Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Matjanët organizojnë protestën e radhës: “Ky ujë është i pijshëm, jo për HEC-e. Do e mbrojmë me çdo çmim!”

Matjanët do të protestojnë ditën e shtunë kundra ndërtimit të HEC-eve në lumenjtë e zonës. Ata kanë filluar mobilizimin disa ditë para, duke përdorur rrjetet sociale dhe informimin derë më derë të çdo banori rezident në Mat. Protesta do të mbahet në lagjen Daç, fshati Lami i Madh dhe është parashikuar të fillojë në orën 11.00 dhe do përfundojë në orën 14.00.

Kjo nuk është protesta e parë që banorët organizojnë si mjet për të kundërshtuar hidrocentralet e miratuar në lumin Sekë i cili ndodhet në Urakë dhe lumin Melth i pozicionuar në fshatin Zall-Gjoçaj, Mat. Citizens Channel ka ndjekur organizimet e njëpasnjëshme të banorëve deri në ngujimin në çadër afër zonës ku ndodhen makineritë për fillimin e punimeve. Ata shprehen se uji për ata është vetë jeta dhe do ta mbrojnë me çdo kusht. Pas ngujimit, hapi i dytë i tyre ka qenë dërgimi i çështjes pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë. Kjo gjykatë e ka rrëzuar kërkesën e banorëve për të ndaluar punimet, të cilët nuk e kanë mirëpritur këtë vendim.

Një nga qytetarët e zonës së Matit, i cili nuk dëshiron të identifikohet pasi ka frikë se kundërshtimi publik i këtyre ndërtimeve mund të çojë në pushimin nga puna, tregon për Citizens Channel se miratimi i këtij projekti për ata nuk ka vlerë ligjore dhe morale.

Do mbroj ujin, se nuk ka ligje, as me Kanun as me Kushtetutë, që të na i devijojë lumenjtë! Ky ujë është i pijshëm, jo për HEC-e. Do e mbrojmë me çdo çmim!”, shprehet banori gjatë intervistës së dhënë. Ai artikulon se do ta kundërshtojë çdo veprim i cili synon të ndryshojë rrjedhën e lumenjve.

Në të njëjtën situatë ndodhen edhe qytetarë të tjerë, të cilët hezitojnë të shprehen publikisht. Gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel, një djalë nga Mati i cili nuk është rezident në atë zonë, tregon se i është dashur të tërhiqet nga aktivizmi i tij në jetën e përditshme pasi druhet se mund t’ia largojnë prindërit nga puna.

Mua më janë lutur prindërit aman mos shkruaj më për protestën. Kanë frikë për vendin e tyre të punës. Sikur të mos e vrisja mendjen për prindërit e mi, do ta lija gjithçka këtu. Pavarësisht se kam punën s’do më binte hiç ndërmend! Çdo të diel do ikja në protestë!”, tregon ai.

Teksa i rikthehet kujtimeve të fëmijërisë, si individ i rritur në ato zona ai tregon sa shumë ka ndryshuar vendlindja e tij me kalimin e viteve nga ndërtimet e vazhdueshme.

Kroi i Kolës ku kam pirë ujë kur erdha nga Mali ishte betonuar. Kur e kam parë të rrethuar me beton… Qava edhe pse jam njeri që i përballoj emocionet“, vijon më tej ai.

Arben Kola është aktivist për mjedisin dhe do të jetë i pranishëm në protestën e organizuar ditën e shtunë. Gjatë intervistës për Citizens Channel, ai sjell në vëmendje ndërtime të tjera që janë bërë në Shqipëri dhe dëmet që kanë sjellë, duke përmendur këtu lumin e Valbonës dhe ndaj e shikon të arsyeshme reagimin e menjëhershëm, jo vetëm të banorëve por edhe të qytetarëve të tjerë të Shqipërisë.

Arsyeja pse do protestoj ka të bëjë me zgjimet e komuniteteve ne mënyre qe mos të kenë fatin e Valbonës. Këto dëme janë të parikuperueshme, pasi kemi te bëjmë me devijime tunelesh qe janë me shkatërrimtaret për ekosistemin, në rast se i krahasojmë me hidrocentralet të cilat edhe mund te prishen. Uji është jeta dhe duhet mbrojtur ne çdo cep te Shqipërisë!”, përfundon Kola. *

Citizens Channel/E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *