Qendra Res Publika ka publikuar Indeksin e Transparencës 2019. Ky raport është pjesë e projektit “Rritja e aksesit të gazetarëve investigues në informacionin zyrtar” dhe ka si qëllim vlerësimin e institucioneve publike në dhënin e informacionit sipas ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit“.

Gjatë periudhës nëntor 2018 deri në muajin shtator 2019, janë monitoruar 100 autoritete publike dhe janë dërguar 515 kërkesa për informim, ku 84 prej tyre janë përpiluar nga gazetarë investigativë. Raporti ka në përmbajtje vlerësimin e transparencës proaktive dhe asaj reaktive.

Transparenca proaktive i referohet publikimit të pa kërkuar të informacioneve

Transparenca reaktive i referohet kthimit të përgjigjeve të plota dhe brenda afatit ndaj kërkesave për informacion

E përcaktuar me ligj, institucionet e kanë të detyruar të bëjnë publike një kategori të caktuar informacioni pa pasur kërkesë nga publiku. Kjo kategori duhet të publikohet tek rubrika “Program transparence” e miratuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe duhet të përmbajë informacione që aksesohen kudo, akte ligjore apo nënligjore dhe informacionet që gjenden në to; manuale dhe dokumente lidhur me aktivitetet e institucioneve dhe materiale me karakter të ndjeshëm që mund të përmbajnë shkelje apo mundësi abuzimi.

Sipas monitorimit të bërë nga Qendra Res Publika, rezulton se Shqipëria ka pasur një përmirësim të lehtë gjatë tre muajve të parë të vitit, ku transparenca proaktive shkoi në masën 26.5% dhe më pas ka pësuar ulje.

Indeksi i përgjithshëm i transparencës proaktive të institucioneve gjatë 2019/Screenshot marrë nga Indeksi i Transparencës 2019

Ky vëzhgim i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe transparencës reaktive duke marrë parasysh se vetë ligji i mundëson çdo qytetari, aktivisti apo gazetari të kërkojë nga institucionet informacion dhe ta marrë të plotë atë. Ajo çfarë vihet re është  një përkeqësim në reagimin e pushtetit vendor, ndjekur nga institucionet qendrore të pushtetit ekzekutiv. Reagimet konsistojnë në refuzimin për të dhënë informacion, dhënien e tij të paplotë, mosekzekutim të vendimeve të Komisionerit etj.

Indeksi i përgjithshëm i transparencës reaktive në Janar – Shtator 2019//Screenshot marrë nga Indeksi i Transparencës 2019

Edhe institucionet e tjera si Kryeministria, Inspektorati i Punës, Prokuroria e Përgjithshme, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë janë të renditura keq përsa i përket dhënies së informacionit.

Monitorimi i 100 autoriteteve publike ka nxjerrë në pah një trajtim të diferencuar të gazetarëve dhe qytetarëve të tjerë në kërkesat e tyre për informacion. Gazetarët trajtohen më keq se qytetarët e tjerë të cilët u drejtohen këtyre institucioneve dhe niveli i kthimit të përgjigjeve është me i ulët kundrejt gazetarëve.

48% e qytetarëve  e marrin brenda afatit kohor të parashikuar në ligj, ndryshe nga gazetarët investigativë, ku 36% e tyre, referuar monitorimit, e marrin në kohë informacionet e kërkuara nga institucionet publike.

Përqindja e përgjigjeve të plota ndaj kërkesës /Screenshot marrë nga Indeksi i Transparencës 2019

Refuzimi i institucioneve për t’u dhënë gazetarëve informacionin e kërkuar ka bërë që shumë prej rasteve të përfundojnë në Gjykatë, pasi edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk e garanton këtë të drejtë. 42% e gazetarëve kanë pasur nevojë ta ankimojnë vonesën e përgjigjeve nga autoritetet publike, shifër mjaft e lartë krahasuar me kërkesat për informim të nisura nga qytetarët.

Përqindja e përgjigjeve brenda afatit /Screenshot marrë nga Indeksi i Transparencës 2019

Në këtë raport janë listuar edhe një sërë rekomandimesh lidhur me të zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit”. Këto rekomandime konsistojnë në përshtatjen e programit të transparencës me natyrën e organeve publike; trajnimin e koordinatorëve për të drejtën e informimit dhe ligjin e miratuar; konsiderimi si shkelje ligjore mospërcaktimi i koordinatorit në shumë institucione dhe rritja e presionit ndaj autoriteteve publike që shkelin ligjin duke refuzuar të japin informacion, duke e vonuar apo dhënë të cungët atë.  

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu