Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Citizens Stories: Historia e Kledit, i riu që ja ka dalë të thyejë barrierat e punësimit të personave me aftësi të veçanta

*Sabina Veizaj / Citizens Channel 

Kledin e gjetëm duke smeriluar një mobilie druri. Mbathur kominoshet e punës, teksa na shtrëngoi duart na dhuroi një buzëqeshje të madhe. Prej katër vitesh, sot 23 vjeç, Kledi punon tek kompania e prodhimit të mobilieve me dru të ricikluar “Pana”.

E pyesim Kledin pse i pëlqen druri, kur ka zgjedhur të merret me të për të thyer pak akullin e bisedës me të panjohur. Përpos buzëqeshjes, artikulimi i tij është me fjali të shkurtra dhe të pakta.

Ndërsa sipas INSTAT të papunët në radhët e të rinjve 15-29 vjeç në tremujorin e dytë të 2019-ës rezultojnë 75,478  mesatarisht në të njëjtat ritme me vitin paraardhës. Po ashtu edhe në radhët e kategorisë së grupeve të margjinalizuara; Në fund të ‘2017, rezultojnë të regjistruar si punëkërkues të pa punë nga kjo kategori 472 vetë, pa marrë parasysh të demoralizuarit, të cilët nuk kërkojnë një vend pune pas rendjes pas saj për një kohë të gjatë. Por Kledi ka qenë këmbëngulës dhe me fat sepse ka njohur njerëz të përkushtuar dhe me zemër të madhe. Kledi ka çrregullime të spektrit autik. Ai ka ndjekur shkollën për persona me aftësi speciale “Luigj Gurakuqi”. Pasi kreu aty studimet iu nënshtrua një kursi profesional për përpunimin e drurit.

Me ndihmën  e shoqatës “Deiv Aid”, e cila punon me ndërmjetësimin e grupeve të margjinalizuara me tregun e punës, Kledi u atashua për të bërë praktikë pune pranë kompanisë Pana.

“Kledi ka qenë i heshtur në fillim. Nuk fliste, ishte i ndrydhur. Por dalëngadalë me ndihmën e kolegëve u integrua e tanimë jo vetëm punon me përkushtim, por ka edhe miq të mirë në punë. Bashkë me Kledin fillimisht erdhi për të bërë praktikën edhe dikush tjetër dhe deri në momentet e fundit unë kisha zgjedhur djalin tjetër për ti ofruar vendin e punës, por dëshira e Kledit për tu zhvilluar dhe ecur përpara më bëri të ndryshoja mendim dhe tani Kledin e kemi tek Pana prej katër vitesh”- thotë Pezana Rexha themeluesja e Panës.

Niku, një nga punonjësit më të vjetër kur është krijuar Pana tregon se në fillim Kledi është paragjykuar për shkak të problemit të tij dhe ndrydhjes, druajtjes. “Por më pas e kuptuam që ishte djalë shumë i mirë dhe e bëmë pjesë tonën duke e ndihmuar. Ai ka një zhvillim të madh këto vite si në punë, ashtu edhe në integrim shoqëror”- tregon Niku.
Një koleg tjetër i Kledit, mesoburrë na pyet: “Për Dakun keni ardhur”? Nuk e kuptuam, më pas Pezana na tregoi se ashtu e thërrasin me afri Kledin, e duan dhe e mbajnë afër”.

“Unë vij në 7 e 30 të mëngjesit në punë me autobus. Hap derën e punishtes, vesh rrobat e punës dhe filloj të bëj punën time.”- thotë Kledi. Ai përherë e ka pëlqyer drurin e të punonte me të derisa ju dha mundësia të bënte kursin e më pas praktikën.

“Kledi ka qenë një fëmijë tejet i ndrojtur dhe pa fjalë. Zor se integrohesh, por me ndihmën e psikologes, mësueses së tij dhe tonën, arritëm që Kledi të ndiqte një kurs profesional. Mandej u interesuam ku mund ta bënte praktikën dhe sot Kledi është në një punë stabël prej 4 vitesh”- thotë Endrita Cici, drejtoreshë Ekzekutive e Dev-Aid.

Sipas saj nga kontingjenti i ndërmjetësimit të personave nga grupet e margjinalizuara 53 % kanë gjetur një vend pune. Kurse Pana e ka në filozofinë e saj punësimin e personave nga grupet e margjinalizuara.
Sipas Pezana Rexhës, këta persona i japin një vlerë të shtuar punës dhe stafit ku integrohen sepse të qenit ndryshe i afron njerëzit dhe i bën më solidar.

“Përpos zbatimit të ligjit, të gjitha kompanitë duhet të kenë punonjës me aftësi speciale, ata janë vlerë e shtuar, por mbi të gjitha do të ruanim vlerat si popull e shoqëri që jemi solidarë, mikpritës dhe bujar. Jo për gjynah, por detyrim dhe mirësi”- thotë Pezana Rexha.

Sipas INSTAT 6.2% e popullsisë në moshë madhore në Shqipëri ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar. Personat madhorë me aftësi të kufizuara në moshë pune kanë dy herë më tepër gjasa të jenë jashtë forcës së punës. Një në pesë të rinj (15-24 vjeç) me kufizime në shikim është në kërkim të punës, por nuk mund të gjejë një të tillë. Prevalenca e aftësisë së kufizuar NUK ndryshon në kuintilet e të ardhurave. Personat me aftësi të kufizuara të kuintilit të poshtëm (më të varfërit), kanë 2 herë më tepër gjasa që të përballen me dy ose më shumë aftësi të kufizuara sesa kuintili i sipërm (më të pasurit)

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *