Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Muaji tetor: Marshim ndërgjegjësues për kancerin e gjirit

Ja ku jam unë para jush, luftova me këtë sëmundje, me mbështetjen e familjes, e mjekësisë dhe të shoqërisë që kisha arrita që të jetoj, të rris fëmijët, t’i martoj dhe sot jam një gjyshe shumë e lumtur“, tregon zonja Hajrie e cila u vlerësua me çmimin “Vullnetare e Fjongos Rozë”. Para shumë vitesh ajo është diagnostikuar me kancer gjirit dhe sot është një zë në shoqëri dhe komunitet.

YWCA of Albania organizoi për të njëmbëdhjetin vit marshimin simbolik gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Nën moton “Fjongoja rozë më kujton…” qytetarë dhe organizatorët filluan ecjen, të kthyer në traditë tashmë, nga Pallati i Kongreseve drejt sheshit Skënderbej.

Aktiviteti i 8 tetorit u shoqërua me broshura informuese dhe fjalime nga organizatorët dhe partnerët bashkëpunues, të cilët theksuan rëndësinë e njohjes së trupit dhe kontrollet rutinore që bëjnë të mundur identifikimin dhe diagnostikimin në kohë të kancerit të gjirit. Eventi u mbyll me dhënien e çmimeve të tjera për vullnetarët.

Ky çmim iu dha edhe zonjës Hajrie e cila e ka mundur sëmundjen e kancerit të gjirit. Ajo ndau me pjesëmarrësit rëndësinë e kontrollit mjekësor si një domosdoshmëri për të shpëtuar jetën e grave dhe vajzave që preken nga kjo sëmundje.

Kanceri i gjirit, fatkeqësisht sipas statistikave ka pësuar një rritje në vendin tonë. Çdo vit, rreth 600 vajza dhe gra diagnostikohen me kancer më gji. Rastet e diagnostikimit të vonë të kancerit në gji janë të shpeshta, ndikuar nga shumë arsye, por dua të përmend mungesen e një kulture të përgjithshme ndaj kontrolleve dhe ekzaminimeve“, sqaron për citizens Channel Sulltana Aliaj, pjesë e stafit organizues YWCA of Albania.

Duke vijuar më tej, Sulltana Aliaj na sqaron se mangësitë kulturore vijnë si pasojë e stigmës dhe turpit rreth fizikut të gruas, e cila nuk ua lehtëson atyre procesin e kontrollimit dhe ekzaminimit.

Stigma ndaj trupit është padyshim një faktor që ndikon më mosekzaminimin dhe moskontrollet. Çështjet shëndetësore të lidhura me stereotipet gjinore evidentojnë se vajzat dhe gratë kanë më pak iniciativë dhe pavarësi, duke reflektuar më pak kujdes për veten dhe të praktikojnë më pak sjellje provomuese për shëndetin”, shpjegon ajo.

Në sajë të rritjes së ndërgjegjësimit YWCA of Albania ka planifikuar në këtë muaj një sërë aktivitetesh dhe nismash që kanë si qëllim informimin e shoqërisë. Këtu përfshihet një koncert bamirësie, broshura informative, diskutime me nxënës të shkollave 9-vjeçare, konferencë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe publikimi i një libri i titulluar “Si të përballemi me kimioterapinë“.

 “Vazhdimisht do jap mesazhe, bëni një vizitë, mos e keni te vështirë për të përcaktuar atë çka ju keni që në fillim. Ta mundim sëmundjen e shekullit, të tregojmë që ne gratë jemi të forta dhe mundim sëmundjen që mund të na vijë, mund të na trokasë tek dera”, artikulon zonja Hajrie gjatë mbylljes së marshimit, teksa tullumbacet rozë u lëshuan drejt qiellit.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *