Monitorimi i Paktit të Universitetit: Zbatim i deformuar i kërkesave të studentëve

“Universiteti pas protestës” ishte tema e diskutimit e organizuar nga Qëndresa Qytetare ku u paraqitën gjetjet e monitorimit të “Paktit për Universitetin” si paketë e miratuar, e cila synon të përmbushë kërkesat e parashtruara nga studentët gjatë protestës së dhjetorit, në vitin 2018. Në këtë sondazh u përfshinë disa universitete publike dhe u morën në intervistë 615 studentë.

Protesta studentore shpalosi një sërë pakënaqësish lidhur me cilësinë e arsimit në Shqipëri. Këto pakënaqësi u renditën në tetë pika kryesore të cilat iu parashtruan Ministrisë së Arsimit si kërkesa të panegociueshme.

Kërkesa e parë konsiston në rritjen e buxhetit të arsimit në masën 5% të GDP-së me qëllim përgjysmimin e çdo tarife studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës.

Sipas monitorimit të Qëndresës Qytetare ky buxhet jo vetëm që nuk është rritur por ka pasur një shkurtim të fondeve që i dedikohen arsimit të lartë. Në muajin tetor 2019 ka pasur një shkurtim prej 1.6 milion eurosh.

Kërkesa e dytë e studentëve lidhej me transparencën e buxhetit nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nëpërmjet publikimit të të gjitha shpenzimeve online.

Referuar monitorimit të  mësipërm, Qëndresa Qytetare informon se në fillimit të muajit prill 2019 është krijuar portali u-transparenca.al i cili ka në përmbajtje pjesën më të madhe të CV-ve të pedagogëve të universiteteve publike, të dhënat dhe CV-të e anëtarëve të Bordit Administrativ të emëruar  nga MASR dhe informacion mbi të ardhurat dhe shpenzimet në raporte me bazë tre mujore.

Kërkesa e tretë i referohet rritjes së votës studentore nga 10% në 50% gjatë zgjedhjeve të strukturës akademike.

Përgjatë prezantimit të gjetjeve, Qëndresa Qytetare bën me dije se qeveria e ka rrëzuar këtë kërkesë duke dhënë shembuj të shteteve të tjera të cilët nuk e kanë peshën e votës më të lartë se 20%.

Kërkesa e katërt e parashtruar gjatë protestës së dhjetorit, e cila u pasua me zaptime dhe bojkot nga studentët edhe në periudhën e janarit, lidhet me numrin e barabartë të anëtarëve në Bordin e Administrimit dhe një përfaqësues në këtë bord kërkohej të zgjidhej nga studentët.

Ligji për Arsimin e Lartë përcakton se Bordet e Administrimit përbëhen nga shtatë anëtarë. Përbërja e saj përcaktohet në varësi të planit buxhetor afatmesëm të Institucionit publik të Arsimit të Lartë (IAL). Nëse universiteti siguron vetë 50% të buxhetit atëherë 4 prej anëtarëve janë përfaqësues të IAL-së dhe tre janë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit. Në rast se sigurohet më pak se 50% të buxhetit, IAL ka të drejtë të ketë 3 përfaqësues dhe Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ka katër përfaqësues. Qëndresa Qytetare informon se nga 35 anëtarë të bordeve të Administrimit, përfaqësues të MASR, 18 prej tyre rezultojnë të jenë zyrtarë të administratës publike.

Kërkesa e pestë kishte të bënte me pajisjen e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.

Deri në datën 21 tetor 2019, sipas burimeve të qeverisë  janë shpërndarë 20,116 karta studenti në kryeqytet. Ajo përmban 40 shërbime  që përfshijnë vizita në muze, teatër e kinema dhe shërbime të tjera të ofruara në sektorin privat. Qëndresa Qytetare konstaton se disa shërbime të ofruara nuk i plotësojnë nevojat bazike si ushqimi, veshja, kancelaritë, librat, spitalet dhe komunikacionin.

Kërkesa e gjashtë i drejtohet plagjiaturës së pedagogëve në titujt akademikë dhe doktoraturave. Në këtë pikë kërkohet edhe rishikimi i teksteve mësimore.

Në datë 26.12.2018 u miratua Vendimi nr.777 i Këshillit të Ministrave “Për Kontrollin anti-plagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore”. Duke iu referuar “Paktit për Universitetin”, brenda muajit qershor 2019 duhet të kryhej kontrolli anti-plagjiaturë dhe rishikimi i titujve akademikë, të krijohet Arkivit Digjital i doktoraturave në Republikën e Shqipërisë pranë MASR dhe të miratohet ligji i ri për Kodin e Sjelljes dhe integritetin në kërkimin shkencor. Bazuar në monitorimin e Qëndresës Qytetare ky premtim rezulton i pambajtur në afat dhe se MASR është në proces të ngritjes së Arkivit Digjital.

Kërkesa e shtatë e studentëve protestues ka të bëjë  me vlerësimin e performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, publikime online dhe regjistrimi i leksioneve.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve (MARS) realizoi Sondazhin Kombëtar të studentëve në muajin prill-maj 2019 si mënyrë për të adresuar problematikat e evidentuara gjatë protestës studentore. Ky pyetësor iu shpërnda rreth 100.000 studentëve nëpërmjet e-mailit dhe pjesëmarrja e tyre ishte në masën 20%. Sipas Qëndresës Qytetare ky sondazh kishte problematike që variojnë nga vonesa dhe mospërfshirje të studentëve deri në anashkalimin e dy zotimeve kryesore në trajtimin e fenomeneve si korrupsioni pasiv, mungesës së etikës në mësimdhënie dhe krijimi i dosjeve të pedagogëve sipas vlerësimit studentor.

Kërkesa e tetë dhe e fundit ndërlidhet me ndërtimin e një biblioteke online sipas standardeve evropiane dhe pasjen e librave në gjuhën shqipe dhe falas.

Biblioteka Digjitale u prezantua si një nga premtimet e “Paktit për Universitetin”. Sipas përfaqësuesve të qeverisë kjo bibliotekë u mundëson studentëve akses në 50 mijë revista shkencore, 193 mijë libra akademikë dhe 30 module për të mësuar një gjuhë të huaj. Qëndresa Qytetare informon se studentët nuk arrijnë të gjejnë materiale që përkon me kurrikulat e tyre mësimore dhe nuk munden të aksesojnë asnjë libër, artikull apo material në gjuhën shqipe.

Diskutime pas prezantimit të të dhënave

Studentë dhe pedagogë te Universitetit të Tiranës shprehen shqetësimet e tyre rreth implementimit të Paktit për Universitetin dhe ndanë këndvështrimet rreth Ligjit për Arsimin e Lartë i cili është ende në fuqi. Gjithashtu, u soll në vëmendje zhvillimi i protestës dhe u diskutuan disa aspekte të cilat nuk kontribuan pozitivisht në mbarëvajtjen e saj.

Në këtë pakt ne na u premtua se kishte akoma më tepër se na u premtua. Tani jemi këtu dhe në bazë të gjetjeve unë shikoj se pakti nuk ka mbajtur dot fjalën për kërkesat dhe pikat që i ka premtuar dhe propozuar vetë“, shprehet Laureni i cili është student i Shkencave Politike. Ai është entuziast përsa i  përket rinisjes së protestave në mënyrë që pikat e parashtraura të trajtohen në formë të plotë.

Edhe Oneda, studente e Juridikut dhe pjesëmarrëse në protestën e dhjetorit të shkuar tregon se protesta është mënyra e vetme e adresimit të problemeve universitare dhe rrëzimit të arsimit të lartë.

Mendoj se sërish ne duhet që të fillojmë me organizimin e protestave qoftë edhe duke lënë një orar të caktuar. Mendoj se pa protesta nuk do të kemi ndryshim në arsimin e lartë”, përfundon ajo gjatë mbledhjes informuese të ditës së sotme.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj