Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nga televizioni në ueb dhe gazetë, kushte të padrejta pune për gazetarët shqiptarë

*Foto Ilustruese | Getty Images

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore në bashkëpunim me Citizens Channel kanë sjellë për të parën herë në Shqipëri një pasqyrë të qartë të kushteve të punës për gazetarët profesionistë dhe studentët e gazetarisë dhe komunikimit. Projekti “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” i mbështetur nga Bashkimi Evropian ka analizuar veçoritë e tregut mediatik shqiptar.

Studimi i mbështetur në metoda cilësore dhe sasiore të kërkimit shkencor ka përfshirë studentë të gazetarisë si dhe profesionistë të mediave me një eksperiencë disa vjeçare në tregun e punës. Po ashtu, për një pasqyrë sa më të plotë të gjendjes aktuale të tregut mediatik janë pyetur drejtues dhe menaxherë të mediave lokale dhe kombëtare, si dhe drejtues të organizatave jofitimprurëse në këtë fushë.

Gjetjet e dala nga konsultimi me aktorë të fushës dhe juristë janë përdorur nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Citizens Channel për hartimin e një propozimi konkret për një ndryshim në ligjin NR. 7961, datë 12.7. 1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, drejtuar kjo deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Kliko këtu për të parë propozimin për ndryshime ligjore

DREJT PROFESIONALIZMIT, PROBLEMET QE HASIN GAZETARET SHQIPTARE –INTERSHIPI

Përmes intervistave me 492 studentë të gazetarisë dhe komunikimit nga katër rrethet e Shqipërisë: Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër, 49 gazetarë profesionistë, 14 menaxherë medias, si edhe 4 drejtues të organizatave joqeveritare për mediat problemet që dalin në pah janë jo të pakta.

66% e studentëve, gjatë intervistave të realizuara ballë përballë, shprehen se nuk kanë pasur përvoja internshipi, ndërsa ata që e kanë pasur këtë përvojë (33%), e kanë gjetur vetë apo nëpërmjet miqve dhe të afërmve. Sipas ekspertëve ligjorë marrëdhëniet e internshipit në Shqipëri nuk janë të rregulluara në asnjë fushë.

“Praktika botërore e ka rregulluar si një veprimtari që kryhet me pagesë ose pa pagesë. Në fushën e gazetarisë është një veprimtari që rregullohet nga Universitetet, nga shteti apo agjencitë e tjera që bëjnë ndërmjetësimin, ndërsa në vendin tonë situata është e parregulluar. Nuk ka një normim, rregullim të posaçëm se çfarë do të konsiderojmë internship. Kodi i punës nuk e njeh fare si koncept”, shprehet Embro Ahmetaj, ekspert ligjor.

Aleksandër Cipa

Aleksandër Çipa, drejtues i Unionit të Gazetarëve, e sheh të nevojshme një ndërhyrje në legjislacion për rregullimin e marrëdhënieve të intershipit. “Këto nisma janë të lehta për t’u realizuar si dokumentim sepse ka përvoja të BE-së apo SHBA-së që janë të mundura të integrohen dhe formalizohen brenda skemës mediatike në Shqipëri. Fatkeqësisht këto janë të parregulluara, nuk institucionalizohen dhe lihen në mëshirë të vullnetit dhe dëshirës që ka një administrator apo editor” –  shprehet Çipa duke shtuar më tej se – “shumica e mediave, kryesisht ato online, kanë nisur një rekrutim mjeran të studentëve të gazetarisë, të cilët bëjnë jo vetëm një punë skllavëruese, por zhbëjnë disa nga parimet më të rëndësishme që ata kanë nën investimin studimor dhe univeristar”.

Në të njëjtën linjë është edhe Instituti Shqiptar i Medias. Drejtuesja Ilda Londo thotë se internshipi duhet të njihet ligjërisht si një praktikë

Ilda Londo

që duhet bërë dhe duhet paguar.  “Një nga ankesat që kanë studentët e gazetarisë është mos krijimi i një hallke ndërmjetësimi me mediat sa i përket lidhjes së një kontrate pune apo formalizimit të një praktike. Deri tani është bërë në mënyrë individuale”– shprehet Londo.

Lutfi Dervishi

Për profesorin e gazetarisë hulumtuese, Lutfi Dervishi, mungesa e  praktikave ndikon në mosnjohjen e tregut të punës nga studentët. “Jam habitur tej mase kur kam mësuar nga studentë që studiojnë gazetari (Jo në Tiranë), që kanë mbaruar 3 vjet studime dhe nuk kanë bërë asnjë orë praktikë. Ky rast flet jo thjesht për shkëputje dhe mos njohje të tregut të punës, por flet për falsitet. Eja merr një diplomë dhe kur shkon në një redaksi praktikisht nuk di asgjë nga puna”, shprehet Dervishi.

KONTRATA SI MJET RREGULLUES QE EKZISTON VETEM NE LETER

Një pjesë e rëndësishme në çdo marrëdhënie pune është formalizimi i saj si një marrëdhënie juridike e njohur nga punëmarrësi, punëdhënësi dhe shteti, e njohur si kontratë. Në Shqipëri kontratat vijojnë të mbeten akte formale në letër apo edhe mungojnë në tregun e punës.

Gjetjet e studimit tregojnë se 61% e studentëve të punësuar pohojnë se nuk kanë një kontratë të nënshkruar me punëdhënësin, ndërsa 32 % e tyre shprehen se nuk paguhen rregullisht për punën e bërë.

Mospagimi i punës së kryer nuk prek vetëm studentët. 18.4% e gazetarëve profesionistë, që punojnë prej disa vitesh, treguan se nuk paguhen rregullisht. Të trishtueshme e cilëson këtë situatë Irina Radu, drejtuese në Zyrën për Zhvillimin e Medias pranë Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Irina Radu

“Mendoj se është shumë e trishtueshme, jo se ligji nuk është i mirë, por për shkak se ligji nuk zbatohet nga pronarët, njerëzit që punësojnë gazetarët dhe fatkeqësisht gazetarët janë të detyruar që ta pranojnë këtë pasi kanë familje, kanë fëmijë dhe shpesh herë kanë frikë të luftojnë për të drejtat e tyre”, shprehet Irina Radu, duke sjellë më tej një shembull nga një aktivitet i organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.

“Ajo çka më ka mërzitur shumë ishte një takim në të cilin morëm pjesë, i organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), ku ishte dhe përfaqësuesi i Inspektoratit të Punës, dhe [AMA dhe Inspektorati] kishin vendosur të monitoronin dhe te kontrollonin së bashku se si ligji dhe të drejtat e gazetarëve ishin respektuar nga pronarët. Dikush nga salla pyeti: ‘A mund të na thoni për ndëshkimet dhe gjobat që keni vendosur për mediat?’ Dhe përgjigja ishte: ‘Jo nuk mundemi’. Kjo nuk është normale. Nëse vërtet mediat kontrollohen, atëherë duhet të kesh mundësinë të lexosh një raport, se kush bëri çfarë, kush pagoi dhe sa për një thyerje të ligjit. Kjo transparencë duhet të jetë funksionale dhe do të ndihmonte këdo, dhe sidomos gazetarët, për të përmirësuar kushtet e tyre të punës”, tregon Radu.

Një cenim jo vetëm në aspektin profesional, por edhe njerëzor e cilëson fenomenin e vonesave të pagave Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias.

Koloreto Cukali

“Marrëdhënia financiare me publikuesin apo median ku punon është baza e marrëdhënies së punës së gazetarit . Nëse nuk paguhesh për punën që bën cilësia e punës bie për shumë arsye. Ky lloj gazetari nuk mundet t’i kryejë detyrat e veta si gazetar, por është edhe shumë më tepër i brishtë ndaj presioneve që mund t’i bëhen sepse kupton që buka e përditshme varet nga të tjerë. Ka shumë raste që gazetarët detyrohen t’i pranojnë presionet vetëm për hir të rrogës, e cila kur është edhe e vonuar ata janë të cenuar edhe si qenie njerëzor”, shprehet Cukali.

Teksa bën një krahasim ndër vite, Aleksandër Çipa sheh një përkeqësim të situatës për gazetarët në Shqipëri.

“Në disa nga shtyllat më të rëndësishme që përcaktojnë integritetin , pavarësinë dhe garancinë ekonomiko – financiare të gazetarit kemi një përkeqësim të situatës. Është një përkeqësim që ka bërë të mundur që mos të mbrohet as karriera në një kuotizim të shpërblimit financiar sipas punës, mos mbrojtje të përvojës dhe kualifikimit profesional”, thotë Çipa, i cili sheh si zgjidhje krijimin e mekanizmave vetërregullues si bordet dhe këshillat.

Për ekspertin ligjor Embro Ahmetaj, përmirësim në marrëdhëniet e punës do të sillte krijimi i një autoriteti kontrollues që mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të medias.

“E rëndësishme është të ketë një institucion që të monitorojë se çfarë ndodh me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve, dhe jo vetëm në fushën e gazetarisë. Do duhej të forcoheshin instrumentet shtrëngues, po edhe gazetarët nga ana e tyre të rrisnin bashkëpunimin me njeri tjetrin duke krijuar sindikata. Janë disa (duhet saktësuar që janë unione-shoqata), po jo efektive”– përfundon Ahmetaj.

Por këto janë vetëm disa nga problemet që dolën në pah gjatë këtij studimi. Njohuritë që gazetarët dhe studentët e gazetarisë kanë mbi ligjin, njohjen e organizatave në mbrojtje të tyre, si dhe të strukturave shtetërore rregulluese dhe mbrojtëse të marrëdhënieve të punës janë një tjetër aspekt i studimit.

Shumë gazetarë të pyetur thonë se nuk e kanë negociuar ndonjëherë kontratën e tyre e punëdhënësit.

“Detyrohesh të nënshkruash një kontratë formale sepse aty asnjë pikë e kontratës nuk zbatohet realisht për gazetarët. Të gjitha janë të pazbatueshme sepse ai thotë që një muaj është pushim, po kush është ai gazetar që bën një muaj pushim?!”, shprehet një nga gazetarët e intervistuar*. Ky fakt pohohet edhe nga gazetarët e tjerë të cilët janë intervistuar për këtë studim.

Problem sipas menaxherëve dhe vetë gazetarëve mbetet mentaliteti i krijuar tek profesionistët e medias, që kontratën e konsiderojnë një akt formal, për të cilën nuk negociohet për të arritur në kushte përfundimtare që do të kënaqnin të dyja palët.

Sipas të dhënave të studimit, gazetarët dhe drejtuesit e mediave, nuk janë aktivë në shumicën e herëve për të diskutuar çështje lidhur me kontratën. Në këtë situatë zgjidhja e mosmarrëveshjeve që mund të lindin mes palëve mbetet në dorën e drejtuesve të redaksisë.

Shumica e menaxherëve të mediave shprehen se mosmarrëveshjet i zgjidhin thjesht duke diskutuar me stafin. “Ka pasur mosmarrëveshje për çështjen e orarit. Zgjidhja ka ardhur duke diskutuar dhe duke rënë dakord përmes një marrëveshjeje verbale, pa kaluar në konflikte të tjera”, shprehet një nga menaxhuesit e mediave*.

E njëjta gjë vihet re për punën jashtë orarit dhe për fundjavat. Shumë gazetarë shprehen se kanë vetëm 1 ditë pushimi gjatë javës, edhe pse në kontratën e punës parashikohen 40 orë pune. Fundjava e plotë mbetet një luks! Këtë shkelje të kontratës, menaxherë të mediave e justifikojnë me sakrificat që çdo gazetar duhet të bëjë për hir të profesionit. E pranojnë se kjo është një shkelje e të drejtave, por e quajnë “një realitet të gazetarisë”.

“Absolutisht është shkelje e të drejtave, por është realiteti i gazetarisë që ta imponon. Stafet janë të vogla, financat e reduktuara dhe kjo nuk mundëson që gazetarët të kenë më shumë kushte të mira pune”, shprehet një nga menaxhuesit e mediave*.

Ka edhe nga ata menaxherë dhe drejtues mediash që shprehen se mosmarrëveshjet me gazetarët i kanë zgjidhur duke i pushuar nga puna. “Po, e kam zgjidhur. E kam pushuar në darkë dhe e kam marrë sërish në punë të nesërmen në mëngjes”, është shprehur një menaxhues*.

Ky largim nga puna pa paralajmërim i gazetarit pa respektuar dispozitat e parashikuara nga Kodi i Punës, tregon edhe një herë mënyrën arbitrare të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve brenda redaksive të lajmeve. Vonesa e pagave mbetet një problem për  shumicën e gazetarëve, ndërsa menaxherët e mediave shprehen në shumicë se nuk e kanë një problem të tillë me pagesat e tyre.

GAZETARET PESIMIST PER KUSHTET E PUNES

62.5% e gazetarëve që kanë marrë pjesë në këtë studim perceptojnë se kushtet e tyre të punës janë bërë më të këqija me kalimin e kohës. Pikërisht vonesat e pagave dhe orari tejet i zgjatur i punës janë nga dy pikat që sipas tyre kanë njohur një përkeqësim të ndjeshëm.

“Vonesë page”, “ orar i tej zgjatur i papaguar”, “mungesë komunikimi dhe këshillimi”, “Ulje e pagës”, “Asnjëherë pushim në festat zyrtare”, “pushim nga puna në rast të ngritjes së zërit për mos marrjen e rrogës në datën e caktuar”, Këto janë vetëm disa nga përgjigjet e dhëna nga gazetarët gjatë pyetësorit anonim të zhvilluar online, teksa shtojnë se përballen edhe me presion të lartë, kërkesa irracionale nga eprorët për t’u realizuar, si dhe konfuzion redaksional në lidhje me hierarkinë që qëndron mbi gazetarët. Gazetarët shprehen se nuk mungojnë as rastet e përdorimit të gjobave si masa disiplinore ndaj tyre.

Shumë menaxherë i shohin marrëdhëniet e mira me stafin si thelbësore për të pasur një mjedis të shëndetshëm në punë. Nga ana tjetër ajo që vihet re më së shumti nga intervistat e kryera me drejtues/menaxherë të mediave është se kur flitet për kushtet e punës e vendosin theksin vetëm tek komoditeti i mjedisit fizik. Shumë prej tyre i shohin marrëdhëniet e mira me stafin si thelbësore për të pasur një mjedis të shëndetshëm në punë. Një pjesë e menaxherëve shprehen se përdorin tektnika të lidershipit të mirë, për të krijuar një mjedis të shëndetshëm në redaksi, duke shmangur bërjen e kritikave individuale në sy të gazetarëve të tjerë.

“Për të gjithë qetësinë e gazetarit në aspektin material, por edhe nga ana tjetër lirinë editoriale, mospasjen e një kontrolli politik, editorial, ku secili të shprehë atë që ai mendon se është më e vlefshme dhe më e vyeshme për rastin”, “gazetaria nuk ka nevojë për ndonjë masë të madhe. është panvarësi editoriale, pasqyrim korret, verifikim. Janë kriterit profesionale, etika, zbatimi i tyre”, Këto janë dy nga përgjigjet e menaxherëve të mediave që i kemi veçuar pasi asnjë nga 16 drejtuesit e intervistuar nuk e sheh lirinë editoriale si një faktor të rëndësishëm për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për gazetarin.

Atuor | Denis Tahiri

Shënim:

*Emrat e gazetarëve dhe menaxherëve të intervistuar janë mbajtur anonimë

  

** Në kuadër të këtij projekti, i cili solli për herë të parë një raport shkencor për sa i përket kushteve të punës dhe problematikave në tregun shqiptar të punës, u zhvillua edhe një konferencë në të cilën i’u prezantuan të gjitha gjetjet palëve të interesuara. Këto gjetje i janë komunikuar dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, por deri në këto momente interesimi i këtyre të fundit mbi këtë çështje ishte shumë i ulët.

Studimi i plotë: Duke synuar kushte të drejta pune; Shqyrtim i të ardhmes së gazetarëve të rinj dhe atyre të ardhshëm

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *