Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Barrierat që pengojnë jetesën e pavarur të personave me aftësi të kufizuar

Agustin Aramadhi është një i ri i cili jeton në Tiranë. Aftësia e tij e kufizuar nuk e ka penguar të edukohet dhe të jetë në marrëdhënie pune, por për të nuk ka qenë aspak e lehtë. As për Agustinin dhe as për familjen e tij.

Aftësia e kufizuar në një qytet si Tirana është një sfidë aspak e lehtë – mungesës së infrastrukturës në lëvizjen e përditshme apo aksesit në shërbime i shtohet dhe komunikimi i papërshtatshëm dhe diskriminues.

Citizens Channel kreu një vëzhgim në terren me Agustinin, duke tentuar të marrim tre shërbime që janë bazike për çdo qytetar: pasaportën apo kartën e identitetit, postën shqiptare (vendi ku merret dhe pagesa e aftësisë së kufizuar) si edhe zyrat e njësisë bashkiake.

Barrierat në marrjen e pagesës të aftësisë së kufizuar 

Posta Shqiptare është një ndër shërbimet më të përdorura nga qytetarët. Personat me aftësi të kufizuara duhet të vizitojnë pikat e postës për të marrë pagesën e përmuajshme të aftësisë së kufizuar. Sipas marrëveshjeve me njësitë bashkiake, Posta kryen shpërndarjen e pagesave kundrejt një komisioni prej 50 lekësh, i cili zbritet nga shuma që PAK marrin çdo muaj. Shumë nga pikat e postës janë të paaksesueshme për PAK, çka ua bën të pamundur të marrin një shërbim që jo vetëm i takon ligjërisht, por edhe e paguajnë.

Bazuar në të dhënat që Citizens Channel disponon nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale janë 71, 096 persona që marrin pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar dhe secilit i zbritet 50 lekëshi i shërbimit çdo muaj. Çka do të thotë se nëse çdo PAK do të drejtohej aty, Posta Shqiptare do të merrte 42,657,600 lekë për një shërbim që thjesht nuk e ofron. 

Pikat e institucionit që Citizens Channel vëzhgoi në terren jo vetëm nuk janë të aksesueshme, por shpeshherë dhe punonjësit nuk janë të trajnuar për mënyrën e komunikimit me personat me aftësi të kufizuar, kjo është arsyeja që e ka shtyrë Agustinin ta kalojë pagesën në një nga bankat private në Tiranë: “Më kujtohet përpara se ta kaloja në bankë, merrja pagesën te posta përkatëse. Ishte e pamundur që unë të hyja në ambientet e brendshme. Shumicën e rasteve çoja një nga prindërit, me kartën e identitetit, por edhe atëherë vetëm në mirëbesim të punonjësve mundësohej kjo gjë sepse ligjërisht duhet të vijë vetë personi që ka pagesën për ta marrë”.

Agustin Aramadhi

 

Agustini tregon edhe për rastet kur i është dashur t’i drejtohet vetë postës për të marrë paratë: “Punonjësja e zyrës ku merrja pagesën, dilte përjashta dhe kryenim veprimet në ambientet jashtë postës. Po normalisht kjo ka edhe disa probleme pasi mungon aspekti i sigurisë sepse të marr pagesën mujore në rrugë, është e pasigurtë , gjithashtu është edhe jo e këndshme për aspektin e privatësisë sepse çdo gjë do duhej të ndodhte në ambientet e brendshme të postës”.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Posta Shqiptare refuzoi t’i përgjigjej Citizens Channel për nivelin e aksesueshmërisë që ofron në pikat e shërbimit.

 

 

ALEAT apo “kundërshtar” i personave me aftësi të kufizuara:

Kompania konçensionare ALEAT e krijuar për të ofruar shërbimet e dhënies të letërnjoftimit e pasaportës është e pranishme në Shqipëri në 117 pika shërbimi. Në dy pikat e vëzhguara mungon përshtatshmëria, çka e bën të pamundur që një person me aftësi të kufizuara (PAK) të hyjë pa ndihmën e të tjerëve. Pavarësisht kësaj, brenda zyrave nuk mungonin shenjat orientuese.

Aksesi në ambientet e brendshme duket i mirë, por kur unë nuk futem dot brenda , për mua është i pavlefshëm”, tha Agustin Aramadhi për Citizens Channel gjatë vëzhgimit në terren.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Ministria e Punëve të Brendshme, në shkelje të afatit ligjor, nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të Citizens Channel për përmbushjen e kritereve të aksesueshmërisë së pikave të shërbimit të Aleat duke mos vendosur në dispozicion asnjë projekt që parashikon përmirësimin e infrastrukturës për PAK.

Dyert për tu ankuar janë të mbyllura:

Edhe pse ka një sërë ligjesh të miratuara si nga pushteti qendror dhe ai lokal për garantimin e aksesit të personave me aftësi të kufizuara  ato nuk respektohen, duke e bërë të pamundur që PAK të jetojnë dhe marrin shërbime në mënyrë të pavaur.

Ligji Nr.93 i vitit 2014 përcakton si qëllim të tij përcaktimin e përgjegjësive të të gjitha strukturave publike dhe jopublike, duke përfshirë organet shtetërore, qendrore dhe vendore, në zbatimin e parimeve të përfshirjes dhe aksesueshmërisë për të zvogëluar, deri në heqje, pengesat për personat me aftësi të kufizuar, me qëllim pjesëmarrjen e tyre në mënyrë të barabartë në shoqëri.

Në nenin 5 të këtij ligji thuhet qartë se janë politikat shtetërore ato të cilat mbështesin personat me aftësi të kufizuar që të kenë akses në transport, shërbime shoqërore, shërbime shëndetësore përmes infrastrukturës së përshtatshme, në qendra kulturore, sportive dhe qendra publike, në komunikim dhe informacion.

Ajo çka e vështirëson më tej situatën, është fakti se PAK nuk kanë mundësi të aksesojnë në mënyrë të pavarur as institucionet që janë ngritur për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Citizens Channel kreu një vëzhgim në zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe Gjykatën e Tiranës, të cilat janë krejtësisht të pa aksesueshme.

Zyra e KMD ka për qëllim shqyrtimin e ankesave dhe garantimin e të drejtave të personave apo grupeve shoqërore që përjetojnë sjellje diskriminuese.

Citizens Channel iu drejtua zyrës së KMD për të marrë më shumë informacion mbi mungesën e përshtatshmërisë.

“Në lidhje me pyetjen tuaj ju sqarojmë se zyra e Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është në pritje të miratimit të kërkesës për fondin shtesë në Buxhet  në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë lidhur me vendosjen e rampës në hyrjen e godinës së re ku jemi transferuar”, u përgjigjën përfaqësuesit e zyrës së KMD.

Në vazhdim të përgjigjes tregohet se ende nuk ka asnjë afat se kur godina do të bëhet e aksesueshme: “Nëse kërkesa e Institucionit miratohet në muajt në vijim, kjo godinë do të ketë edhe akses për individët me aftësi të kufizuar”.

Ndërsa Gjykata Administrative e Shkallës së Parë sqaroi se brenda muajit gusht do të përfundonin edhe punimet e brendshme në institucion në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara, por kjo ende nuk është realizuar.

Jetesa e pavarur?

Kjo lloj infrastrukture e bën pothuajse të pamundur jetesën e pavarur për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri pavarësisht se ligji “Për aksesueshmërinë” dhe për “Mbrojtjen nga Diskriminimi” e garantojnë atë si një të drejtë themelore.

Suela Lala drejtuese e Fondacionit “Së bashku”  dhe aktiviste për personat me aftësi të kufizuar ndan me Citizens Channel shqetësimin se jetesa e pavarur është një problem i madh në Shqipëri për personat me aftësi të kufizuara.

Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”

“Nëse ne nuk mund të lëvizim të pavarur dhe të kryejmë ato shërbimet e jetës së përditshme, të bëjmë pazarin, të shkojmë nëpër zyrat e shtetit, të bëjmë aktivitetet e përditshme në qytet si gjithë qytetarët e tjerë, duke lëvizur me mjetet tona ndihmëse sigurisht që ne nuk mund të flasim për jetesë të pavarur. Na duhet jo një person, por më shumë se 2 – 3 persona për të nga ngritur shkallëve të institucioneve ku marrim shërbimin apo ku duhet të shkojmë, sigurisht që kjo nuk është jetesë e pavarur”, thotë ajo për Citizens Channel.

Studimi “ E drejta e personave me aftësi të kufizuara për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe për të qenë të përfshirë në komunitet” thekson se jetesa e pavarur dhe përfshirja në komunitet është ngushtësisht e lidhur me të drejta të tjera të njeriut si barazia, mos diskriminimi, integriteti fizik dhe mendor, liria, autonomia, privatësia etj.

“Për shumicën e njerëzve të jesh pjesë e një shoqërie merret si e mirëqenë dhe as nuk mendohet për të. Por ky nuk është rasti për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në studim.

Jetesa e pavarur, krijimi i kushteve të infrastrukturës për aksesueshmërinë dhe mos diskriminimin janë të drejta themelore të njeriut dhe sfida të përditshme për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

*Citizens Channel | Fjori Sinoruka

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *