“Eja mbështet një shok për kokë”, protestuesit kërkojnë shërbime institucionale për PAK

Nën moton “Eja mbështet një shok për kokë” fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) së bashku me 9 organizata të tjera të shoqërisë civile Pro PAK organizuan marshim-protestën e cila kishte pikënisjen tek Parlamenti i Shqipëri për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë. Kundrejt rolit ndërgjegjësues, organizatorët dhe qytetarët theksuan problematikat institucionale dhe sociale me të cilat hasen personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri dhe parashtruan kërkesat e tyre lidhur me përmirësimin e situatës aktuale.

Kërkesat kryesore të pjesëmarrësve konsistojnë në zbatueshmërinë e Konventës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth Personave me Aftësi të Kufizuar. Theksi u vendos në disa fusha konkrete si ajo e arsimit dhe pasjen e mësuesve ndihmës, ofrimin e shërbimeve aftësuese e cila u mundëson një jetesë të pavarur, respektimi i legjislacionit në punësim, marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe më tej.

Ne kërkojmë më shumë shërbime sociale sepse në moshën madhore që kam unë djalin, është 32 vjeç, ka shumë pak shërbime sociale të cilat shteti ua ofron”, informon zonja Lica Semeni teksa ndan me Citizens Channel aspektet shqetësuese të përditshmërisë së saj. Ajo ishte e pranishme së bashku me djalin e saj në protestë dhe kërkon nga institucionet përkatëse ofrimin e shërbimeve psiko-sociale të cilat të jenë të aksesueshme edhe për persona me aftësi të kufizuar që janë mbi 18 vjeç. Zonja Semeni tregon se, në mënyrë personale, ka marrë shërbime nga subjekte private.

Vështirësitë më të mëdha janë në të ardhmen, deri tani në u shërbejmë vetë, kemi lodhje ama u shërbejmë. Por çfarë t’u bëjmë në të ardhmen? Prandaj shteti të mendojë shumë për krijimin e qendrave sociale për ata fëmijë që nuk kanë mundësi“, vijon edhe më tej ajo, e cila nuk e fsheh shqetësimin e saj rreth të ardhmes së djali të saj kur ajo të mos jetë në gjendje të kujdeset më për të.

Lica Semeni, pjesëmarrëse në protestë, nën moton “Eja mbështet një shok për kokë”

Një ndër aspektet më shqetësuese për zonjën Lica është transporti publik dhe lëvizshmëria e lirë. Ajo shprehet se mungesa e librezës i hap shpesh herë probleme teksa përdor linjat e autobusëve në Tiranë.

Më shqetësojnë shërbimet që ofrohen në autobus për fëmijët që janë me aftësi të kufizuar, veçanërisht atyre me paaftësi mendore, siç e kam unë djalin. Si mund të vlejë një librezë vetëm për djalin dhe nuk vlen për mua? Djali nuk mund të bëjë asnjë veprim vetëm“, bën me dije ajo gjatë intervistës.

Kastriot Hoxhaj ishte një tjetër prind i pranishëm në marshim-protestën e ditës së sotme. Ai rrëfen me dhimbje se pagesa që merr nga ana shtetërore në formë ndihme ekonomike nuk i mjafton për të mbuluar shpenzimet dhe nevojat e dy fëmijëve të tij, të cilët janë me aftësi ndryshe.

Kam dy fëmijë, kam tjetrën në shtëpi, 27 vjeç, 22 kjo, me aftësi të kufizuar. Ilaçet me rimbursim nuk bëjnë fare efekt. Jam detyruar t’i marr, gjoja çik si më të mira, me lekë. Po shteti jonë nuk ka për t’u bërë kurrë, për 1000 vjet“, sqaron ai gjatë intervistës me Citizens Channel. Zoti Kastriot shpjegon se kjo situatë e ka mbyllur në shtëpi pasi i duhet të përkujdeset për fëmijët ndërkohë që bashkëshortja është në marrëdhënie pune.

Kastriot Hoxhaj, pjesëmarrës në protestë, nën moton “Eja mbështet një shok për kokë”

Jam gjithë ditën në tension, jam 24 orën non stop me dy fëmijë të sëmurë. Nuk kam asnjë moment mos të jem në shtëpi. Nusen e kam në punë, çfarë të bëj, punon me orë të reduktuar. Po nuk vajti ajo në punë jemi të vdekur“, tregon ai teksa sqaron se ndihmesa financiare për një fëmijë është 10.000 lekë të reja, pagesë tejet e pamjaftueshme për nevojat e fëmijëve të tij.

Në të njëjtën situatë gjendet edhe zonja Fatmira Lekiqi e cila banon në Shkodër dhe ka ardhur pikërisht për të ngritur shqetësimin e saj rreth shërbimeve që merr Arjona, vajza e saj.  

Unë kam ardhur nga Shkodra dhe protestoj sepse kërkoj kushte më të mira dhe përkrahje për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar“, artikulon Lekiqi për Citizens Channel, duke theksuar më tej se vlera prej 10.000 lekësh të reja të ofruar nga shteti nuk i mjaftojnë për integrimin dhe marrjen e shërbimeve aftësuese për vajzën e saj.

Ajo dëshiron të ketë më shumë hapësira, aktivitete sociale dhe argëtuese për personat me aftësi ndryshe. “Nga ana ekonomike, të ngrihet pagesa dhe të jepet mundësia të aktivizohen, gjithëpërfshirje por sipas mundësive të tyre, për shembull qendra ditore ose qendra të ndryshme dhe të përfshihen aktivitete të ndryshme“, shprehet zonja Fatmira për Citizens Channel.

Arjona dëshiron të bëhet këngëtare dhe për zonjën Lekiqi do ishte shumë stimuluese dhe integruese që institucionet të mund ta ndihmonin vajzën e saj në këtë aspekt.

Fatmira Lekiqi dhe Arjona, pjesëmarrëse në protestë, nën moton “Eja mbështet një shok për kokë”

Në rastin tim do doja mbështetje pasi vajza ime dëshiron të bëhet këngëtare, kjo është gjë e mirë, që do me u ba dikush, këtu nuk gjejmë mbështetje nga shteti për me i dhanë një dorë“, vijon ajo.

Ata [personat me aftësi të kufizuar] kanë nevojë të gjithëpërfshihen, të ndjehen të pranum, me qenë të dashtun, me u pranu prej shoqnisë edhe me qenë brenda shoqnisë, jo me qenë veçantë saj“, përfundon zonja Lekiqi.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj