Lushnje: Fermerët hedhin produktet në rrugë si shenjë e mbështetjes së munguar nga qeveria

Autore: Fatmira Bajrami | Citizens Channel

Fermerët në Fier, Berat dhe Lushnje prej ditësh janë ngritur në protestë, duke hedhur prodhimet në rrugë për të kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria. 

“Ne kemi falimentuar, jemi të mbaruar. Për sezonin tjetër këta fermerë nuk do të mbjellin dot. Ne si prodhues nuk kemi marrë asnjë lek nga inputet bujqësore. Asnjë nuk ka marrë asnjë subvencion nga qeveria për prodhimet e tyre”, u shpreh një nga fermerët në qytetin e Lushnjës.

Vetëm në muajin tetor  ata kanë organizuar 3 protesta, tek ura e Kucit në Berat, tek rrethrrotullimi plasmasit në Lushnje dhe ditën e djeshme në Savër. 

Me pankarata në duar ku shkruhej: “Ne nuk mund të punojmë vetëm për të paguar akcizën e naftës” ; “Edhe “jahti” im meriton naftë pa akcizë”; “Zoti kryeministër, domatja e Myzeqesë ka hyrë në Europë” ata pranuan se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara. 

Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria, që sipas tyre i ka harruar.

 

Ata kanë shprehur këto pesë kërkesa të përbashkëta:

  1. Mbështetje financiare direkte për fermerët duke na subvencionuar për çdo njësi produkti te hedhur ne treg kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe stimulim te eksportuesve te cilet janë promotore te zhvillimit te bujqësisë.
  2. Vlerësim dhe kompensim financiar me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut.
  3. Rregullim në paketën fiskale 2020 të shkallës së TVSH-së për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale sepse aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH-së që sot është në mënyre paradoksale 0% në blerje dhe 20% në shitje dhe përfshirja e të ashtuquajturës normë kompensimi 6% në këtë mekanizëm i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë i ka detyruar të furnizohen me produktet bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vendas .
  4. Kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë të na garantojë shërbimin e ekstensionit me specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë,laborator për analiza të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore , kontroll dhe monitorim të cilesisë së produkteve tona nëpërmjet një laboratori të akredituar.
  5. Kërkojmë nga qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyren e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e paleve në këtë treg.

Fermerët paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre. 

“O shteti të na e rregullojë këtë gjëndje se ne jemi të gjithë të falimentuar. Dhe do rrimë të gjithë, do bllokojmë rrugët, do nxjerrim traktorët, ça kemi nëpër shpia se nuk ka rrugëzgjidhje në rast se shteti nuk reflekton”, u shpreh një tjetër prej protestuesve gjatë zhvillimit të protestës.