Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Teatri Kombëtar, në garë për një nga 7 objektet kulturore më të rrezikuara në Evropë

 “E kemi nominuar Tetarin Kombëtar për programin e Europa Nostra, shtatë vendndodhjet më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë dhe presim që në ditët e ardhshme të kemi edhe një vendim final prej tyre”, u shpreh arkitekti Kreshnik Merxhani në një video të shpërndarë në faqen zyrtare të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në Facebook.

Ai është pjesë e delegacionit shqiptar i cili ndodhet në Paris, në Konferencën e Europa Nostras ku ka fituar garancinë nga figurat drejtuese të organizatës që Teatri Kombëtar përfshihet në listën e ngushtë të 14 vendndodhjeve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë.

Nëse Teatri do të mund të përfshihet në listën e shtatë vendndodhjeve më të rrezikuara atëherë organizata europiane e fokusuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Europa Nostra, do të ketë mundësi të sigurojë projekte restauruese të godinës. Sipas përfaqësuesve të delegacionit shqiptar në këtë konferencë, do të zhvillohet një prezantim i gjithë rrugës së ndjekur deri më tani për Teatrin Kombëtar.

Aleksandër Gjonaj ndodhej sot në mjediset e Teatrit Kombëtar. I entuziazmuar nga lajmi, ai tregon si janë bërë përgatitjet nga vetë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe çfarë materialesh janë vendosur të paraqiten në konferencën që po zhvillohet në Paris.

“Arkitektët në radhë të parë kanë përgatit materiale që kanë të bëjnë me aspektin teknik të problemit. Është paraqit arkitektura siç është projektuar nga arkitekti italian, si ka qenë projekti fillestar, çfarë ndryshimesh janë bërë mbrapa dhe gjendja reale që është sot”, shprehet zoti Gjonaj gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel.

Ai ka qenë i pranishëm gjatë përzgjedhjes së materialeve dhe tregon se në video-prezantimin e bërë pranë Europa Nostra-s janë integruar fjalime dhe pamje nga protestat e zhvilluara gjatë gjithë procesit në mbrojtjes të godinës, çka e bën atë material mjaft të veçantë në sytë e tij.

“Përveç këtyre aspekteve teknike, materiali jonë ka pas një gjë krejt të veçantë, ka pas edhe protesta popullore. Me qindra dhe mijëra protestues, qytetarë të Tiranës, i kanë dalë në mbrojtje Teatrit”, tregon më tej ai.

Teatri Kombëtar është i vizituar dhe i jetësuar gjatë çdo momenti të ditës. Lindita Komani ishte sot brenda ambienteve të saj, duke u përgatitur për veprën e radhës që do të vihet në skenë në kuadrin e festivalit në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Ajo tregon për Citizens Channel se e ka mirëpritur një lajm të tillë.

Në kuadër të këtij programi i thuhet një lloj stop-i, nuk është stop zyrtar se ata nuk mund të detyrojnë shtetin shqiptar mos ta bëjë diçka por është një fuqi shumë e madhe kulturore e politike që vjen nga vendimi i tyre“, artikulon zonja Komani.

Prandaj do të ishte e mirëpritur, se ata garantojnë që ka dhe mbështetje financiare për të bërë restaurimin e Teatrit që do të ishte gjë akoma dhe më e madhe”, sqaron në vijim ajo.

Duke kuptu këtë rëndësi të këtij objekti, unë mund të them me plot gojën që ky objekt, në mënyrë absolute nuk duhet të preket as me majën e gishtit. Këtu është historia, gjithë historia e institucioneve kulturore të shtetit shqiptar, institucioneve kulturore kombëtare“, arsyeton më tej zoti Gjoni gjatë intervistës së tij. Ruajtja e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, në këndvështrimin e tij, është jetike, jo vetëm për kulturën dhe historinë por edhe për demokracinë në Shqipëri.

Çfarë është Europa Nostra?

Europa Nostra është një lëvizje e qytetarëve për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Evropës. Ajo u themelua më 29 nëntor 1963 në Paris dhe ka 50 vite që mbron dhe lobon për trashëgiminë kulturore. Në këtë organizatë marrin pjesë përfaqësues nga 40 vende të Evropës dhe ka një status këshillimor për UNESCO-n dhe BE-në sa i përket siteve kulturore dhe trashëgimore.

*Citizens Channel/E.K/E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *