Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pjerrinat e papërshtatshme në Fier i mohojnë të drejtën e lëvizjes personave me aftësi të kufizuara

Foto: Rampë jashtë standardeve pranë Bashkisë së Fierit; Autor | Gëzim Hoxha

Bashkia e Fierit ka njohur kohët e fundit një bum investimesh në infrastrukturë. Kilometra të tëra janë asfaltuar dhe nëpër trotuaret e rinj nuk mungojnë as korsitë e biçikletave. Kjo është përpjekja e parë serioze e kësaj bashkie për të nxitur transportin e gjelbër. Por të bie në sy që në këtë korsi mungon shenja e një karrigeje me rrota që tregon se ajo mund të përdorej edhe nga para/tetraplegjikët.

Në Fier banojnë jo pak por 330 prej syresh, të cilët sipas të dhënave zyrtare figurojnë të regjistruar dhe marrin pagesën e aftësisë së kufizuar. Një gjë të tillë e pamundëson edhe cilësia jo e mirë e pjerrinave. Për këtë, intervistuam një person të cilin halli e ka bërë ndoshta edhe më ekspert se të gjithë inxhinierët e ndërtimit.

Shaban Konjën e gjejmë tek selia e Federatës së Familjes pjesë e të cilës është prej mëse dhjetë vjetësh. Biseda me të rrjedh e qetë teksa ai nis të flasë për shqetësimin e tij, pjerrinat. Ai është 33 vjeç dhe qysh prej nëntorit të 2009 nuk mundi të ecë më si pasojë e një aksidenti. Ai i nënshtrohet një procesi rehabilitimi në Turqi dhe ia nis nga e para në 2010 – tën. Shabani është i martuar dhe me bashkëshorten e tij, i janë përkushtuar promovimit të familjes.

Sipas tij, një pjerrinë e mirë është ajo, raporti i lartësisë me gjatësinë e së cilës është maksimumi 6%. Duket se këtë të dhënë e saktëson edhe neni 9 i VKM nr 1503 i vitit 2008, vendim në të cilin specifikohet se si duhet të jetë një rampë e përdorshme.

Po a ka pjerrina të mira në Fier? Ai pohon me kokë dhe na tregon se të gjitha pjerrinat e shëtitores kryesore të qytetit deri tek rreth rrotullimi përballë televizionit Kombi janë të mira. Por problemi i kësaj shëtitoreje është fakti që aty nuk ka dalje, ndoshta ngaqë ajo pjesë trotuari nuk është rikonstruktuar akoma.

Pyetjes se sa e lehtë është të lëvizë rrugëve të qytetit i pashoqëruar, ai i përgjigjet: “Nuk është aspak e lehtë”- duke rreshtuar vështirësitë e hasura kur del me një karrige me rrota manuale. E para prej vështirësive në listën e tij shkaktohet prej bareve. “Edhe nëse aty mund të ketë ndonjë pjerrinë” – thotë Shabani, – “ti nuk mund të kalosh sepse nuk ke nga të sillesh nga tavolinat.” Tjetër  pengesë është pjerrësia e trotuareve që shërbejnë për futjen e makinave në ndonjë servis makinash si për shembull tek pesëmbëdhjetëkatëshi. Aty e gjithë sipërfaqja e trotuarit është e pjerrët dhe e bën të pakalueshëm për dikë që lëviz me një karrige me rrota, pasi ai humbet kontrollin e saj.

Për të pjerrinat më të këqija janë ato tek trotuari buzë shkollës “Andon Xoxa” apo edhe tek trotuari përbri saj: “Të dy këto trotuare janë të reja”, – thotë Shabani, – “por unë dhe kushdo si unë nuk mund të ecë në to sepse jo vetëm që aty ka një si shkallë shumë të lartë, por edhe baza e pjerrinës është e kufizuar me një kënd të drejtë. Kjo e pamundëson manovrimin. Ato duheshin të ishin të gjera. Sidomos ata që e kanë për herë të parë që përdorin një karrige manuale me rrota patjetër që do të rrëzohej kur të tentonte të hypte në këtë trotuar.”

Një tjetër detaj që i bën të gjitha pjerrinat e rrugës rrugës Pinallopi Pirro të papërshtatshme është edhe pjerrësia e madhe e betonit që shërben si ulluk për kullimin e ujërave të bardha.

Edhe pjerrinat e trotuareve të reja përgjatë rrugës përbri shkollës së muzikës janë të papërshtatshme. Kjo ndodh sepse një pjesë e tyre kanë bazë harkore dhe në momentin që ti bëhesh gati të ngjitësh karrocën, mund të ndodhë që njëra nga rrotat e para të rrëshqasë.

Foto: Rampat në zonën e 15 katëshit (Fier), Rr. Pinallopi Pirro dhe pranë Godinës së Bashkisë Fier

Problem tjetër është edhe ajo si shkallë e vogël që formohet midis prag trotuarit dhe bazës së pjerrinës. Këtë pengesë personat aktivë që kanë dëmtuar pjesën lambare të shtyllës kurrizore (ajo ndodhet poshtë kërthizës deri tek kërbishtja) e kalojnë pa problem për shkak se ata ndihmohen nga shtytja e muskujve të barkut. Po për personat pasivë të cilët kanë dëmtuar pjesën çervikale (vertebrat e qafës dhe ato të fillim shpatullës) apo atë toroarkale (vertebrat e kraharorit deri tek kërthiza) si i bëhet? Atyre iu cënohet rëndë e drejta e lëvizjes pasi ata nuk kanë fare muskuj barku.

Lexo më shumë:

Fier, mungesa e pjerrinave në institucione (Vitit 2017) – Kanë kaluar 2 vjet dhe gjendja nuk është se ka ndryshuar shumë

“Për pjerrinën që është ndërtuar rishtazi tek Konadi dhe ato tek sheshi Fitorja ende nuk mund të gjykohet pasi punimet ende nuk kanë mbaruar. – Por ajo që vura re një ditë kur kalova andej, – përfundon Shabani, – “ishte fakti që pjesa e betontë që pason asfaltin e rrugës është e pjerrët”.

Për të marrë një opinion ndryshe takojmë Olsi Alushaj. Ai është 31 vjeç, studion për shkenca politike dhe shëtit shpesh mbrëmjeve me karrigen elektrike. Ai nuk dëshiron të flasë për jetën e tij private: “Nuk ka rëndësi kur u bëra kështu, por rëndësi ka fakti sa kohë ka që përballem me këtë realitet.”
Më tej ai tregon se si iu rikthye shkollës dhe u bë sërish aktiv në vitin 2014: “Ka qenë e vështirë, – thotë Olsi– sepse në këtë kohë gjimnazi “Janaq Kilica” nuk kish fare pjerrinë. – Mua më ndihmonte një shok, ai e ngrinte karrigen time me rrota.”

Por për të fjala “aktiv” nuk do të thotë vetëm të dalësh nga shtëpia. Ai rrëfen për Citizens Channel se është bërë pjesë e shoqërisë civile duke u përfshirë në projekte të ndryshme sensibilizimi, por edhe duke folur për problematikat e personave me aftësi ndryshe.

Edhe pse për të Fieri ka ndryshuar për mirë, Olsi akoma has vështirësi të ndryshme kur del nga shtëpia. Mungesa e ndriçimit në disa prej rrugëve ku ai shëtit dhe gropat para shtëpisë së tij janë ato që e pengojnë lëvizjen e tij më së shumti. Ndërsa për pjerrinat ai thotë se nuk has ndonjë vështirësi kur kalon në to pasi karrigia e tij është elektrike: “Nuk flas dot se çfarë vështirësish hasin ata që kanë karrige manuale por ma ha mendja se duhet të jetë goxha e vështirë”.

Bashkia e Fierit “fajëson” projektuesit dhe qytetarët për mungesëne përshtatmërisë

Për të parë se çfarë mund të bëhet për të ndryshuar diçka shkojmë në bashki. Aty na pret vetë nënkryetarja e bashkisë zj Enkelejda Peshkëpia. Pyetjes se sa e përshtatshme është infrastruktura rrugore për personat me aftësi ndryshe ajo i përgjigjet shkurt: – Ka ende shumë për tu bërë. Kur i tregojmë për pretendimet e Shabanit, ajo i mban të gjitha shënim dhe tregon se ka ngritur një komision për verifikimin e tyre pasi ato tashmë kanë mbërritur edhe në Këshillin Bashkiak.

Ajo fajësoi projektuesin për mungesë konsultimesh me grupin e interesit para hartimit dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore të cilat përfshijnë edhe pjerrinat. Edhe pse shoqata e para dhe tetraplegjikëve është pothuaj inekzistente nuk është detyra e saj të ushtrojë presion për të kërkuar zbatimin e rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e PAK -ve.”

Në këtë rregullore thuhet qartë e zeza në të bardhë ajo duhet të zbatohet në të gjitha objektet e reja që ndërtohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, qofshin ato objekte publike të ndërtuara me fonde të buxhetit të shtetit apo fonde private, qofshin ato objekte private. Në hapësirat publike dhe ndërtimet e reja me karakter të përkohshëm, ose në hapësirat publike dhe objektet ekzistuese nëse do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.

Për më tepër bashkisë ndoshta i ka shpëtuar një detaj i vogël: Sipas VKM në fjalë projekti duhet të kishte pasur deklaratën e autorit të projektit, nëpërmjet së cilës vërtetohet konformiteti i projektit me dispozitat që përmban kjo rregullore. Për të mos thënë se kjo ka munguar le të themi se asaj nuk i është kushtuar rëndësia e duhur. Këtu duhet të ketë çaluar ndoshta edhe diçka tjetër certifikimi i përshtatshmërisë së punimeve.

“Për momentin nuk mund të bëjmë më tepër – sqaron Enkelejda, – pasi nuk na lejon as buxheti. Por ajo u zotua që në buxhetin e vitit që vjen do ketë një zë të veçantë që do të quhet buxhet social. Ai do të përfshijë kostot për pajisjen e të gjitha institucioneve me pjerrina si dhe rregullimin e atyre ekzistuese”.

E deri në hartimin dhe zbatimin e projekteve që do përfshihen në buxhetin special me zëra të ndryshëm, sërish para dhe tetraplegjikëve do iu privohet e drejta e shfrytëzimit të hapësirave të qytetit të tyre, e drejtë e sanksionuar edhe nga ligjet që janë ende në fuqi.

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuar nga Citizens Channel

Autor: Gëzim Hoxha

Gëzim Hoxha ka lindur në Shkodër më 26,11,1973. I diplomuar me Master në marketing dhe kontabilitet. Ka hyrë në botën e medias që në vitin 2015 si opinionist dhe përkthyes nëpër gazeta dhe portale të ndryshme. Angazhohet për Citizens Channel që në Qeshor të vitit 2017.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *