Sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit (The World Air Quality Index) në kohë reale, Shqipëria është një nga vendet, të cilat nuk kanë asnjë të dhënë në lidhje me parametrat e ndotjes së ajrit.
Shqipëria është një ndër të paktat vende që nuk jep asnjë të dhënë mbi parametrat e ndotjes në Indeksin e Cilësisë së Ajrit (The World Air Quality Index). Vendi ynë shfaqet thjesht si një zonë gri në hartën botërore, i ndjekur nga një shënim ku thuhet: “Nuk ekziston asnjë informacion i qartë me të dhënat në kohë reale qoftë nga projekti SELEA ose Ministria e Mjedisit.”
Cfarë është Indeksi Botëror i Cilësisë së Ajrit?
Indeksi Botëror i Cilësisë së Ajrit (The World Air Quality Index) është një projekt i cili ka nisur në vitin 2007. Misioni i tij është të ndërgjegjësojë qytetarët për ndotjen e ajrit dhe të mundësojë një informacion të unifikuar dhe të gjithë botën për cilësinë e ajrit. Ky projekt siguron informacion për më shumë se 88 vende te botës, duke mbuluar më shumë se 11,000 stacione në 1000 qytete të mëdha. Skuadra krijuese e këtij projekti është e përqëndruar në Pekin, dhe përbëhet nga kontribues në fushën e shkencave të mjedisit, sistemit inxhinierit, të dhënave shkencore si dhe të dizajnit visual.

Cilësia e ajrit në Shqipëri
Në një vëzhgim të studimeve dhe raporteve ekzistuese sa i përket cilësisë së ajrit në vend vëjmë re se nuk ka të dhëna të mjaftueshme, madje edhe ato që ekzistojnë janë të vjetra dhe jo të rifreskuara. Në raportin e vitit 2018 të gjendjes së mjedisit (RGJM), ndotja e ajrit shfaqet thjesht në kopertinë, por rubrika ku duhet të trajtohej në brendësi mungon. Sipas RGJM e vitit 2018, nënvizohet se monitorimi i cilësisë së ajrit urban për vitin 2018 me stacionet automatik nuk është realizuar për shkak të pamundësive për të realizuar kualidimin e aparaturave, ndërkohë që cilësohet se në zonat kryesore urbane është përmirësuar mesatarisht mbi 30 %, por problematike ngelet shkalla e ekspozimit të popullatës ndaj ndotjes, si pasojë e tejkalimit të normës vjetore të ditëve të ndotura. Ndërsa në po të njëjtin lloj raporti të vitit 2017, ndotja e ajrit trajtohet, edhe pse në një hapësirë të vogël të raportit në krahasim me temat e tjera mjedisore.
Referuar raportit të vitit 2017 shkaqet kryesore te ndotjes së ajrit janë djegia e pakontrolluar e mbetjeve, nxjerrja dhe rafinimi i naftës, prodhimi i çimentos dhe trafiku. Transporti po ashtu luan një rol domethënës në ndotjen e ajrit, kjo pasi shume automjete nuk plotësojnë standardet e shkarkimeve në ajër, cilësia e lëndëve djegesë që përdorin dhe viti i tyre i prodhimit. Nje tjetër faktor ndikues në ajrin e ndotur janë edhe mungesat e sipërfaqeve të gjelbra si dhe ndërtimet pa kriter të cilat kanë ndikim në shkarkimin e pluhrave dhe ndotjen e cilësisë së ajrit.
Sa i përket rritjes së numrit të ndërtimeve, Citizens Channel ka raportuar edhe më herët, se vetëm në qytetin e Tiranës në tre muajt e parë të vitit 2019, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja rezulton të jetë pesëfishuar krahasuar me vitin 2018, duke shkuar në 379.954 m2. Kështu, numri i lejeve të ndërtimit në Shqipëri për 3 muajt e parë të 2019 kanë qenë 245 leje ndërtimi, ku 94 nga të cilat janë dhënë vetëm për qytetin e Tiranës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, 80% e vdekjeve të parakohshme nga infarkti dhe sëmundjet e zemrës, 14% e vdekjeve nga sëmundjet kronike obstructive pulmonare ose sëmundjeve akute pulmonare, dhe 6% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive lidhet me ndotjen e ajrit urban.
Në raportin monitorues të vitit 2017, ka tejkalim të normës vjetore të PM10 prej 56% në stacionin Tiranë, BT, 30% stacioni Tirana AKM. Problem në lidhje me PM10 ështe edhe numri i ditëve që tejkalojnë normën ditore të PM10 prej 50µg/m3 në stacionin e Korcës, Tirana BT dhe Tirana AKM, 40 ditë nga 239 ditë të monitoruara. Numri i ditëve të lejuara që tejkalojnë normën ditore të PM10 është 35 ditë në vit ose 10%.
Me rritjen e transportit automobilistik edhe përmbajtja e NO2 mund të arrijë dhe të tejkalojë vlerën kufi të lejuar së pari në qytetin e Tiranës e me radhë në qytete të tjera brenda një harku të shkurtër.
*Citizens Channel /E.K/