Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studimi: Shqipëria vendi i 10-të në botë për emigrimin e personave të kualifikuar

Sipas analizës së bërë nga Pew Research, në vitin 2100 pritet që popullsia e botës të ndalojë së rrituri. Kjo do vijë si pasojë e disa faktorëve demografikë si rënia e fertilitetit, jetëgjatësia mesatare apo migrimi. Të dhënat janë marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe funksionojnë në bazë të parashikimeve të ndikuesve të renditur më sipër. Në fund të këtij shekulli, popullsia në rang global pritet të arrijë shifrën e 10.9 miliard njerëz, me një rritje vjetore prej më pak se 0.1%, rënie e konsiderueshme duke marrë parasysh se nga viti 1950 deri tani, popullsia është rritur me 1 ose 2% çdo vit.

Në këtë analizë është përmendur edhe shteti shqiptar, ku përcaktohet se Shqipëria në vitin 2100 do të jetë vendi me moshën mesatare më të lartë në botë, 61 vjeç. Kjo vjen si rrjedhojë e tendencave të larta të migrimit, të cilat kanë përfshirë Shqipërinë prej dekadash.

Sipas studimit më të fundit të publikuar nga Raporti për Monitorim të Edukimin në Rang Global, kapitulli 6, “Migrimi, lëvizshmëria dhe edukimi: Ndërtojmë ura, jo mure; 2018“, Shqipëria së bashku me shtete si Eritrea, Grenada, Malta dhe Somalia bëjnë pjesë në 174 vendet të cilat kanë një migrim të lartë  të qytetarëve të arsimuar, mbi 20% të tyre. Raporti thekson se keto tendenca të larta lëvizjeje mund të ketë ndikime negative veçanërisht në shtetet shumë të varfra si Shqipëria, ku përqindja e konsiderueshme e shtresës intelektuale largohet nga shteti i origjinës duke mos depozituar kështu kontributin potencial individual, i cili mund të sjellë ndikime pozitive në vendin e lindjes.

Ky nuk është studimi i parë i cili vë në pah tendencat migratore të të rinjve që ndjekin studimet apo janë diplomuar jashtë Shqipërisë. Në 2010 dhe 2011, sipas Bankës Botërore rreth 31.3% e shqiptarëve me arsim të lartë shqiptar mendohet të ishin emigrantë.

Studimi i bërë nga CESS Albania në vitin 2017, tregon pritshmëritë e studentëve të cilët ndjekin studimet jashtë Shqipërisë dhe gjithashtu ofron të dhëna rreth perceptimit të së ardhmes së tyre pas diplomimit.

Janë intervistuar 330 studentë të cilët shkollohen në universitete jashtë Shqipërisë; kryesisht në Itali, Gjermani, Francë dhe vendet Nordike. Duke iu referuar përgjigjeve që ata dhanë në studim, 70% e tyre e panë arsimimin jashtë Shqipërisë si një mënyrë për të qenë rezidentë në atë shtet pas mbarimit të fakultetit. 49% e tyre u shprehën se nuk dëshironin të ktheheshin në Shqipëri në të ardhmen e tyre të shpejtë, 32% e tyre u shprehën se do të kthehen në Shqipëri për të punuar pas një periudhe kohe dhe vetëm 4% thanë se do të ktheheshin në Shqipëri pas studimeve.

Arsyet kryesore pse familjet shqiptare i kanë dërguar fëmijët e tyre me studime jashtë është tërthorazi një mënyrë që ata të mund të gjejnë punë në profesion në shtete pritëse pas mbarimit të universitetit, informon raporti.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *