasi preken direkt në ekonominë e tyre sepse uji shërben për ujitjen e tokave bujqësore, për kafshët si ujë i pijshëm, për ekosistemin“, përfundon Davita Arapi.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj