Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shqipëria ndër 10 shtetet me besimin më të ulët në shkencë, tregon studimi

Gallup është një kompani amerikane e cila mbledh të dhëna analitike dhe kryen studime që prej vitit 1935 në pothuajse të gjitha shtetet e botës. Në periudhën prill-dhjetor 2018, 140.000 individë në 140 shtete u pyetën për shkallën e besimit të tyre kundrejt shkencës dhe lidhjes ekzistuese mes saj dhe cilësisë së jetës. Qytetarët që ishin pjesë e studimit “Gallup (2019) Wellcome Global Monitor – First wave Finding” u intervistuan në studimin që mblodhi informacion të rëndësishëm lidhur me nivelin e kuptueshmërisë së shkencës, interesin dhe përfitimin që mund të marrin individët prej zhvillimit të saj duke i dhënë një fokus të rëndësishëm edhe vaksinimit.

Shqipëria është një ndër shtetet e përfshira në studimin e kryer nga Gallup. Sipas të dhënave të mbledhura, ajo renditet në vendin e tetë për besimin më të ulët në shkencë. Vetëm 10% e të intervistuarve në Shqipëri shprehen se kanë besim të fortë në shkencë, 46% e tyre  i besojnë asaj mesatarisht ndërsa 39% e shqiptarëve pohojnë se kanë besim të ulët. Shtetet të cilat kanë predispozitë të shfaqin nivel të ulët besueshmërie në shkencë raportojnë të kenë nivele jo të larta edukimi, bën me dije studimi.

Screenshot marrë nga studimi “Gallup (2019) Wellcome Global Monitor – First wave Finding”

Në rang botëror, 64% e të anketuarve besimtarë për të cilët feja kishte rëndësi u shprehën se nëse besimi i tyre fetar kishte mospërputhje me shkencën, ata do zgjidhnin besimin e tyre fetar. Në vendet më pak fetare kjo shifër ishte më e ulët, ndërsa në Shqipëri ishte 47%.

Në këtë studim, qytetarët janë pyetur edhe rreth vaksinave dhe rëndësisë së tyre. 96% e shqiptarëve janë dakord/disi dakord me pohimin “Vaksinat janë të rëndësishme për fëmijët“. Këtë nivel besueshmërie shfaqin shtete të tjera si Kosova, Bolivia, Republika e Kongos, Gaboni, Panamaja, Paraguai apo Portugalia.

Screenshot i marrë nga studimi: “Gallup (2019) Wellcome Global Monitor – First wave Finding”

Në muajin shtator, Organizata botërore e Shëndetësisë e hoqi Shqipërinë nga lista e shteteve të sigurta lidhur me eliminimin e fruthit. Rënia e besueshmërisë ka ndikuar në hezitimin e prindërve për t’i vaksinuar në kohë fëmijët e tyre dhe në vitin 2018 janë raportuar 1,466 raste të personave të prekur me fruth. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në fakt ka një rënie prej 3% të mbulimit vaksinal të Fruth-Rubeolë-Parotit, vaksinë e kombinuar ku doza e parë merret në moshën një vjeçare.

Iria Preza, specialiste pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) ka deklaruar edhe më herët për Citizens Channel duke renditur disa faktorë të cilët ndikojnë në rënien e besueshmërisë ndaj efektivitetit të vaksinave, të cilat janë pasuar edhe me rënie të marrjes së saj në kohë. Këto faktorë përfshijnë keqinformimin se vaksinat shkaktojnë autizëm. Gjithashtu, ajo bën me dije se disa grupe të besimeve fetare zgjedhim të mos i vaksinojnë, bashkë me grupet e tjera të cilët kanë pasur akses të limituar në arsim.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *