Në gjyq me bashkinë, studentët dhe pedagogët protestojnë për Kopshtin Botanik

Ditën e sotme pranë Gjykatës Administrative të Apelit u zhvillua protesta nga studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, të cilët kundërshtuan planin e bashkisë për të kaluar nën administrim Kopshtin Botanik.

Në të njëjtën kohë zhvillohej seanca gjyqësore e cila u shty pasi kishte mungesë të përfaqësimit nga pala e qeverisë si palë e paditur. Në atë seancë do merrej në shqyrtim padia e Universitetit të Tiranës në lidhje me VKM-në 510, të datës 17 korrik 2019.

Aleko Miho, pedagog prej më shumë se 30 vitesh në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ishte i pranishëm në protestë. Ai shprehet për Citizens Channel se VKM-ja e miratuar është në kundërshtim me vetë ligjin e arsimit të lartë.

Është një shkelje e ligjit të arsimit të lartë kjo që ka ndodhur. Ata nuk kanë marrë parasysh autonominë universitare që vetë ligji e jep për pronat që ka në administrim. Pronat nuk mund të jepen nëse nga vetë institucioni nuk ka një kërkesë që t’i kalojë bashkisë“, artikulon ai.

Aleko Miho, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës

Sara Aliu, një nga studentët pjesëmarrës në protestë shprehet se është skeptike rreth vijueshmërisë së Kopshtit Botanik pas administrimit nga bashkia Tiranë.

“Në qoftë se është për fakultetin, universiteti do të përdorë për studime shkencore dhe nuk do ta shkatërrojë atë jeshile që është aty. Në qoftë se është për bashkinë, nuk i dihet fundi“, shpjegon ajo për Citizens Channel.

Të njëjtat hije dyshimi shoqërojnë edhe pedagogun Aleko Miho i cili është përgjegjës për kërkimin shkencor të botanikës. Ai ndan rastet të tjera ku hapësirat të tjera të marra nën administrim nga bashkia kanë humbur pjesë të territorit ose janë ndërtuar kulla.

Bashkia ka ndërtuar tek oborri kopshtit tonë, tek oborri i fakultetit. Ishte oborri i fakultetit dhe ne kishim parashikuar një shtesë të Fakultetit të Shkencave që ka shumë nevojë. Jo, u ndërtua një kullë betoni. Po të njëjtin fat ka Muzeu i Shkencave, ishte 4500 metra dhe u bë 3 herë më pak“, vijon pedagogu Miho.

Për rëndësinë e Kopshtit Botanik tregon edhe Jani Marka, pegagog i Departamentit të Biologjisë. Ai shpjegon se Kopshti Botanik duhet të vazhdojë të administrohet nga Universiteti i Tiranës.

Qysh nga dita e parë e lindjes së tij në vitet 1960 dhe është gjithashtu Institucion i Rëndësisë së Veçantë (i shpalluar me ligj në vitin 1999). Në këtë kuptim, është historia jonë, shtëpia jonë. Dhe as historinë tonë dhe as shtëpinë tonë nuk mund të na i rrëmbejë Bashkia e Tiranës përmes Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë“, informon ai gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel.

Jani Marka, pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës

Projekti i bashkisë konsiston në shkrirjen e Kopshtin Botanik me atë Zoologjik nën një hapësirë të vetme. Sipas pedagogut Miho kjo shkrirje nuk mund të bëhet pasi hapësirat janë të ndryshme për sa i përket funksionit të tyre.

Kopshti Zoologjik është kopsht me karakter çlodhës, edukativ. Kopshti Botanik është institucion shkencor, nuk është një hapësirë ku ti mund të shkosh të bësh piknik, të lozësh, të çlodhesh”, duke argumentuar më tej se Kopshti Botanik mban mbi 4000 lloj bimësh të cilat kanë nevojë për menaxhim nga persona të specializuar.

Nën të njëjtën vijë mendimi është edhe pedagogu Jani i cili mendon se funksioni i Kopshtit Botanik ka karakter shkencor dhe mësimor.

Kopshti është institucion me natyrë shkencore dhe mësimore. Këto veprimtari mund t’i ofrojë vetëm Universiteti. Kopshti nuk është park për të luajtur futboll banorët e lagjes, por vend për hulumtime shkencore, mësim dhe edukim“, shprehet Jani Marka.

Veliaj kundër akademikëve: “Jeni të paaftë të menaxhoni”

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, kryetari i bashkisë Erion Veliaj është shprehur rreth seancës gjyqësore, ku më tej lëshoi akuza kundrejt rektorit Mynyr Koni si i paaftë për të menaxhuar hapësirat e universitetit të cilat sipas tij janë tjetërsuar vetëm pas marrjes nën administrim të bashkisë Tiranë.

Sot ka një seancë gjyqësore për çështjen e pronësisë së Kopshtit Botanik për të cilën bashkia e Tiranës ka hipotekë.  Kopshti Botanik ka qenë një nga hapësirat më të bukura në Tiranë ndërkohë që sot është kthyer në një landfill plehrash në mes të Tiranës. Qartazi, Universiteti i Tiranës si dhe shumë punë të tjera, është komplet i paaftë ta menaxhojë“, u shpreh Veliaj.  

*Citizens Channel/E.K/E.N