Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

E premtja për të ardhmen vjen në Tiranë: Të rinjtë shqiptarë marshojnë në mbrojtje të planetit

“Të premtet për të ardhmen” [Fridaysforfuture] është një nismë e filluar nga Greta Thunberg, vajza 16 vjeçare nga Suedia e cila vitin e shkuar kërkoi më shumë veprim kundrejt krizës klimatike globale. Çdo të premte, Thunberg largohej nga mësimi dhe protestonte jashtë parlamentit suedez. Mijëra njerëz i janë bashkuar nismës së saj, tashmë artikulimi i problemit dhe kërkesat janë mjaft të qarta; kërkohet hartimin i menjëhershëm i politikave për të ulur emetimet e dioksidit të karbonit dhe parandalimi i rritjes së mëtejshme të temperaturave.

Në datë 14 prill, 2019 u organizuar një protestë masive ndërkombëtare ku studentë të 3200 shkollave marshuan dhe kërkuan veprim nga politikbërësit. Sot, me datë 20 shtator, të rinj nga e gjithë bota organizuan protestën e radhës për të kundërshtuar mosveprimin nga qeveritë dhe bizneset. Shqipëria është një ndër shtetet që iu bashkua nismës “Të premtet për të Ardhmen” [Fridays for Future].

Marshimi për Krizën Klimatike Globale u zhvillua ditën e sotme, në orën 17.00 dhe u përmbyll 2 orë më vonë, si fillimi i një cikli të gjatë protestash për marrjen e hapave të domosdoshëm për të shpëtuar planetin. Një ndër pankartat e shumta në protestë, ishe “Nuk ka planet B”, slogan ndërkombëtar  i cili nënkupton se duhen ndërmarrë nisma të menjëhershme për të shpëtuar tokën. Në marshim pati një pjesëmarrje të gjërë qytetare, kryesisht të rinj, të cilët artikuluan qartë shqetësimin e tyre rreth situatës aktuale dhe pasojat shoqëruese nëse nuk ka veprim.

Sot kam marrë këtë poster pasi dua që zonat e Shqipërisë si për shëmbull Lura të ruhen më shumë se në ditët e sotme, të mos shkatërrohen më nga njerëzit që jetojnë aty, nga koorporatat e mëdha që shfrytëzojnë pyjet”, tregon Desara Feti, një nga protestueset e ditës së sotme, e cila ngre qartazi shqetësimin rreth tjetërsimit të Lurës dhe shpyllëzimit që ajo ndër vite po pëson.

Në tjetër protestues, tregon se është pjesë e këtij marshimi pasi dëshiron që fëmijët e tij të gëzojnë një planet i cili nuk është nën kërcënim të vazhdueshëm të fatkeqësive natyrore dhe valëve të mëdha të të nxehtit.

Toka është e vetmja pasuri që ne kemi mundësi t’u lëmë fëmijëve dhe brezave tanë. Duhet të reagojmë sepse koha nuk na mjafton”, shprehet për Citizens Channel Ferdinand Shehu.

Gjatë intervistës së zhvilluar, Arben Kola tregon se një reagim në kohë duke ndërmarrë nisma konkretë për të mos thelluar më tej krizën klimatike, është garanci për një jetë të shëndetshme për fëmijët.

Bëhuni shqiptarë dhe qytetarë të vërtetë sepse duke mbrojt natyrën, keni mbrojt jetën, keni mbrojt të ardhmen, keni mbrojt fëmijët tuaj”, shprehet Kola.

Një ndër organizatoret e marshimit dhe njëkohësisht kordinatore e të rinjve në qendrën mjedisore “Eden” tregon për Citizens Channel se në fakt lëvizjet që kanë përfshirë shumë shtete të botës dhe ndërmerren kryesisht nga fëmijët dhe të rriturit, vijnë si pasojë e faktit që ndikimet më të mëdha negative do ndjehen nga brezat e ardhshëm.

Thirrja më e madhe bëhet ndaj sistemit, ndaj vendimmarrësve, për të treguar kujdes dhe vëmendje ndaj politikave të tyre”, bën me dije ajo.

Kjo kauzë  është e tillë që duhet të ketë përgjegjësi qoftë individuale qoftë qeveritare dhe natyrisht këtë e kërkojnë ne si banorë, kjo kërkohet dhe në shkallë globale”, përcjell Lavdosh Ferruni, i cili ishte i pranishëm sot në protestën e parë të kësaj natyre. Kundrejt masave individuale të cilat nuk ndikojnë në degradimin e mjedisit, ai artikulon se përkrah duhen hartuar edhe politika që nxisin një stil jetese ekologjike dhe miqësore ndaj planetit.

Shqetësimin ndaj masave të pakta të marra nga qeveritë lokale dhe vendore për të luftuar krizën klimatike vihen re edhe tek protestuesit e tjerë.

Gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel, Endri Haxhiraj tregon se pasojat do të jenë të mëdha nëse nuk hartohen dhe zbatohen politika të cilat nuk do lejojnë ngritjen e mëtejshme të temperaturave dhe i ulin gradualisht në nivelin e përcaktuar.

Pasojat janë të tilla që ndoshta Shqipëria ka për të qënë vendi që do jetë më i vuajtur në gjithë Evropën, për shkak se është një vend që ka marrë masat më të pakta lidhur me adaptimin për ndryshimet klimatike”, njofton ai.

Çfarë duhet të bëjmë?

Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin Klimatike për të mbajtur ngrohjen globale nën 2°C, emetimet e dioksidit të karbonit (CO2) dhe gazrave të tjerë të serrës duhet të përgjysmohen deri në vitin 2050. Vendet e zhvilluara do të duhet të zvogëlojnë më shumë – midis 80% dhe 95% deri në 2050; vendet në zhvillim që shkaktojnë emetime të mëdha (për shembull Kina, India dhe Brazili) do të duhet të kufizojnë rritjen e këtyre emetimeve.

Këto janë mënyrat si mund të parandalohet rritja e mëtejshme e temperaturës:

  • Rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme (duke përdorur erën, panelet diellorë)
  • Përmirësimi i përdorimit të energjisë në mënyrë të dobishme në ndërtesa, industri, në pajisjet elektro-shtëpiake
  • Reduktimi i emetimeve të karbonit nga makinat
  • Marrjen e masave për zvogëlimit e emetimit të dioksidit të karboni nga industrinë e prodhimit;
  • Masa për të zvogëluar emetimet nga landfillet

Çfarë do t’i ndodhë planetit nëse ne nuk veprojmë sipas World Wild Life (WWF)?

  • Rritja e nivelit të detit mund të ndikojë në dhjetëra miliona njerëz dhe jetën e egër në të gjithë botën, veçanërisht ata që jetojnë në brigje dhe ishuj
  • Akulli i detit Arktik zvogëlohet çdo verë, por ende mbulon miliona kilometra katrorë të oqeanit. Arktiku po ngrohet më shpejt se kudo tjetër në Tokë dhe vera pa akull mund të bëhen realitet.
  • Valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta dhe të rënda në të gjithë botën, duke prekur qindra miliona – apo edhe miliarda – njerëz nëse nuk veprojmë.
  • Ngrohja globale rrit rrezikun e reshjeve më të shpeshta — dhe më të rënda, reshjeve të dëborës dhe reshjeve të tjera. Kështu rritet rreziku për përmbytje dhe katastrofa natyrorë.
  • Ndërsa toka vazhdon të ngrohet, habitatet nuk do mund të jenë më mikpritëse për disa kafshë ose bimë. Kjo vë në rrezik një shumëllojshmëri të specieve, në varësi të faktit nëse ato mund të përshtaten apo lëvizin.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *