Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Problemet mjedisore në Tiranë të raportuara përmes telefonit celular

Sheshi i Teatrit Kombëtar mirëpriti mbrëmjen e djeshme studentë të gazetarisë dhe fakulteteve të tjera për të prezantuar video të shkurtra që trajtonin problematikat e mjedisit në qytetin e Tiranës.

Këto video janë prodhuar në kuadër të projektit “My art is my activism”, i cili ka fokus kryesor raportimin mjedisor, konceptuar nga Art Kontakt në partneritet me Citizens Channel, mbështetur nga Fondacioni “Heinrich Böll”.

Për Andi Tepelenën, drejtuesi i këtij projekti, ideja për studentët në realizimin e këtyre temave lindi natyrshëm nga problematikat e mprehta mjedisore që hasen në Tiranë vitet e fundit.

“Ideja nisi krejt natyrshëm. Vetë jam i angazhuar prej vitesh në çeshtjet mjedisore, jo si ekspert, por si qytetar që do që Tirana dhe vendi ynë të ketë një mjedis të pastër. Mjedisi ka të bëjë direkt jo vetëm me shëndetin tonë, por edhe me çeshtjen e demokracisë. Është hapësira jonë e përbashkët ashtu siç është edhe trashëgimia jonë kulturore. Ka mundësi të shpëtohet falë angazhimit të këtyre studentëve të cilët ne mendojmë se nëse këtë radhë kemi krijuar një kontigjent prej pesë gazetarësh që denoncojnë çeshtje të mjedisit në Tiranë, mbulojmë Shqipërinë për raportimin e çeshtjeve të mjedisit, duke nisur që nga Tirana e deri te HEC-et nga veriu në jug, që është një problem shumë i rëndësishëm”.

Temat kryesore të trajtuara gjatë videove kanë qenë të lidhura me ndotjen e lumit të Lanës, grumbullimet e mbeturinave në vende të banueshme, ndotja nga automjetet e tonazhit të lartë si, dhe ndotjen që sjellin parkimet nëntokësore.

Për Blerta Latën, zgjedhja e temës së videos që ajo ka realizuar erdhi si një shqetësim që ajo e haste çdo ditë, dhe nuk prek vetëm atë, por të gjithë komunitetin.

U morëm me ndotjen e ajrit nga betonieret dhe oraret e tyre të lëvizjes. Bashkia që nga viti 2015 ka nxjerrë një vkb e cila ndalon qarkullimin e këtyre automjeteve nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të darkës. Nga monitorimi që ne bëmë në terren në çdo orë të ditës, në qendër të Tiranës, në rrugën e Elbasanit, në zonat ku krijohet më shumë trafik,  kishte papushim qarkullim të betoniereve dhe të makinave të tjera që transportojnë inertet nga vendi ku po bëhen ndërtime.”

Ajo shprehet se shikonte çdo ditë betoniere në qytet, por nuk u kishte kushtuar vëmendjen e nevojshme sa i përket ndotjes që ato shkaktonin.

“Gjatë ditëve që kemi bërë xhirime, unë jam ndjerë jashtëzakonisht shumë keq. Më digjte fyti dhe hundët, ngaqë ajri ishte jashtëzakonisht i ndotur. Ne ndoshta kur jemi kalimthi nuk e kuptojmë, por kur unë po merresha me këtë gjë, aty e kuptova që me të vërtetë situata është kritike”,- shprehet ajo për Citizens Channel.

Një nga trajnueset në këtë projekt, Irena Dule, përfaqësuese e Qendrës Respublika, i shikon këto mundësi për të rinjtë si një mënyrë për ti orientuar ata jo vetëm drejt raportimit mjedisor, por edhe drejt investigimit të këtyre çeshtjeve.

Do doja të ndaloja te studentët dhe ti dekurajoja ata në marrjen me çështjen mjedisore, sepse mes kësaj do doja që të sfidoja ata që me gjithë mend kanë një lloj dashurie jo vetëm për profesionin e gazetarit, por për çeshtjet mjedisore në përgjithësi sepse i vlerësoj si çeshtje që fshehin mbrapa jo vetëm zhurmën që ne shohim në sipërfaqe, ndotjen, shumë gjëra të tjera që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm që në fakt rezulton që është i paqëndrueshëm e më pas fshihen interesa ekonomike e korruptive. Pra, duhet një motiv shumë i brendshëm që ka të bëjë më shumë me pasionin e dashurinë për punën, që të ketë mundësi të ekuilibrojë presionin që do të gjejnë këta të rinj në punën e tyre si gazetarë mjedisorë, të cilët do doja ti shikoja jo vetëm si raportues, por edhe të orientuar në investigimin e këtyre çeshtjeve.”

Ndërsa për Lorin Kadiun, trajnues në prodhimin dhe editimin e videove me telefonin celular,  prakticiteti që sjellin smartfonët në realizimin e videove është një revolucion në të bërin gazetari.

“Produket janë filmuar dhe realizuar nga telefoni celular, me një mjet që ne e kemi të gjithë në xhep. Do doja t’i inkurajoja të gjithë që për  probleme të mprehta, probleme që ne i hasim çdo ditë të përpiqemi të ngrejmë zërin tonë, të ngrejmë shqetësimet tona duke anashkaluar mediat që shpesh herë nuk merren me problemet e qytetarëve. Citizens Channel është gjithmonë këtu për këto problematika”.

Ana Lena, e cila ka trajtuar në videon e saj nivelin e lartë të zhurmës akustike në qytetin e Tiranës shprehet se rezultatet që mori nga kërkimi në terren ishin të pritshme, duke qenë se çdo ditë përballen me këtë fenomen.

“Ne u fokusuam te raportet e ISHP (instituti i shendetit publik), AKM (agjencia kombëtare e mjedisit ) RGJM (raporti i gjendjes në mjedis), te raportet e Agjencise Europiane te Mjedisit dhe se fundmi te raporti i KLSH (kontrolli i larte i shtetit) nga i cili rezultoi se organet kompetente e përgjegjëse për zhurmat në mjedis de facto nuk funksionojnë ndërkohë që de jure ligji u krijon të gjitha lehtësirat dhe është harmonizuar me legjislacionin europian.”

Ajo shprehet e shqetësuar për mosveprimin e institucioneve përgjegjëse për të ndryshuar situatën.

” Zhurmat e shkaktuara nga trafiku i kapercen ndjeshëm nivelet e lejuara dhe për këtë shumë institucione qëndrojnë pasive duke mos vepruar ndër të tjera edhe për shkak të vështirësisë që realisht ndryshimi i situatës paraqet.”

Trajnuesi në këtë projekt, pedagogu Ervin Goci u shpreh se videot në këtë format janë një nisje e vogël drejt atij revolucioni që pritet të ndodhë në Shqipëri sa i përket raportimit gazetaresk me anë të skicave, shifrave dhe figurave.

Këto video trajtojnë tematika që ju duken kalimthi, por që prodhojnë një ndotje të jashtëzakonshme. Studentët nuk janë marrë vetëm me simptomat, por janë marrë edhe me kërkime për dokumentacionin, legjislacionin se kush e ka detyrë. Të gjitha këto në një video që zgjat maksimumi dy minuta. Këto janë video me format social, që qarkullojnë në rrjetet sociale. Kështu ka lindur edhe ideja. Ka nevojë që në gazetarinë shqiptare, media, por edhe nëpër portale, blogje, të kalojnë video të shkurtra ilustrative që japin të dhëna themeltare dhe nuk bëjnë romane. Ky ëshë një revolucion që do ndodhi në Shqipëri.”

Për Iris Gjoka, studente e vitit të dytë në degën e gazetarisë ,e cila ka trajtuar temën e parkingjeve nëntokësore,kjo ishte edhe një sfidë profesionale.

“Që të bënim video ishte goxha impenjim pasi duhet të xhironim brenda parkingjeve dhe për këtë duhet të merrnim leje te bashkia. Njerëzit flisnin ndryshe pas kamerave dhe sapo nisnim xhirimin me telefon ata ndryshonin mendim. Por intervistat me inxhinierët e mjedisit na dhanë më shumë informacion për problemin që ne po trajtonim.”

E veçanta e këtij projekti ishte realizimi i këtyre videove vetëm përmes telefonit celular, si një mundësi kjo për të përgatitur gazetarët e rinj, por edhe aktivistë dhe qytetarë për të raportuar shpejt dhe në kohë reale.

Për këtë eksperiencë Blerta shoprehet: ” Ajo që unë përfitova nga kjo eksperiencë ishte të ideosh dhe të përfundosh një video vetëm nëpërmjet celularit, pra xhirime, montime, intervista dhe të gjitha këto vetëm nëpërmjet celularit, duke më bërë pjesë të një komuniteti të ri raportuesish.”

Ndërsa për Irisin mësimi i teknikave të editimit në një telefon celular ishte një mësim i vyer dhe mjaft praktik.

“Raportimi me anë të telefonit ( MOJO) ishte një mësim i rëndësishëm se si të xhironim, teknikat e editimit të videove dhe montimit të tyre për konsum publik”.

Më poshtë, njëra nga videot e punuar nga studentët 

*Citizens Channel / Erisa Kryeziu

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *